Chinas Selbstbewusstsein
28 Dhjetor 2010Midis ekspertëve të Kinës qarkullon prej disa kohësh një shprehje: "Ka vetëm një gjë që rritet më shpejt se ekonomia kineze - ky është besimi në vetvete i Kinës." Ky vetëbesim nxitet prej rekordeve nga më të ndryshmet. Disa prej tyre: këtë verë, Kina organizoi në Shangai ekspozitën më të madhe botërore të të gjitha kohërave, me një rekord vizitorësh prej 73 milionë vetësh.
Kina ka ndërkohë rrjetin më të gjerë të trenave me shpejtësi të lartë - dhe trenat më të shpejtë të botës, që ecin nëpër këto shina, ajo i ndërton vetë. Dhe në të gjithë botën nuk ka asnjë kompjuter që të jetë në gjendje të llogarisë më shpejt, sesa "Tianhe 1A", në qytetin port të Kinës Veriore, Tianjin.
Bumi i eksporteve gjermane është i lidhur me rritjen ekonomike të Kinës
Në kohën e krizës financiare dhe ekonomike, ndikimi dhe rëndësia e Kinës është rritur edhe më tej: BE dhe SHBA iu desh të përballonin më 2009 hapat mbrapa në ekonomitë e tyre prej 3 deri 4 përqind. Ekonomia e Kinës, nga ana tjetër, shënoi një rritje prej 9 përqind. Që ekonomia gjermane e drejtuar nga eksportet punon këtë vit sërish me kapacitete të larta, kjo ka të bëjë për shembull edhe me faktin që firmat Mercedes Benz-i dhe BMW bëjnë turne shtesë për të furnizuar tregun kinez. Në të njëjtën kohë, rezervat devizore të Pekinit janë të mbushura plot, me dy bilionë e gjysmë dollarë.
Kina me kapacitete të fuqishëm investues
Aktualisht nga Kina synojnë të përfitojnë jo vetëm duke e parë si treg pune, por edhe si investore. Edhe në Evropë, Kina e ka paraqitur veten në muajt e fundit si shpëtimtare: Greqia e brohoriti kryeministrin kinez, Wen Jiabao, kur bëri të ditur në fillim të tetorit në Athinë se do të blinte edhe hua të tjera shtetërore greke.
Por edhe në shtete të tjera evropiane në krizë, si në Irlandë, Portugali, dhe në Spanjë, Pekini investon në hua shtetërore, për të cilat përveç tij nuk ka interes askush. Kur kryeministri kinez vizitoi Italinë, të përfshirë gjithashtu nga kriza, Berluskoni ndriçoi edhe Koloseun me prozhektorë të kuq.
Në angazhimin kinez veçanërisht në Evropën Juglindore, Eberhard Sandschneider, ekspert për Kinën në Shoqatën Gjermane për Politikën e Jashtme, sheh një pozicionim strategjik: "Nganjëherë janë pikërisht vendet e varfra, të cilat impresionohen më fort nga shumat e investimeve kineze, se sa shtete të tjera, objekte që hapin me mirënjohje derën për një politikë të tillë."
Por Kina investon miliarda edhe në zgjerimin e "soft power"-it, fuqisë së butë të saj: ajo themelon në të gjithë botën institute Konfuci dhe zgjeron mediat e saj ndërkombëtare. Bota duhet të jetë e qetë: ngjitja e Kinës do të jetë paqësore.
Fytyra tjetër e Pekinit
Por në shtator Pekini tregoi fytyrën tjetër të tij, më pak miqësore. Shkasi: Japonia ndaloi një anije kineze peshkatarësh, në një zonë të diskutueshme ujore midis të dyja vendeve. Më parë kjo varkë kishte goditur anije japoneze të rojës bregdetare. Natyrisht që priteshin protesta me zë të lartë nga Pekini. Por për habinë e opinionit publik botëror - dhe për shqetësimin e fqinjëve - Kina filloi të artikulojë njërin kërcënim pas tjetrit. Dhe nuk mbeti tek fjalët: kontaktet qeveritare u ndërprenë, shkëmbimi midis të rinjve u anullua. Vërtet që Japonia e liroi kapitenin kinez. Por edhe kjo nuk e zbuti Pekinin: ai kërkoi që Japonia t'i kërkojë falje.
Ekonomia kineze në shërbim të politikës
Spas një studimi të Universitetit të Göttingenit, të hartuar në vjeshtë, vendet që patën pritur kundër dëshirës kineze Dalai Lamën, patën një rënie prej rreth tetë përqind të eksporteve të tyre drejt Kinës. Ndoshta së shpejti do të vërehet edhe një "Efekt -Liu - Xiaobo". Shkencëtari kinez, autori dhe disidenti mori në fillim të tetorit të këtij viti Çmimin Nobel për Paqen. Kina qe përpjekur ta ndalonte këtë paraprakisht, me angazhim të madh diplomatik.
Kur nuk e arriti këtë, në prag të dhënies së Çmimit në 10 dhjetor, Kina u dërgoi një letër të 65 ambasadorëve të stacionuar në Oslo. Në të kërkohej prej tyre "që ata të mos marrin pjesë në aktivitete, të cilat janë të drejtuara kundër Kinës." 18 shtete e anulluan pjesëmarrjen e tyre në ceremoninë e dhënies së Çmimit Nobel. Shtetet e BE treguan të paktën këtu unitet: përfaqësuesit e tyre shkuan të gjithë në ceremoni.
Autor: Matthias von Hein /Auron Dodi
Redaktoi: Lindita Arapi