Kina e gatshme për ta mbështetur euron
19 Shkurt 2012Dhjetë ditë kanë kaluar qëkurse Wen Jiabao foli me kancelaren Angela Merkel në Pekin mbi euron. Tani kryetari i qeverisë kineze i premtoi eurozonës sërish mbështetjen e tij. "Dëshira jonë për të ndihmuar BE-në në zgjidhjen e krizës së huave është serioze. Ne kemi besim te Evropa dhe te euroja. Kina është e gatshme të angazhohet më fort dhe t'i bashkërendojë përpjekjet në këtë kuadër ngushtë me evropianët."
Mirëpo, si pas bisedimeve me Merkelin, Wenn-i nuk përmendi as këtë herë hollësi të tjera. Në fillim të shkurtit ai pati premtuar një përfshirje të Kinës nëpërmjet Fondit Monetar Ndërkombëtar ose në ombrellat evropiane të shpëtimit.
Presidenti i Këshillit të BE-së, Herman van Rompuy i quajti bisedimet me Wenin konstruktive. Konsultimet mbi krizën e huave do të thellohen, tha van Rompuy. "Përshëndesim qëndrimin pozitiv dhe angazhimin publik të Kinës dhe të kryeministrit Wen në lidhje me stabilitetin e eurozonës dhe të Bashkimit Evropian."
E paqartë si do të jepet ndihma
Në fund të fundit është punë e Kinës të vendosë si do të kontribuojë në stabilizimin e eurozonës, vijoi van Rompuy. Në bisedimet e tyre me Wenin, van Rompuy dhe presidenti i Komisionit Evropian José Manuel Barroso patën shpjeguar sërish masat evropiane për stabilizimin e eurozonës. "Mesazhi nga ana evropiane është i qartë. Ne bëjmë atë çka është e domosdoshme për të rivendosur besimin. Dhe në këto përpjekje do të kemi sukses."
Kështu u shpreh presidenti i Komisionit Evropian. Si dy udhëheqësit evropianë ashtu edhe Wen Jiabao theksuan disa herë varësinë e ndërsjellë. BE-ja është partneri tregtar më i madh i Kinës dhe Kina parashikohet të kthehet sivjet në tregun më të rëndësishëm të eksporteve për evropianët. Të dyja palët zhvillojnë çdo ditë tregti me mallra në vlerë prej më shumë se një miliard euro.
Të dyja palët ranë dakord të realizojnë një marrëveshje për mbrojtjen e investimeve. Van Rompuy kërkoi gjithashtu një qasje më të mirë në tregun kinez, një mbrojtje më të mirë të pronës intelektuale dhe uljen e proteksionizmit. Në lidhje me statusin e ekonomisë së tregut, të kërkuar prej kohësh nga Pekini, u tha në një deklaratë mbyllëse të përbashkët se synohet të punohet shpejt drejt një zgjidhjeje të plotë.
Në temën e të drejtave të njeriut, Kina pati bërë në samitin e 2010-s të pamundur një paragraf përkatës në dokumentin përfundimtar. Këtë herë çështja është ndryshe. Megjithatë, vetëm me vërejtjen jodetyruese, se synohet forcimi i dialogut dhe i bashkëpunimit në çështjet e të drejtave të njeriut.
Autor: Ruth Kirchner/ Elert Ajazaj
Redaktoi: Auron Dodi