Kina do të revizionojë kushtetutën duke lejuar ndër të tjera edhe pronën private
9 Mars 2004Të rreth 3000 deputetëve të parlamentit kinez iu paraqitën për miratim disa nene të kushtetutës që parashikojnë mbrojtjen e pronës private, si dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Por aktivistët për të drejtat e njeriut nuk mendojnë se në këtë drejtim do të ketë ndonjë ndryshim.
Për herë të parë që prej ardhjes në pushtet të komunistëve në Kinë në vitin 1949, në këtë vend parashikohen ligje në mbrojtje të pronës private. Spargata në politikën ekonomike që po ndjek që prej 25 vjetësh qeveria kineze, më në fund do të sanksionohet edhe në kushtetutën e vendit. Pra në një vend me ekonomi socialiste do të lejohet prona private.
Kryesia e partisë ia paraqiti këto propozime për votim edhe parlamentit, që ka kohë të mendohet deri ditën e diel (14.03.04). Projektligji i ri parashikon që në të ardhmen sektori privat dhe ai shtetëror i ekonomisë të jenë të barasvlershëm. Po ashtu në rast se prona e dikujt do të shtetëzohet për nevoja publike, atëhere pronarit do t'i jepet dëmshpërblimi përkatës. Pronari ka madje të drejtë që ta kërkojë këtë gjë edhe përmes gjykatës. Duke folur përpara rreth 3000 delegatëve zëvendëskryetari i parlamentit kinez Uang Zhao Guo tha: "Që prej fillimit të politikës së reformave dhe hapjes së vendit, që prej periudhës së rritjes ekonomike, prona private është shtuar së tepërmi. Gjithnjë e më tepër qytetarë kanë sot mjetet e tyre të prodhimit dhe për këtë edhe kërkojnë që prona e tyre private të mbrohet me ligj."
Gjatë vitit të kaluar në Kinë pati diskutime, madje edhe kontradiktore, në lidhje me ndryshimet e kushtetutës. Disa politikanë theksuan se përmes tyre vetëm se mbroheshin interesat e kapitalit të madh, i cili gjatë viteve të kaluara ishte pasuruar përmes përvetësimit ilegal të pasurisë shtetërore. Profesori i ekonomisë nga Shangai Jang Jin mendon ndryshe. Sipas tij mbrojtja e pronës private është e domosdoshme për zhvillimin e sektorit privat në Kinë.
"Në rast se do të kemi një kushtetutë të re e cila do të mbrojë pronën private, do t'i nxitim investitorët për t'u angazhuar edhe më tepër se deri tani. Jam i sigurt se në këtë rast do të lindin edhe më tepër firma private, si dhe do të shtohen kapacitetet e atyre ekzistuese." - thotë Jang Jin.
Kushtetuta kineze e vitit 1982 do të ndryshohet në 13 pika. Ndër të tjera në të do të sanksionohet për herë të parë edhe mbrojtja e të drejtave të njeriut, por pa sqaruar se çfarë kupton qeveria kineze me të drejtat e njeriut. Në nenin e parë të kushtetutës kineze vazhdon të thuhet se Kina është vendi ku sundon diktatura demokratike e popullit, ku drejtimin e vendit e ka në dorë klasa punëtore etj. Por tani pritet që në kushtetutë të përfshihet teoria e ish-presidentit kinez Zhan Ze Min, i cili kërkon që partia komuniste kineze të përfaqësojë jo vetëm punëtorët dhe fshatarët por edhe pronarët privatë.
E qartë është se prej revizionimit të kushtetutës nuk do të preket pozita e partisë komuniste kineze. Po ashtu i qartë ishte edhe inskenimi i seancës parlamentare, ku delegatët e zgjedhur që morën fjalën ndër të tjera thanë:
"Statusi i ri i ekonomisë private është për mua ndryshimi më i rëndësishëm, sepse zhvillimi i vërtetë ekonomik ndodh brënda sektorit privat."
"Mbrojtja e të drejtave të njeriut përbën një hap tjetër përpara. Pesë vjet më parë ne sanksionuam në kushtetutë që vendi ynë drejtohet prej ligjeve".
Por përpara se kushtetuta të tregojë efektin e vet, do të kalojë një farë kohe, deri sa të përpilohen ligjet përkatëse. Sepse përpara gjykatave kineze askush nuk mund t'i referohet kushtetutës.