Kina dhe OBT - Histori e suksesshme
9 Dhjetor 2011Që në vitin 1986 ka kërkuar Kina anëtarësimin në GATT (Marrëveshja e Përgjithshme e Tarifave dhe Tregtisë), që ishte paraardhësja e Organizatës Botërore të Tregtisë. Anëtarësimi i saj nuk kishte ndonjë mbështetje serioze, ndërkohë që as Pekini nuk ishte tepër i interesuar. Por në vitin 1998 presidenti i atëhershëm Zhu Rongji paraqiti një kërkesë të re, pasi që vendi i tij përballej me vështirësi të shumta ekonomike dhe domosdoshmërinë e reformave.
"Ka pasur shumë reforma që duhej zbatuar, por kjo nuk ishte e mundur. Premtimi i Zhu Rongji në Amerikë për nisjen e këtij procesi, ishte në fakt një përpjekje e tij për të gjetur një fuqi të jashtme, me shpjegimin: Ne duhet të bëjmë refroma, sepse OBT-ja i kërkon këto prej nesh. Dhe kjo solli një dinamikë tjetër në vend", thotë Doris Fischer nga Instituti Gjerman për Zhvillim Ekonomik (DIE).
Kina më nuk është ndonjë vend i zakonshëm
Tani Kina është vendi me popullatën më të madhe në botë dhe me një potencial të jashëzakonshëm të fuqisë së lirë puntore. Amerikanët dhe evropianët ishin të brengosur për shkak të mundësisë së vërshimit të tregjeve nga prodhimet kineze. Ata kërkonin prej saj lëshime dhe koncesione.
"Janë rezervuar edhe disa mundësi për ndërhyrje. Kjo ka bërë që të mund të thuhet: Kina është një prej faktorëve që ofron shumë, por edhe ne duam të futemi në tregun kinez dhe për këtë është i nevojshëm anëtarësimi i saj në OBT", pohon Rolf Langhammer, nënkryetar i Institutit nga Kili për Ekonomi Botërore (IfW).
Me 11 dhjetor 2001 Kina u bë anëtarja e 142 e OBT-së. "Ne kemi paguar një çmim të lartë për këtë anëtarësim", kujton ministri i Tregtisë Chen Deming. Këtu mendon ai për presionet që janë bërë, në radhë të parë ndaj bujqve kinez dhe sipërmarrjeve të dobëta të shtetit kinez.
"Në fund të fundit, Kina e ka mbijetuar mirë. Ka pasur një dinamikë e zhvillimit të lartë ekonomik në të gjitha lëmitë. Kjo ka ndihmuar që vendi të rimëkëmbet", mendon Doris Fischer.
Punëtorët vërshuan qytetet
Një armatë e tërë e puntorëve ka shkuar në qytete dhe ka gjetur punë në sektorin privat. Ndërkohë që ka dhe dy grupe të tjera qytetarësh, të cilat kanë profituar nga anëtarësimi i Kinës në OBT, pohon Rolf Langhammer dhe shpejgon: "Konsumatori, i cili natyrisht profiton nga çmimet më të ulëta. Kjo është shumë pozitive, në veçanti kur dihet se Kina ka një tendencë drejt inflacionit më të lartë se vendet tjera. Dhe së dyti, përpunuesit e prodhimeve, të cilat importohen."
Kina mbajti premtimet
Kina e ka mbajtur premtimin për uljen e doganave për importimin e mallrave.
"Mesatarisht niveli i doganave është ulur nga 15,3 në 9,8 %. Ne kemi hapur 100 degë për shërbimet e sipërmarrjeve të ndryshme të huaja dhe kemi miratuar rreth 3000 ligje dhe rregulla", pohon ministri i Tregtisë Chen Deming. Ndër ligjet e ndryshuara është edhe ai i mbrojtjes së pronës. Këtu ka përparime, por ka nevojë për përmirësime të tjera, thotë eksperti për Kinën Langhammer: "Ka shumë juristë kinezë të cilët po shkollohen, ka më shumë siguri juridike, por edhe më tej ka tepër tendenca të sipërmarrjeve kineze për falsifikimin e prodhimeve."
Në përgjithësi në Kinë është bërë pak në luftën kundër keqpërdorimeve të këtilla. Në degët tjera është bërë më shumë, sepse ka vepruar edhe ligji.
"Fakti që Kina përdorë sot instrumentat e OBT-së për të mbrojtur interesat e veta, është një sukses shumë i madh. Kjo do të thotë, se e ka kuptuar edhe esencën dhe përparësitë e të qenit anëtar i OBT-së", pohon Doris Fischer.
Në grindjet me BE-në për doganat, OBT-ja i ka dhënë Kinës dy herë të drejtë. Por në fillimit të korrikut 2011 Kina ka përjetuar edhe një humbje. Kuotat kineze për disa eksporte nuk ishin në përputhje me konventat ndërkombëtare të OBT-së, vendosi një gjykatë në Gjenevë. BE-ja, SHBA-ja dhe Meksika ishin ato që akuzuan Kinën.
Historia e Kinës në OBT
Historia kineze në OBT megjithatë nuk është vetëm një histori e akuzave dhe kundërakuzave. Anëtarësimi para dhjetë vitesh i ka mundësuar asaj edhe bumin ekonmik. Prej vitit 2002 deri 2008, ekonomia kineze ka shënuar mesatarisht një rritje prej 11,4 %. Në vitin 2000, Kina ishte eksportuesi i shtatë dhe importuesit i tetë më i madh në botë. Vitin e kaluar Kina ishte kampion bote në ekport dhe nënkampion bote në import. Kina prej anëtarësimit në OBT, ka trefishuar përbërjen e saj në tregtinë botërore, në 10,4 %. Në dhjetë vitet e fundit në Kinë janë investuar rreth 700 miliardë dollarë nga vendet tjera. Investorët e huaj janë futur në Kinë.
"…atje ka më shumë se 1400 qendra për hulumtime. Fitimet atje i ndihmojnë sipërmarrjet në vendet tjerë të tejkalojnë krizën", shpjegon ministri i Tregtisë. Por kriza ekonomike dhe financiare ka prekur edhe këtë vend. Kina është tani duke shqyrëtuar edhe disa mundësi veprimi që mund të prekin edhe doganat dhe subvencionet.
Autor: Zhang Danhong/Bahri Cani
Redaktoi: E. Xhani