Kinë - Reforma, por vetëm ekonomike
3 Nëntor 2013Në Kinë pritet së shpejti një valë reformash. Ka disa kohë që spekulohet se gjatë plenumit të tretë të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste nga 9 deri më 12 nëntor do të shpallen reforma me ndikim të gjerë. Qendra e Studimeve Shtetërore për Zhvillim - një think tank i Këshillit të Shtetit - paraqiti një projekt për reforma, i cili pritet të përcaktojë edhe agjendën e takimit të ardhshëm të Komitetit Qendror. Propozimet përfshijnë tetë fusha, nga ajo e financave dhe e tregtisë së jashtme, deri te të drejtat e përdorimit të tokës, çështjet e sigurimeve shoqërore, inovacioneve dhe taksimit. Në përgjithësi, mesazhi është: më shumë treg, më pak shtet.
Juani si një monedhë botërore?
Me rëndësi ndërkombëtare mund të jetë deklarata se qëllimi i Kinës është që brenda dhjetë vjetëve monedha kineze të bëhet valutë botërore. Autorët e këtij "udhërrëfyesi" për reformat në Kinë duan që në të ardhmen renminbi të mos përdoret vetëm si njësi monetare në tregti dhe investime, por që monedha kineze të shërbejë edhe si valutë për rezervat ndërkombëtare.
Profesorja Doris Fisher nga Universiteti i Würzburg nuk sheh tek "udhërrëfyesi" ndonjë strategji plotësisht të re. Ajo mendon edhe se ky qëllim nuk është kryekëput i parealizueshëm. Por kushtet e realizimit janë ende larg. "Nëse monedha kineze do të pranohet si monedhë botërore, nëse do të funksionojë si rezervë valutore për vendet e tjera, kjo varet nga palët e tjera. Dhe sigurisht nga ajo se si vazhdon të zhvillohet ekonomia kineze dhe besimi në të." - tha Doris Fisher për Deutsche Wellen.
Bankat kineze nuk janë ende të pjekura për tregjet financiare ndërkombëtare. Dhe para së gjithash ato duhet t'u nënshtrohen reformave të thella, përpara se valuta kineze të mund të bëhet plotësisht e konvertueshme dhe e tregtueshme lirisht.
Pritet që zona e tregtisë së lirë që u themelua një muaj më parë në Shangai të shërbejë si laborator për eksperimente për konvertimin e juanit. Edhe nuk dihet se në çfarë mase në të juani mund të shkëmbehet lirisht, por duket se këtu Kina po ndjek proverbin tradicional kinez: "Kaloje lumin duke kontrolluar gurët."
Rezistencë nga grupet e interesuara
Hapat e kujdesshme që propozohen mund të çojnë edhe në shpërbërjen e monopoleve shtetërore në fushën e transportit hekurudhor, të energjisë dhe të telekomunikacionit. Dokumenti i reformave propozon futjen e konkurrencës përmes një procesi të kontrolluar në këto degë.
Profesorja Fischer është skeptike nëse ekipi i ri drejtues në Kinë është mjaft i fortë për t'i zbatuar këto plane. "Pas këtyre degëve ka njerëz dhe klika të tëra që përfitojnë shumë nga ky sistem. Kërkesa është shumë e gjerë. Por unë mendoj se nuk ka gjasa që ajo mund të zbatohet për një kohë të shkurtër një për një." - thotë Fisher.
Më pak rezistencë do të ketë ndaj reformave të propozuara në sektorin social. Nuk diskutohet që aty duhet të ketë reforma dhe kjo prej kohësh. Hendeku në rritje në mes të pasurve dhe të varfërve çon në tensione sociale. Sidomos banorët e fshatrave nuk kanë përfituar thuajse fare nga bumi ekonomik në Kinë.
Reformë agrare dhe sigurim shëndetsor
Sipas propozimeve të think-tank-ut fshatarëve do t'u lejohet shitja e përbashkët e tokës së tyre. Në rast shpronësimi qeveria duhet ta blejë tokën me çmimin e tregut. Ekonomisti Cao Siyuan tha për Deutschen Wellen: "Deri tani autoritetet shtetërore u paguanin fshatarëve për tokën e tyre, një çmim shumë të ulët dhe pastaj ua shisnin tokën kompanive të pasurive të patundshme për shuma astronomike."
Po ashtu do të hiqet edhe sistemi i "pasaportizimeve" i ashtuquajturi "hukou". Kjo do t'u mundosjë rreth 200 milionë kinezëve që shkojnë për të punuar nga fshati në qytet që të regjistrohen aty dhe të mund t'i çojnë fëmijët në shkollë.
Po ashtu çdo qytetar do të pajiset me një kartë të sigurimit social, me të cilën mund të kurohet dhe mjekohet në spitalet dhe ambulancat publike në të gjithë Kinën dhe jo vetëm aty ku ka hukou-n".
Asnjë reformat politike drejt demokracisë
Se çfarë do të zbatojë Partia komuniste Kineze nga propozimet e think-tank-ut në praktikë është e paqartë. Por të paktën njëri prej autorëve Liu He është këshilltar i afërt ekonomik i drejtuesit të partisë dhe të shtetit Xi Jinping .
Cao Siyuan, i cili ka punuar vetë në vitet 80-të për Qendrën e Studimeve Shtetërore, thotë se pika kritike është se nuk duket asnjë lloj përpjekje për reforma demokratike dhe shtet të së drejtës. "Reformat politike dhe ekonomike janë si dy këmbë. Në rast se ecën vetëm me njërën këmbë përpara dhe këmbën tjetër e zvarrit duke e tërhequr pas, do të pengohesh", thotë ekonomisti.