Kievi si skenë e lirisë së shtypit?
31 Gusht 2012Sivjet në listën e referuesve në Kongresin Botëror të Gazetave ( Kiev, 02.09. - 05.09.2012) janë emra të personaliteteve të njohura si Michael Golden, zëvendëspresidenti i kopmanisë New York Times, apo Rainer Esser, drejtuesi i Shtëpisë Boutuese ZEIT. Në këtë listë mund të hasësh edhe në një emër tjetër: Viktor Janukoviç. Aktiviteti mbahet pikërisht nën patronazhit e tij, presidentit të Ukrainës, i cili për shkak të kufizimeve të lirisë së shtypit ndodhet gjithnjë e më shumë në qendër të kritikave.
Rritet presioni ndaj gazetarëve
Pas marrjes së detyrës Janukoviç kishte deklaruar disa herë se ai e çmon dhe e mbron lirinë e shtypit në Ukrainë. Por realiteti është ndryshe. Qysh në vitin 2010 sindikata e mediave në Kiev e shpalli Janukoviçin si "armikun numër një të shtypit". Në arsyetim thuhet se truprojat e presidentit i kanë penguar disa herë gazetarët që të kryejnë punën e tyre. Përveç kësaj në televizion nuk është lejuar transmetimi i raporteve kritike për presidentin."
Organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut 'Reporterët pa Kufij' ka raportuar për një përkeqësim dramatik të lirisë së shtypit në Ukrainë në vitin 2012. Presioni ndaj gazetarëve është rritur përpara zgjedhjeve të përgjithshme në tetor, tha Christian Mihr nga kjo organizatë në një intervistë për Deutsche Welle-n në Berlin. Në listën aktuale për lirinë e shtypit në botë, e cila përpilohet nga organizata 'Reporterët pa Kufij' Ukraina është renditur e 116-ta në mesin e 179 vendeve të tjera. Kjo renditje është më e mirë se sa në vitin 2010 por më e keqe se sa në vitin 2009. Nën drejtimin e ish-presidentit Viktor Jushçenko Ukraina renditej në vendin e 89-të.
Thirrje për bojkotim të Kongresit
Në këtë sfond shtrohet pyetja nëse është një ide e mirë për të organizuar Kongresin Botëror të Gazetave pikërisht në një vend si Ukraina. A nuk do të ishte më e kuptueshme që të bojkotohej kjo ngjarje në mënyrë që presidentit Janukoviç mos t'i ofrohet mundësia për pjesëmarrje në një aktivitet të tillë? Në pranverën e vitit 2012 një bojkot de-fakto i liderëve të shteteve të ndryshme, duke përfshirë këtu edhe presidentin gjerman Joachim Gauck, e detyroi udhëheqjen ukrainase që të anullojë një samit të shteteve të Evropës Qendrore në Jaltë. Gjithashtu, shumë politikanë evropianë të nivelit të lartë e bojkotuan Kampionatin Evropian të Futbollit në qershor në Ukrainë. Ata e bënë këtë në shenjë proteste ndaj cënimit të demokracisë në Ukrainë.
Disa ditë përpara Kongresit Botëror të Gazetave kanali televiziv ukrainas TVi njoftoi për një bojkot të mundshëm. "Është gabim të sillemi sikur është garantuar liria e shtypit. Përmes pjesëmarrjes në këtë forum legjitimohet qeveria e Ukrainës", tha drejtori i Përgjithshëm i TVi, Mykola Knjaschyzki, në një intervistë për DW. Televizioni i tij është një nga të paktët në Ukrainë, që transmeton raporte kritike ndaj Janukoviçit. Ka muaj që ky televizon ndodhet nën presionin e autoriteteve. Një hetim mbi dyshimet për evazion fiskal është inicuar disa javë më parë. Knjaschyzki frikësohet se së shpejti hetimet do të intensifikohen. Shkak është dëshira e kreut të shtetit në Kiev që ta bëjë të hesht kanalin e tij televiziv.
Shans i mirë për të theksuar rëndësinë e lirisë së shtypit
Pjesëmarrësit gjermanë janë shprehur kundër një bojkoti. "Ne i shohim qartë deficitet e demokracisë në Ukrainë", thotë Christoph Keese, drejtor për çështje publike në Shtëpinë Botuese Axel Springer. "Megjithatë do të ishte gabim për të mbyllur sytë ndaj këtyre problemeve dhe për të shmangur Ukrainën", tha Keese, në shtëpinë botuese të të cilit në Berlin mes të tjerash botohet edhe gazeta e përditshme "Die Welt". "Ne besojmë se rruga më e mirë është që pikërisht në Ukrainë të theksohet rëndësia e lirisë së shtypit dhe kongresin tonë vjetor ta organizojmë në Ukrainë", thotë Keese.
Ngjashëm shprehet edhe Uwe Ralf Heer, kryeredaktor i së përditshmes Heilbronner Stimme": "Është e rëndësishme që përfaqësuesit në Kongresin Botëror të Gazetave në Ukrainë të japin një sinjal të qartë duke u angazhuar në Ukrainë për lirinë e shtypit". Kjo është ajo që ai dëshiron të bëjë tani në kryeqyttein ukrainas me homologët e tij nga rreth 70 vende të tjera të botës.