Kancelarja Merkel hapi samitin e Davosit
26 Janar 2006Angela Merkel është kryeministrja e vetme e shteteve anëtare të BE e ftuarnë samitin e Davosit. Prandaj kishte edhe rolin më të rëndësishëm, pra të hapjes së samitit. Pritjet nga fjalimi i kancelares ishin të mëdha. Angela Merkel foli për një imperativ kreativiteti: "Domosdoshmëria e patjetërsueshme, e ndoshta mund të themi edhe domosdoshmëria e kreativitetit, do të duhej të ishte shtytja kryesore e politikës. Pra që të flas për atë që jam përgjegjëse. Mirëpo mendoj se sot më shumë se kurrë më parë vlenë parimi se ai që paraqet idetë më të mira, mund të përcaktojë edhe ardhmërinë", tha Merkel.
Bota dhe në radhë të parë Evropa, gjendet para ndryshimeve të mëdha, që mund të krahasohen me revolucionin industrial të para 200 vjetëve. Pra depërtimin drejt një shoqërie të njohurive. Në kontekstin e garës së ideve ajo përmendi një ekonomi sociale të tregut, të cilën e përshkruajti si një liri të përgjegjëshme. Merkel tha se idetë e ish - kancelarit Erhard duhet t'i përshtaten kohës më të re: "Kur flas për Gjermaninë, kam përshtypjen se kemi nevojë për më shumë hapësirë për liri, thënë më saktë më shumë liri. Puna, që është problemi qendror në Gjermani, kërkon rritje ekonomike. Ndërsa rritja ekonomike kërkon më shumë liri. Pra që njeriu më parë t'i shohë shansat për zhvillim dhe jo rreziqet".
Merkel tha se do të bëjë çmos që Gjermania në dhjetë vjetët e ardhëshme sërish të jetë ndër tri vendet e para evropiane, për nga rritja ekonomike, punësimi dhe inovacionet. Merkel nënvizoi se idetë kohët e fundit shpesh nuk janë realizuar. Gjermania sërish duhet t'i besojë vetvetes dhe të jetojë prej ideve të saja. Prandaj duhet reformuar tregun e punës, buxhetin, dhe pensionet.
Kancelarja gjermane megjithatë nuk foli vetëm për Evropën dhe Gjermaninë, por kërkoi respektimin e vlerave në mbarë botën. Gjermania do të angazhohet fuqishëm për vendosjen e rendit në kokurrencën e ideve.
Ajo citoi sërish ish - kancelarin Erhard: "Dua të mbrohem me fuqitë e mia, dua të jem përgjegjës për jetën dhe fatin tim. Ndërsa ti shtet, ke përgjegjësinë të ma mundësosh një gjë të tillë. Kjo është detyra e politikës, e cila beson edhe tek globalizimi, e cila ua heq njerëzve frikën dhe u jep shpresë dhe knaqësinë e konkurrencës së ideve", theksoi Merkel.