Ka ardhur koha për sanksione ndaj Kievit
20 Shkurt 2014Protesta në Ukrainë, që nisi para tre muajsh aq paqësisht dhe në frymë evropiane, kërcënon tani të përfundojë në një ëndërr të keqe. Ukraina sigurisht që nuk është Siria. Por a mund ta përjashtojë tani ndokush, që ky konflikt s'mund të kthehet në luftë civile? Skena të tmerrshme po zhvillohen në zemër të kryeqytetit ukrainas: rrethana të ngjashme me një luftë civile në mes të Evropës. Këto zhvillime rrezikojnë jo vetëm të ardhmen e vendit, por atje edhe për Evropën rrezikohet shumë.
Protesta disa mujore i ka radikalizuar të gjitha palët e konfliktit në Ukrainë. Përgjegjësinë kryesore për shkallëzimin e tmerrshëm e mban presidenti ukrainas Viktor Janukoviç. Ai refuzoi dialogun me lëvizjen e protestës duke synuar vazhdimisht të fitojë kohë. Nga pallati i tij në Kiev tani ai sheh, se si jo larg tij derdhet gjak. Këto janë pasojat e politikës së tij të fiksuar pas pushtetit.
Luftë pa mëshirë dhe rregulla
Në mënyrë dramatike u ashpërsua qëndrimi kundrejt lëvizjes së protestës: Kush ngrihet kundër sistemit të korruptuar të Janukoviçit, sipas intepretimit të udhëheqjes në Kiev është puçist. Në mënyrë cinike ajo bën fjalë për "masa kundër terrorit". Ndërkohë që ishin qindra mijëra qytetarë të thjeshtë, të cilët gjatë muajve të fundit demonstronin në Kiev dhe në qytete të tjera për reforma demokratike dhe zgjedhje të reja.
Kundër këtyre njerëzve qeveria e Janukoviçit po zhvillon një luftë pa mëshirë dhe pa asnjë rregull. Nga çatitë policët hedhin zjarr ndaj masës së njerëzve. Banda agresive dhe provokatorë përndjekin demonstruesit e paqtë. Njerëzit madje rrëmbehen dhe keqtrajtohen. Policia dhe drejtësia bëjnë sehir. Këto krime me sa duket kryhen me tolerimin e shtetit.
Diplomaci pa efekt
Gjermania dhe Europa nuk mund t'i pranojnë në mënyrë pasive këto zhvillime. Shumë gjatë qeveria në Kiev i ka lënë ato në pozicion pritjeje. Prej muajsh politikanët evropianë insistojhnë për ta vënë në lëvizje Janukoviçin për dialog. Por përpjekjet diplomatike s'kanë efekt, kur qeveria e refuzon zgjidhjen politike.
Tani ka ardhur koha, që Evropa të vendosë sanksione ndaj politikanëve ukrainas dhe nëpunësve qeveritarë, të cilët janë përgjegjës për dhunën. Atyre duhet t'u ndalohet udhëtimi jashtë vendit. Pasuritë e tyre jashtë vendit duhet të bllokohen. Ata nuk janë më të dëshiruar në BE.
Helm për marrëdhëniet mes BE-së dhe Rusisë
Në gurin e provës duhet të vihen edhe marrëdhëniet me Rusinë. Shkallëzimi i situatës në Ukrainë i rëndon ndjeshëm këto raporte. Sepse Kremlini akuzon Perëndimin për ndërhyrje dhe bën Evropën përgjegjëse për dhunën. Këto janë akuza të papërgjegjshme dhe të pabaza.
Ndryshe nga BE-ja megjtihatë Kremlini në fakt ka ndërhyrë fuqishëm në Ukrainë. Bie në sy që Moska menjëherë pas fillimit të ndërhyrjes brutale të policisë në Kiev shpalli ndihma të reja miliardëshe për udhëheqjen ukrainase. Me këtë Kremlini ia forocn krahët në mënyrë demonstrative Janukoviçit.
Moska e mbështet presidentin ukrainas edhe kur ky i cilëson si terroristë e puçistë demonstruesit proevropianë. Fare hapur del Kremlini duke e mirëpritur mposhtjen e përgjakshme të protestës në Ukrainë. Ky qëndrim është helm për marrëdhëniet mes Moskes dhe BE-së.