Jo frikë nga Kina - Hapi dyert Panairi i Hannoverit
24 Prill 2012Të hënën ( 23.04.2012) në Hannover hapi dyert panairi i industrisë, më i madhi në botë. Në ceremoninë zyrtare të hapjes kryeministri kinez Wen Jiabao ka njoftuar për një hapje të mëtejshme të tregut të vendit të tij. Wen tha se industrializimi i vendit të tij është ende larg përfundimit dhe për këtë arsye vendi ofron shanse të mëdha për sipërmarrjet e huaja. Ai po ashtu vlerësoi industrinë gjermane si model. Para së gjithash Kina është për industrinë gjermane, të orientuar nga eksporti, një shans për të mbajtur të qëndrueshëm bumin e saj ekonomik përkundër krizës globale.
Ndërkaq kancelarja gjermane Angela Merkel nga ana e saj bëri të qartë që Gjermania mund të mësojë nga vendi partner, Kina. "Por unë besoj se ne nga njëra anë jemi partnerë dhe po ashtu konkurrentë në kërkim të një zgjidhjeje të mirë". Ajo kërkoi nga koncernet gjermane të mos tërhiqen nga risitë e tyre.
Kina treg i rëndësishëm i eksportit për kompanitë gjermane
Për makinerinë gjermane dhe prodhuesit e impiantëve Kina është tani tregu më i rëndësishëm i eksportit. Vitin e kaluar ata kanë shitur produkte me vlerë prej 19 miliardë euro në Kinë. Dhjetë vjet më parë kanë qenë vetëm rreth pesë miliardë euro. Me makinat gjermane pastaj kompanitë kineze prodhojnë produktet e tyre që ata i shesin në të gjithë botën.
Por konkurrenca është rritur ndërkohë edhe në këtë fushë. Edhe në Kinë, tani ka fabrika për prodhimin e makinave të cilat ofrojnë makina shumë komplekse të cilat së shpejti mund të paraqesin një konkurrencë serioze për gjermanët. Rreth 500 kompani prezantohen në Hanover. Për kompanitë gjermane ky është një rast i mirë për të parë se sa kanë përparuar konkurrentët e tyre, thotë Hannes Hesse, drejtor ekzekutiv i shoqatës së industrisë VDMA: "Kinezët do të prezantojnë këtu në Hannover produktet e tyre më të mirat. Kështu ne do të shohim produktet me zhvillimin më të lartë tekonologjik. Pastaj ne duhet t'i krahasojmë ato me produktet tona. Atëherë ne mund të shohim se sa ka përparuar Kina në të vërtetë. Nëse produktet me cilësi të lartë teknologjike që ne do të shohim këtu mund të prodhohen në Kinë edhe masivisht, këtë duhet ta shohim pastaj. Ky do të të jetë një proces tepër tërheqës."
Respekt po por jo edhe frikë
Edhe Joachim Führländer, ndërmarrja e të cilit prodhon impiante për prodhimin e energjisë nga era, e përcjell me kujdes konkurrencën kineze, por pa frikë. "Ne tashmë kemi respekt për Kinën por jo edhe frikë. Ne para disa vitesh i kemi shitur prodhuesit më të madh kinez të turbinave me erë një licencë, kjo kompani është bërë me të shumë e suksesshme. Ne shohim se Kina nuk ka ende qasje në mbarë botën por vetëm në disa vende. Përveç kësaj, shumë vende duan që prodhimet të jenë lokale. Brazili për shembull dëshiron të shohë rreth 60 për qind të prodhimit vendor. Kjo paraqitet si diçka e vështirë për kinezët sepse ata dëshirojnë që të prodhojnë në Kinë dhe të eksportojnë në botë. Për dallim ne shkojmë nëpër ato vende dhe ofrojmë edhe hapjen e vendeve të punës. Kjo për faktin se njerëzit në këto vende kanë nevojë edhe për punë."
Fuhrländer tashmë prodhon në Indi, së shpejti do të fillojë prodhimin edhe në degët në Brazil, Vietnam dhe Ukrainë. Ajo çfarë prezanton kjo kompani nga Rheinland-Pfalzi në panairin e Hannoverit në shikim të parë nuk duket spektakulare por si një turbinë normale me erë. Por e veçanta e saj është se mekanizmi i transmisionit dhe gjeneratori janë të montuara në një komponentë. Në këtë mënyrë mund të kursehet rreth 60 për qind e peshës së impiantit.
Më pak peshë nënkupton edhe transport dhe ndërtim më të lehtë si dhe themele më të lira. Në këtë mënyrë impiantet e erës bëhen interesante edhe për vendet ku rrugët dhe logjistika janë më pak të zhvilluara se në Evropë. Pavarësisht nga pesha më e lehtë rendimentet mund të krahasohen me ato të sistemeve shumë të rënda.
Autor: Andreas Becker / Esat Ahmeti
Redaktoi: Angjelina Verbica