Iran-SHBA: Bisedime për programin atomik në Oman
13 Prill 2025SHBA dhe Irani filluan në sulltanatin e Omanit bisedimet për programin bërthamor iranian. Në fillim të këtij dialogu të ndërmjetësuar nga Omani delegacionet e të dy vendeve nisën punën e tyre në kryeqytetin e vendit Muskat, shkroi në Platformën X një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme iraniane.
Bisedimet zhvillohen në salla të ndara dhe Omani vepron si ndërmjetës dhe përcjell mesazhet mes dy palëve. Delegacioni iranian drejtohet nga ministri i jashtëm Abas Aragci, kurse ai SHBA-së nga i dërguari special Steve Witkoff.
Synimi: Ulja e tensionit
Qëllimi i bisedimeve është "shtensionimi i tensioneve rajonale, shkëmbimi i të burgosurve dhe lehtësimi i sanksioneve", tha një burim nga Omani për agjencinë e lajmeve Reuters. Pjesë e bisedimeve janë edhe marrëveshje të kufizuara për lehtësimin e sanksioneve të SHBA-së në këmbim të kontrollit mbi programin bërthamor të Iranit.
Përpara fillimit të bisedimeve Ministri i Jashtëm iranian Aragci tha në televizionin iranian se ka një shans për një marrëveshje fillestare për negociata të mëtejshme, nëse SHBA "hyn në bisedime me një qëndrim të barabartë". Aragci shtoi se është ende herët për t'u shprehur për kohëzgjatjen e bisedimeve.
Kurse i dërguari special i SHBA-së Witkoff tha para nisjes për në Oman në një deklaratë për Wall Street Journal, se qëndrimi i SHBA-së ka si element primar "heqjen dorë nga Irani prej programit të tij bërthamor". "Kjo nuk do të thotë se ne nuk do të gjejmë mënyra të tjera për të arritur një kompromis mes dy vendeve", tha Witkoff, por pikë e padiskutueshme mbetet megjithatë, që Irani nuk duhet t'i përdorë burimet e tij bërthamore për armatim.