Investorët amerikanë kritikojnë kthesën energjetike
19 Mars 2014Coca-Cola, Hewlett-Packard, Philipp Morris, McDonald's - lista e sipërmarrjeve amerikane të angazhuara në Gjermani është e gjatë. 44 prej sipërmarrjeve me qarkullim më të lartë financiar, të cilat gjenerojnë së bashku çdo vit 92 miliardë dollarë dhe punësojnë 177.000 punonjës në Gjermani, iu përgjigjen pyetjeve për barometrin e biznesit të këtij viti, të dhomës amerikane të tregtisë në Gjermani. Gjykimi i tyre nuk mund të ishte më i mirë.
Sipërmarrjet e hedhin vështrimin me shumë optimizëm në vitin në vazhdim, thotë Bernhard Mattes, president i AmCham Germany. Përsa i përket qarkullimit, rreth 80 përqind e të pyeturve presin një rritje në krahasim me një vit më parë, edhe në bilancin e punësimeve pritet një plus për Gjermaninë si zonë ekonomike. Veçanërisht bën përshtypje gatishmëria e madhe për investime, sepse një ndër dy menaxherë llogarit që në 2014-ën do t'i shtojë investimet.
Në mënyrë të veçantë, amerikanët vlerësojnë në Gjermani cilësinë e punonjësve, rrjetet e furnizimit, kërkimet shkencore dhe zhvillimin, si dhe infrastrukturën dhe potencialin e Gjermanisë si treg shitjeje. Më pak pozitivisht ata vlerësojnë shpenzimet e investimit dhe të financimit, shpenzimet e punës, si dhe politikën ekonomike dhe industriale. Këtu, një e treta e të pyeturve jep një notë negative.
Ky është një sinjal paralajmërues, thotë Bernhard Mattes. Gjermania nuk duhet të shtrenjtohet edhe më tepër. "Me këtë, të gjithë pjesëmarrësit, politikanët, që vendosin kushtet kuadër, por edhe vetë sipërmarrjet nuk duhet të pushojnë mbi dafinat e viteve të fundit". Sado mirë që venë punët, menaxherët e lartë amerikanë mendojnë se Gjermania ka nevojë për reformim. "Duhet të vazhdojë më tej orientimi drejt politikave industriale. Kjo ka sjellë një bazë stabile, por sektori inovativ duhet të ecë më përpara."
Paralajmërim për shpenzimet e larta për energjinë
Nota më të këqia në vlerësimin e faktorëve të Gjermanisë si zonë ekonomike marrin shpenzimet për energjinë. 71 përqind e të anketuarve i jep vlerësim negativ politikës gjermane të energjisë. Investorët druhen jo vetëm që shpenzimet për energjinë mund të rriten, por ata ngulin këmbë edhe për kushte kuadër të besueshme . Ralf Brinkmann, kryetar i sipërmarrjes kimike Dow Deutschland dhe zëvendëspresident i AmCham Germany thotë "Siguria e planifikimit dhe rritja dramatike e shpenzimeve në temën e energjisë, nuk janë pikë plus në sytë e investorëve potencialë amerikanë të industrisë, të cilët në vende të tjera paguajnë vetëm një të tretën e shpenzimeve për gazin dhe gjysmën për energjinë."
Aktualisht në Gjermani diskutohet reforma e ligjit për energjitë e ripërtëritshme dhe për direktivat ndihmëse evropiane për këtë. "Puna është që ligji për energjitë e ripërtëritshme duhet të bëhet i pagushëm, jo që gjithnjë e më shumë njerëz të kthehen në pagues të ligjit", thotë Brinkmann.