Interesa të përbashkëta të SHBA-ve dhe vendeve të Lindjes së Mesme në luftë kundër terrorizmit dhe ekstremizmit
31 Korrik 2007Ministrja e jashtme amerikane, Condolisa Rajs e ka mbrojtur ndihmën e planifikuar ushtarake të Uashingtonit për Izraelin, Egjiptin, Arabinë Saudite dhe shtete të tjera të Gjirit Persik. "Ne duam të garantojmë sigurinë për partnerët tanë në rajon", tha Rajs të martën në një konferencë të përbashkët shtypi me ministrin e jashtëm egjiptian, Ahmed Abul Gheit, në plazhin e Sinait, Sharm el Sheik.
"SHBA janë të vendosura të sigurojnë aleatët tanë se mund të na besojnë përsa u përket ndihmave që u duhen për të plotësuar nevojat e sigurisë. Ne kemi një sërë interesash të përbashkëta në këtë rajon në luftë kundër terrorizmit dhe ekstremizmit, për të mbrojtur fitoret e proceseve të paqes të së kaluarës dhe për t'i shtrirë ato në proceset e paqes të së ardhmes." - tha Rajs, e cila mbërriti sot në Egjipt e shoqëruar nga ministri amerikan i mbrojtjes, Robert Gates.
Rrugës për në Egjipt, Gates u tha gazetarëve se "është e rëndësishme që ne t'u tregojmë miqve tanë se jemi në gjendje të rezistojmë". Në planin e aktiviteteve në Egjipt janë takime me udhëheqjen e Egjiptit dhe me përfaqësues të Këshillit të Kooperimit të Gjirit Persik. Krahas tensioneve me Iranin, në takim do të flitet edhe për gjendjen në Irak.
Ministria e jashtme e Iranit shpërndau një komunikatë, ku përpjekjet amerikane cilësohen të kota. Ministri i jashtëm i Iranit, Mottaki, i akuzoi SHBA se "shpërndan në rajon skenare të shpikura." Ky aksion është "oportunist dhe i kotë". Sipas tij, me të synohet që të shpëtohen nga falimentimi prodhuesit amerikanë të armatimeve.
I dërguari i ambasadës izraelite në Berlin, Ilan Mor, i tha sot radios gjermane DLF se më mirë një armatim konvencional se sa një armatim bërthamor:
"Në këtë rajon nuk duhet të përjashtosh asgjë. Pyetja ime është: cfarë është më e keqe? Një garë konvencionale armatimi, apo një garë në fushën e armëve bërthamore? Ne dëshirojmë që t'i mënjanojmë të dyja, por realiteti në Lindjen e Afërme është i tillë, që na duhet të vendosim herë pas herë midis dy alternativave të këqija - midis kolerës dhe murtajës", tha i dërguari i ambasadës izraelite në Berlin.