Instituti Goethe në Berlin hap dyert e dialogut dhe debatit
21 Shtator 2011Mes ndërtesave historike në rrugën Neue Schönhauser Straße, në zemër të Berlinit, pranë sheshit Aleksandërplatz , ndodhet edhe ajo e Instituti Goethe. Kalon derën e saj të lartë, të gjerë në stilin gotik, merr ashensorin e qelqtë dhe je gati për të hyrë në botën e njohjes që kjo derë të hap.
Nikky Keilholz-Rühle, e diplomuar në mësimdhënien e gjuhës gjermane për të huaj, sociologe dhe zotëruese e disa gjuhëve të huaja, drejton Institutin Goethe në Berlin. Ajo thotë për programin shqip të DW se këtu vijnë në vit rreth 7 mijë studentë nga gjithë bota.
“Në një ditë në Institutin Goethe në Berlin kemi rreth 550 studentë : në kurset e mëngjesit, të pasdites dhe të mbrëmjes. Kemi edhe një grup të rinjsh të moshës nga 14- 17 vjeç, në një kampus për tre javë. Zhvillojmë edhe seminare për mësues të gjermanishtes në vende të ndryshem të botës, që vijnë në Berlin për t'u kualifikuar dhe shkëmbyer përvoja me kolegët gjermanë,” thotë Nikky Keilholz-Rühle.
Nga 1990 - 30 milion njerëz kanë njohur botën që ofron Instituti Goethe në Berlin
Christel Stieblich, me gradën shkencore të Doktorit në fushën e mësimdhënies, jep gjermanisht në klasën e nivelit të dytë. Në grupin e saj ka studentë nga Polonia, Spanja, Kalifornia, Franca, Shqipëria, Egjypti, Palestina, Quebec -u i largët, Brazili, Bullgaria dhe Italia.
“Është shumë interesante të punosh me njerëz që vinë nga profesioneve të ndryshme, nga vende të ndryshme të botës në Berlin, që kanë të njëjtin qëllim: të mësojnë gjermanisht,” thotë Dr. Stieblich.
Statistikat që ka vetë Instituti Goethe në Berlin flasin për 20 milion njerëz që kanë marrë pjesë në 20 vitet e fundit në programet e tij. Çfarë i shtyn ata?
“Ka dy arsye kryesore për të ardhur në Gjermani dhe mësuar gjuhën gjermane. Njëra lidhet me arsye profesionale, tjetra me zhvillimin social dhe ekonomik të Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore, zhvillim që u ofron më shumë alternativa jo vetëm gjermanëve, por edhe njerëzve nga vende të tjera të botës për të ndërtuar lidhje biznesi, shkëmbimesh kulturore, shkencore. Në këto 20 vite të fundit rreth 30 milionë njerëz nga gjithë bota dhe sidomos nga ish Bashkimi Sovjetik kanë marrë pjesë në kurset dhe programet e Institut Goethe në Berlin,” thotë Drejtorja Nikky Keilholz-Rühle.
Ndër pjesëmarrësit në këto programe janë dhe figura të njohura si shkrimtari peruan Mario Vargas Llosa apo ish Ministri francez i Arsimit Jack Lang.
Shumë më tepër se një kurs gjuhe
Sesa të dobishme dhe tërheqëse jane programet e Institut Goethe e tregon rritja marramendëse e numrit të tyre në Gjermani dhe në botë. Nga Instituti i parë i ngritur më 1951 në Greqi, në këtë vit , që shënon edhe 60 vjetorin e Instituteve Goethe, ato kanë arritur në 150. Krahas tyre funksionojnë 500 qendra të gjermanishtes, në partneritet me institucione arsimore dhe kulturore të vendeve ku ato janë ngritur. Shtrirja e tyre gjeografike shkon nga Europa përtej Atlantikut, kapërcen në Kinë, Japoni, Korenë e Jugut dhe Lindjen e Largët.
Drejtorja Nikky Keilholz-Rühle thotë se krahas mësimit në klasë në një mjedis multi- nacional, ka një program të pasur kulturor. Pjesëmarrësit njihen me kulturën dhe historinë 2000 vjeçare të Gjermanisë, muzeumet, monumentet e kulturës, ku Muri i Berlinit vazhdon të mbetet kuriozitet dhe atraksion i madh. Por ka edhe më tepër: diskutime për çështje aktuale, që janë të përbashkëta për të gjitha vendet, shkëmbim idesh, përfitim reciprok, rritje e dijes dhe vetëdijës qytetare.
Salla e konferencave me 200 vende e Institutit Goethe në Berlin ka çdo javë axhendën e saj.
“Organizojmë takime ku bëhet shkëmbimi i mendimeve, i ideve se çfarë do të jetë e rëndësishme për të ardhmen. Trajtojmë tema të mëdha si emigracioni, integrimi, multikulturalizmi, zhvillimi i qëndrueshëm, ndryshimet klimatike etj. Opinionet dhe këndvështrimet janë krejt të larmishme nga pjesëmarrësit. Kështu inkurajojmë shkëmbimin e mendimeve, ideve dhe nxisim bashkëpunimin” thotë drejtorja Nikky Keilholz-Rühle.
Instituti Goethe – qëndër ndërkombëtare e dialogut dhe përfitimit nga vlerat e secilit komb
Por njohja dhe bashkëpunim i ndërsjelltë nxitet edhe jashtë dyerve të Institutit Goethe.“Gjermanisht nuk ka vetëm në klasë: janë shëtitjet, komunikimi me berlinezët, leximi librave, gjithë sa ofron një kryeqytet kozmopolit si Berlini: këtu ka artistë dhe krijues nga gjithë bota, që shkojnë dhe vijnë, dhe kjo e bën Berlinin tërheqës për të rinj dhe të rejat që vijnë nga jashtë. Dhe...Berlini nuk është kaq i shtrenjtë si qytete të tjera të mëdha apo kryeqytete të botës,” thotë Christel Stieblich.
Instituti Goethe në Berlin është kthyer kështu në qendër ndërkombëtare mësimi të gjuhës gjermane, në një pikë takimi për mijëra njerëz nga vende të ndryshme të botës për të ndarë ide dhe pikëpamje, për të dialoguar dhe përfituar reciprokisht nga vlerat e shoqërive të ndryshme civile.
Ideja e vitit 1951 për ngritjen e Instituteve Goethe provoi të jetë kreative, vizionare dhe jetëgjatë.
Autor: Ani Ruci/ Tiranë
Redaktoi: Auron Dodi