Protesta e Wikipedia-s
19 Janar 2012Wikipedia ishte veshur me të zeza ditën e mërkurë (18.1.). Kush donte të qetësonte sipas manisë së vjetër etjen për informacion duke kërkuar në enciklopedinë e internetit, nuk arriti kërkund, të paktën në faqet në gjuhën angleze. Aty u shfaq për 24 orë me radhë një faqe në ngjyrë të zezë me tekstin "Imagine a World without Free Knowledge"- (Imagjino si do të ishte një botë pa qasje të lirë tek dijet.) Edhe faqet e tjera ishin të kufizuara. Rrjeti i preferuar i internetit reddit.com ishte po ashtu në ngjyrë të zezë për 12 orë rresht, po ashtu si bllogu Boing Boing. Google funksionoi, por kishte vendosur vetë një rrip censure mbi titull duke i drejtuar një apel përdoruesve: "Thuani Kongresit që të mos e censurojnë rrjetin" dhe me linkun e peticionit kundër ligjit.
Firmat protestuan në këtë mënyrë kundër dy ligjeve të planifikuara nga Kongresi amerikan. Ato quhen me emrat SOPA (Stop Online Piracy Act) dhe PIPA (Protect IP Act) dhe kishin fillimisht përkrahje të gjerë mbipartiake. Sepse synimi i tyre ishte të luftonin piraterinë në internet. Motivimi ishte të sigurohen vende pune në Amerikë. Ligjet kishin të bënin me shkarkimet ilegale të filmave dhe videove muzikore nga faqet e huaja.
Shtëpia e Bardhë në anën e protestuesve
Por Wikipedia dhe Co mendojnë se ndryshimet e parashikuara të ligjit shkojnë shumë larg. Sipas tyre, kompanitë janë të detyruara të përgjigjen për të gjitha përmbajtjet e faqeve ku lidhen. Një gjë që kushton shumë dhe është gati e pamundur duke patur parasysh degëzimet e rrjetit, argumentojnë ata. Ligjet mund "të shkatërrojnë komplet internetin e lirë dhe të hapur", thuhet në faqet e zeza të Wikipedia-s. Kritikat drejtohen edhe kundër bllokimit të planifikuar të faqeve të internetit, të cilat do të duhet të funksionin duke manipuluar sistemin Domain Name, një gur qendror të internetit.
Barack Obama ka dalë disa ditë më parë në anën e protestuesve. Në bllogun e Shtëpisë së Bardhë tre nga këshilltarët e tij, mes të cilëve edhe Howard Schmidt, asistenti i tij për siguri kibernetike shkruajnë: "Çdo përpjekje për të luftuar piraterinë në internet, duhet të përjashtojë mundësinë e rreziqeve për ushtrimin e censurës dhe nuk duhet të pengojë inovacionet e firmave tona dinamike, si të mëdha ashtu edhe të vogla."
Zëdhënësi i Obamës, Jay Carney theksoi ditën e mërkurë se ekziston nevoja e luftimit të piraterisë online por liria e internetit nuk duhet të kufizohet.
Autore: Christina Bergmann / Aida Cama
Redaktoi: Esat Ahmeti