Ekonomistë drejtues nga mbarë bota folën për krizën në hapësirën e euros
17 Prill 2012Konferenca e Institute for New Economic Thinking (INET), e financuar prej George Sorosit dhe multimilionerëve të tjerë amerikanë, ishte paralajmëruar me synimin ambicioz për të iniciuar në Berlin një stil të ri të menduari ekonomik, i cili kërkon ta pasqyrojë më mirë realitetin kompleks. Për këtë ndryshim paradigmash do të na duhet ende të presim (me gjithë ekonomistët e shumtë me emër, të cilët kanë gjithashtu të përbashkët orientimin më shumë nga teoritë e John Maynard Keynesit. Realisht u paraqitën më pak modele sesa opsione veprimi për politikën, të cilat bazohen gati të gjitha mbi kërkesën fillestare të Keynesit për një ndikim më të fortë të shtetit mbi ekonominë. Edhe një gjë: U debatua më pak mbi botën sesa mbi krizën në hapësirën e euros.
"Europa po shkatërron veten duke kursyer"
Hapjen e bëri Georges Sorosi vetë, i cili e shfrytëzoi konferencën për të bërë reklamë për librin e tij të sapopublikuar në gjermanisht. Misioni aktual i Sorosit, të pasuruar shumë prej spekulimeve monetare, është shpëtimi i euros. Ai ka identifikuar Bankën Federale Gjermane si euro-killer, kupto kancelaren Angela Merkel. Përfytyrimet e saj të politikës së kursimit po e shpien Evropën në një recesion si në vitet tridhjetë të shekullit XX, thotë ai. Në të vërtetë, thotë Soros, pakti fiskal evropian me frenin e vet të huave duhet të ndryshohet dhe Gjermania duhet të bëhet gati për t'u transferuar para vendeve të BE-së në nevojë.
Nuk është për t'u habitur, që kancelarja Merkel dhe ministri i Financave Schäuble parapëlqyen të mos e shfrytëzonin ftesën për t'i dëgjuar këshillat e tilla personalisht gjatë konferencës. Ishin para së gjithash propozime nga këndvështrimi anglosakson. Kërkuesit e Evropës kontinentale ishin pakicë ndër pjesëmarrësit.
Me "neo-merkantilizëm" drejt rritjes ekonomike në shtetet PIIGS
Njëri prej tyre, ish-kryemakroekonomisti i Deutsche Bank, Norbert Walter, nuk la t'i shpëtonte rasti për të mbajtur lart flamurin e Merkantiliszmit dhe për të mbrojtur politikën e suficitit tregtar të Gjermanisë. Megjithatë, tha ai, duke e cilësuar këtë gjë si "neo-merkantilizëm", teprica duhet investuar jashtë vendit, veçanërisht në shtetet e zhytura thellë në hua si Greqia. Për këtë qëllim, vijoi Walter, vende të tilla duhet të marrin përsipër detyrimin që me ndihmën e ekspertëve të huaj të modernizojnë strukturat e tyre ekonomiko-administrative.
Nga një prej këtyre shteteve të ashtuquajtura PIIGS (Portugali, Irlandë, Itali, Greqi dhe Spanjë) vinte një tjetër pjesëmarrës, profesori i ekonomisë nga Athina Yanis Varoufakis. Ngjashëm me Walterin ai bëri reklamë për ato që ai vetë i quan "investime produktive" të vendeve të BE-së me suficit tregtar në shtetet anëtare në nevojë. Kësisoj mund të stimulohej rritja e ekonomive të tyre reale, thotë Varoufakis, të krijohen vende pune dhe t'i bëhen të mundura shtetit të ardhura të reja nga taksat. Politika e kursimit, e këshilluar tani do të mbysë, për shembull në Greqi, çdo lloj rritjeje ekonomike. Në vend që t'i jepen vendit kredi, për të ulur huat e tij, paratë duhet të ishin përdorur për rifinancimin e bankave, tha ai. Varoufakis supozon se prej shteteve të euros të zhytura thellë në hua së paku Greqia nuk ka për të qenë në gjendje t'i kthejë ndonjëherë huat e saj.
"Huat, që nuk mund të shlyhen në mënyrë të arsyeshme, ja që nuk shlyhen", është komenti i goditur i Michael Hudsonit, profesor ekonomie në University of Missouri. Në kundërthënie me arsyen (tha Hudson) është gjendja kur kërkesat e tepruara prej masave të ngarkuara të kursimit bëhen të papranueshme për njerëzit në vendet e periferisë jugore evropiane. Pasojat janë (sipas tij) jo vetëm depresioni ekonomik, po edhe një polarizim në rritje midis popullsive të vendeve huadhënëse dhe atyre huamarrëse.Në këtë kontekst në diskutim u bë fjalë për dezintegrimin e BE-së.
Deficit demokratik në krizën e BE-së
Në mënyrë të përsëritur në konferencë u formulua akuza se politikanët evropianë po i bëjnë bisht të thënit në sy qytetarëve të tyre të të vërtetave të tilla dhe të tjera të hidhura. Në vend të kësaj (u tha), ata po blejnë gjithnjë kohë me paketa të reja kredie.
Autor: Panagiotis Kouparanis, Elert Ajazaj
Redaktoi: Esat Ahmeti