I ngarkuar i posaçëm për jetën myslimane në Gjermani?
15 Mars 2025Këshilli Qendror i Myslimanëve (ZMD) në Gjermani kritikon rritjen e racizmit anti-mysliman në mbarë botën. "Rritja e numrit të sulmeve islamofobike, gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit tregon se ne duhet të veprojmë - jo vetëm në ditët përkujtimore, por çdo ditë”, tha kryetari i ZMD, Abdassamad El Yazidi të shtunën (15.03.) në Këln.
Ndër të tjera ai bëri thirrje për emërimin e një të Ngarkuari për Jetën Myslimane dhe kundër racizmit anti-mysliman. Ky institucion do duhet të luftojë racizmin strukturor e të bëjë islamofobinë të dukshme dhe të koordinojë masat për një angazhim më të fortë politik për këtë temë, ka theksuar El Yazidi.
Dita Ndërkombëtare kundër Islamofobisë - përkujtim i sulmit terrorist në Christchurch
El Yazidi u shpreh të shtunën në kuadër të Ditës Ndërkombëtare kundër Islamofobisë. Kjo ditë përkujton viktimat e sulmit terrorist më 15 mars 2019 në Christchurch, Zelandë e Re, ku një ekstremist i djathtë vrau 51 myslimanë. Kreu i ZMD-së në Gjermani theksoi, se rreth 1,460 krime islamofobike janë regjistruar në vitin 2023 nga policia, një rritje prej 140 për qind krahasuar me të kaluarën. Shumica e këtyre krimeve kryhen nga ekstremistët e djathtë, sipas Zyrës Federale të Kriminalistikës.
Christchurch "nuk është një rast i mbyllur i izoluar, por një realitet që mund të përshkallëzohet në çdo kohë edhe në Gjermani”, paralajmëroi Këshilli Qendror i Myslimanëve në Gjermani. Prandaj është e nevojshme një luftë e vazhdueshme kundër racizmit drejtuar myslimanëve, zbatimi efektiv i ligjit dhe mbrojtja më e mirë e xhamive dhe institucioneve myslimane.