200911 Medizinhistorisches Museum
22 Shtator 2011Kampusi shpërndahet në katër vendndodhje, të cilave u përkasin mbi 100 klinika dhe institute, 13.000 vetë janë të punësuar në të, më shumë se 7000 të tjerë studiojnë këtu. Dhe prej më shumë se 100 vjetësh Charité ka një muze të vetin. Por meqenëse Charité-së i duhet tani të kursejë, vazhdimësia e saj është në rrezik. Kundër mbylljes së koleksionit të jashtëzakonshëm ka pasur protesta.
Ndërtesa e lartë me tulla ngrihet në fund të një territori të gjerë, në të cilin shpërndahet Charité me klinikat e saj të shumta. Që në vitin 1899 është inaguruar Chariteja si muze patologjik. Rudolf Virchovi duhet të ketë qenë atëherë krenar dhe me siguri i kënaqur. Pasi mjeku i shquar kishte luftuar gjatë për një muze, për koleksionin e tij të pasur patologjiko-anatomik.
„Në fund të karrierës ai kishte rreth 23.000 preparate në lëng dhe të thata. Ato tregonin krejt trupin njerëzor nën lëkurë, se ç'pamje kanë sëmundjet në zemër, mëlçi, veshka, mushkëri“, - tregon Thomas Schnalke, drejtori i muzeut të sotëm.
Muzeu ndodhet ende në ndërtesën fillestare dhe në ekspozitën e tij të përhershme tregon zhvillimin e mjekësisë perëndimore në tri shekujt e fundit. Në të bëjnë pjesë edhe një pjesë e madhe e atyre organeve të vyera të konservuar në formalinë, të cilat nuk kanë rënë viktimë as e bombave të Luftës së Dytë Botërore dhe as e një zjarri në vitet '50.
„Shumë nga vizitorët tanë duan thjesht të dinë se ç'pamje ka një zemër, një mëlçi, një veshkë, një mushkëri. Tek njerëzit e shëndetshëm dhe tek të sëmurët. Si janë të formuara strukturat e veçanta? Tek të rriturit dhe fëmijët. Si funksionin makineria 'trup njerëzor'? Dhe kush është atje vërtet e rrezikshme? Apo rrezikuese? Si dhe çfarë mund të ofrojë mjekësia, për të larguar këto momente rreziku?“
Pastaj vizitorët qendrojnë para vitrinave të larta të qelqta dhe vështrojnë me një ndjenjë kureshtje dhe sikleti zemra të vendosura në formalinë me vendet për lidhje me „pace maker“, arterie abdominale të bllokuara, tumore malinje dhe një koleksion mbresëlënës fetusesh me deformime të rënda.
„Në gjysmën e parë të shekullit të 19 këta konsideroheshin si monstra, siç thuhej, dhe deformimet si një pikëpyetje e madhe e shkencës. Pikërisht këto deformime janë studiuar shumë intensivisht, me përfytyrimin se nisur nga organi i deformuar mund të nxirreshin konkluzione për organizmin e shëndetshëm.“
Një numër deformimesh Rudolf Virchov i pati prezantuar publikisht që në vitin 1899 në Muzeun e tij të Patologjisë, si produkte të natyrës, të cilat duheshin studiuar shkencërisht. Pasi, edhe pse mjeku dhe shkencëtari kishte punuar dhe studiuar vetëm me trupat e të vdekurve, objektivi i tij ishte gjithnjë shëndeti i të gjallëve. Ai, thotë Thomas Schnalke, donte të gjente në përbërësit më të vegjël të trupit, pra në qeliza, shenja të sëmundjeve, për të bërë të mundur ndërmarrjen e një trajtimi të posaçëm.
„Në vetvete trajtimi ishte natyrisht i lidhur me kohën. Kjo do të thotë që para 150 vjetësh nuk mund të mendohej si sot. Dhe ndoshta kur sheh prapa në kohë e gjitha të duket ndoshta e habitshme. Ose mendon ‚O Perëndi!'. Për fat sot kemi ecur përpara.“
Ekspozita e përhershme në Muzeum e Historisë së Mjekësisë, të jep shumë shtysa për të reflektuar. Pasi muzeu nuk mjaftohet në asnjë mënyrë me paraqitjen e koleksioneve dhe trashëgiminë e dijetarit Virchov, por i merr vizitorët në një shëtitje që ofron shumë njohuri në 300 vjet histori të mjekësisë. Ai tregon për përparimet dhe gabimet në mjekësi, për sëmundje shumë të përhapura si kolera, sifilizi dhe tuberkulozi, tregon metodat e marrjes së gjakut dhe ndryshimet në kohë në perceptimin e higjenës, tregon instrumentet mjekësore, metodat e mpirjes dhe narkozës, mundësitë e operacioneve. Por edhe për sterilizimet e detyrueshme, të kryera në Rajhun e Tretë nga mjekët e Charité-së.
„Ne shkojmë nga teatri anatomik rreth vitit 1700 deri tek e tashmja dhe tregojmë krahas teatrit anatomik, muzeut anatomik, sallës së anatomisë të patologëve, laboratorit, shtratit të të sëmurit, literaturës dhe objekteve të mësimdhënies, edhe atë çka shumë njerëz regjistrojnë sot nga mjekësia, pikërisht një sallë të sëmurësh."
Historitë e kërkuara me kujdes të dhjetë pacientë nga 300 vitet e fundit, tregohen këtu përreth sallës të të sëmurëve, e cila ishte tipike për kohën e atëhershme.
Dorothea S., 17 vjeç, në vitin 1727, nën dhimbje torturuese solli në jetë një fëmijë që ndodhej në pozicion horizontal; Friedrich August W. ka vdekur i ri nga ethet. Hans G., i sëmurë me poliomelit në moshën trevjeçare, u dergj për ditë me radhë në vitin 1958 në një mushkëri të hekurt. Dhe Karl R. 55 vjeç, pësoi një helmim gjaku në vitin 2006, pas një plage në gishtin e djathtë tregues. U mbajt katër javë në komë artificiale dhe u operua katër herë. Më pas gjendja e tij u përmirësua ngadalë. Njeriu në nevojë mbetet një sfidë për mjekësinë, thotë Thomas Schnalke, megjithë përparimet e deritanishme.
Autor: Silke Bartlick/ Eliana Xhani
Redaktoi: Auron Dodi