Luftë për pushtet në shtetin e drogës Guinea-Bissau
2 Korrik 2019"Ajo që është duke ndodhur prej vitesh në Guinea Bissau është e turpshme për popullin. Një gjysmë dyzine njerëzish e kanë çuar vendin në kaos," thotë përmbledhtas Luis Barnosa Vicente, analist politik, që flet për gjendjen në vendin e tij. Kriza është duke vazhduar prej pesë vitesh dhe rrezikon të përshkallëzohet më tej. Guinea- Bissau i ngjan një fuçie baruti, thotë Vicente në bisedë me Deutsche Wellen.
Faktikisht vendi ndodhet prej vitesh në gjendje armëpushimi. Aktorët më të rëndësishëm politikë të vendit nuk bien dakord dhe bllokojnë reciprokisht njëri tjetrin. Faktikisht shteti nuk është duke kryer detyrat e tij elementare. Shumë shkolla dhe universitete janë mbyllur, sistemi i drejtësisë është faktikisht i shkatërruar, sistemi i shëndetit publik është përtokë.
Grindje private, intriga politike
Protagonistët e intrigave politike janë nga njëra anë presidenti José Mário Vaz, që thirret Jomav, dhe nga ana tjetër shumica e parlamentit me dy burra të fuqishëm: kryetarin e partisë më të madhe PAIGC, Domingos Simões Pereira, dhe presidentin e parlamentit Cipriano Kassamá, po ashtu nga partia PAIGC.
Edhe presidenti Jomav, i cili u zgjodh direkt nga populli pesë vjet më parë, është anëtar i partisë PAIGC. Megjithatë ai është në grindje prej vitesh me kryesinë e partisë dhe refuzon me forcë emërimin e kundërshtarit të tij, Pereira si kryeministër. Vëzhguesit flasin për mosmarrëveshje të mëdha në nivel personal, por edhe për diferenca të mëdha politike. Kështu që që prej zgjedhjes së Jomavit, nuk ka ekzistuar mundësia për krijimin e një politike konsistente qeveritare, sepse parlamenti refuzon të bashkëpunojë me të.
Zgjedhjet parlamentare nuk sollën ndonjë zgjidhje
Në zgjedhjet parlamentare të 10 marsit 2019, partia PAIGC dhe tre parti më të vogla në koalicion me të, arritën që të merrnin shumicën prej 54 vendesh të parlamentit me gjithsej 102 vende. Ky ishte vendim i qartë i zgjedhësve për të krijuar një qeveri të drejtuar nga kryetari i PAIGC, Pereira, thonë vëzhguesit politikë. Presidenti Jomav, vazhdon të refuzojë emërimin e Pereiras kryeministër. Në vend të tij, më 22 qershor ai ngarkoi me krijimin e qeverisë Aristides Gomesin, të cilin e pati emëruar në prill 2018 kryeministër.
Një ditë më vonë mandati i Jomavit si president, mori zyrtarisht fund pas një afati pesë vjeçar. Kjo nuk është e lidhur automatikisht me largimin e Jomavit nga posti, sepse në 24 nëntor qytetarët do të votojnë për të zgjedhur direkt një president të ri. Deri në atë kohë ai mund të qëndrojë në post, dhe të kandidojë për një periudhë tjetër pesëvjeçare si president.
A është Jomav presidenti i ligjshëm?
Por parlamenti nuk e pranon një gjë të tillë. Shumica e deputetëve morrën javën e kaluar vendim që të largojnë presidentin nga posti. Deri në zgjedhjet e reja postin e presidentit duhet ta marrë kryetari i parlamentit, Cipriano Kassamá, thonë deputetët. Një vendim ky që Jomav nuk e pranon dhe e sheh si "puç institucional".
"Pjesa më e madhe e konstitucionalistëve nuk janë aktualisht të sigurt kujt t' i mbajnë anën në këtë konflikt. Unë mendoj se vetëm Gjykata e Lartë ka legjitimitetin ta sqarojë këtë çështje," thotë analisti Vicente. Fakt është se këtë çështje duhet ta sqarojnë vetë njerëzit në Guinea-Bissau nëpërmjet gjykatave të veta. Por a janë ato të pavarura, është pyetja.
ECOWAS mbron Jomavin dhe vendos kushte
Megjithë konfliktet e brendshme dhe shkarkimin de facto nga parlamenti, Jomav shkoi në fundjavën e kaluar në takimin e nivelit të lartë të ECOWAS në Abuja. Gjatë takimit në kryeqytetin nigerian, tema e Guinea Bissaut ishte në krye të listës. Jomav tha atje, se ai vazhdon të jetë kryesuesi legjitim i vendit të tij. Ai i drejtoi apel kryetarëve të vendeve të rajonit që ta përkrahin.
Kryetarët e shteteve të komunitetit ekonomik të vendeve të Afrikës Perëndimore, ECOWAS, ranë dakord që Jomavi të vazhdojë të qëndrojë në post deri në zgjedhjet e ardhshme, por me autoritet të kufizuar. Po ashtu ata morën vendime për disa kushte: Për shembull, krijimi i qeverisë duhet të përfundojë në Guinea Bissau deri më 3 korrik. Përveç kësaj, drejtuesi i Gjykatës Kushtetuese, mandati i të cilit ka përfunduar më 23 qershor, duhet të zëvendësohet
"Zgjidhja e gjetur në Abuja, është që presidenti i shtetit të qëndrojë në post deri në zgjedhjet e 24 nëntorit, dhe që të vazhdojë të nënshkruajë ligjet dhe dekretet," thotë Jomav pas kthimit nga Abuja. Ai pranon kufizimin e autoritetit. Edhe kryeministri Gomes tha në një konferencë shtypi se pranon vendimet e Abujas dhe do punojë për zbatimin e tyre.
Pritoriteti kryesor: Të pengohet ndërhyrja e ushtrisë
"ECOWAS, Unioni Afrikan dhe BE ose komuniteti i vendeve që flasin portugalisht, CPCL, kanë nisur herë pas here iniciativa për të gjetur zgjidhjen e problemeve tona të brendshme, por zgjidhjet e krizës gjenden tek Guinea Bissau vetë. Politikanët na kanë vënë përpara këtë çorbë, dhe ne duhet ta hamë," thotë analisti Vicente. Zgjidhja duhet të vijë nga rradhët e politikës, drejtësisë dhe shoqërisë civile, jo prej ushtarakëve.
Në historinë 45 vjeçare të vendit ka pasur herë pas here momente kur ushtria është ngjitur në pushtet. Edhe aktualisht ekziston rreziku që të ketë puç ushtarak, thotë Vicente. Unë i kërkoj ushtrisë që kësaj here të qëndrojë jashtë, thotë ai.
Bashkëpunëtore: Fátima Tchuma Camará (Bissau)