Grupi i parë i djemve në botë - 85 vjetori i "Comedian Harmonists"
30 Dhjetor 2012Gjithçka nisi me një njoftim të thjeshtë në gazetë, që e nxorri Harry Frommermann më 18.12.1927, në gazetën lokale të Berlinit: "Kujdes. E rrallë. Kërkohet për një ansambël, tenor, bas (këngëtar profesionist, jo më shumë se 25 vjeç), me shumë aftësi muzikore, zë melodioz...."
11 ditë më vonë, më 29 dhjetor 70 burra u paraqitën për të kënduar në një apartament të vogël në papafingo: për fat të keq shumicës i mungonte talenti. Harry Frommermann i kishte humbur thuajse fare shpresat kur papritur para tij doli Robert Biberti. Dhe ai e bindi jo vetëm me zërin e tij mbresëlënës, por me Frommermann-in e bashkonte edhe entuziasmi për kuartetin vokal amerikan "Revellers". Sipas modelit të këtij kuarteti të dy muzikantët synonin të krijonin një variant gjerman.
Biberti bëri për vete për ansamblin e këngës dy kolegë kori: bullgarin Ari Leschnikoff dhe polakun Roman Cycowski. Më vonë amnsamblit iu bashkuan edhe Erich Collin dhe pianisti Erwin Bootz, të cilin të gjithë e thërrisnin vetëm "Erwini i bukur". Së bashku ata donin të sillnin në skenë diçka krejt të re.
Hapat e parë drejt karrierës së suksesshme
"Më e rëndësishmja ishte Comedian Harmonists. As Biberti dhe as Formmermann por Comedian Harmonists. Kjo ishte më e rëndësishmja dhe këtë e kuptuan të gjithë pjesëtarët e grupit. Për këtë arsye ishim në harmoni në planin njerëzor." Kështu shprehej dekada më vonë baritoni Roman Cycowski. Prova e parë u mbajt në fillim të janarit 1928 në apartamentin berlinez të Frommermann-it. Por shfaqja e parë pesë muaj më vonë në "Berliner Scala" ishte një fiasko: për fat të keq pronari i sallës së koncertit tha se donte një shfaqje zbavitëse, ndërsa performanca e grupit gjashtë vetësh ishte sipas tij "më shumë diçka për ceremoni mortore". Por artistët nuk u dekurajuan. Ata bindën një menaxher artistik të dëgjonte grupin e ri.
"Ai rrinte ulur me puron e trashë dhe ne kënduam gjithë repertorin tonë. Dhe ai rrinte ulur pa asnjë shprehje në fytyrë dhe pyeti: Po tjetër, çfarë keni? Dhe atëherë ne kënduam edhe diçka tjetër dhe djersët na rridhnin çurg, ishte gusht dhe tmerrësisht nxehtë. Papritur ai tha: a keni një telefon këtu? Po sigurisht! Dhe pastaj në telefon: Ju lutem më lidhni me zotin Charell, e kërkon Bruno Levy", tregonte më vonë Biberti.
Levy-t i kishte bërë shumë përshtypje stili i grupit të ri dhe arriti të krijonte mundësinë që ata të këndonin para mbretit të varietesë së Berlinit, Erik Charrel. Edhe Charrel e kuptoi menjëherë potencialin e trupës dhe i angazhoi për 120 marka për mbrëmje, për kohën e atëhershme një shumë tejet e madhe parash. Më 28 shtator 1928 Comedian Harmonists dhanë shfaqjen e parë të karrierës së tyre.
Prej atij momenti gjitçka shkoi më së miri. Publiku kërkonte gjithnjë e më shumë. Që në vitin 1929 Comedian Harmonists u angazhuan me shuma të majme në qytetet më të mëdha gjermane, nga Hamburgu në Këln. Koncertin e parë vetëm me interpretimet e tyre e dhanë në Lajpcig dhe u larguan nga skena e teatrit të brohoritur si yje.
Vitet që pasuan ishin një triumf për grupin e parë gjerman të djemve. Hitet e tyre ata i këndonin në disa gjuhë dhe kështu ishin të pëlqyer edhe jashtë Gjermanisë. Dhe ata e shijuan jetën pa kufizime, ngisnin makina të mëdha dhe flirtonin në botën e zonjave.
Përballja me diktaturën nacionalsocialiste
Retë e zeza që kishin nisur të mblidheshin në qiell, Comedian Harmonists fillimisht i injoruan: në vitin 1933 nazistët morën pushtetin dhe tre pjesëtarë të grupit ishin hebrej. Por ata nuk interesoheshin për politikë dhe mendonin se popullariteti që gëzonin do t'i mbronte nga reprezaljet. Por që atë vit u anuluan disa koncerte pasi, hebrejtë ishin të padëshiruar në skenat gjermane. Në vitin 1934 u shpall ndalimi përfundimtar. Koncertin e tyre të fundit Comedian Harmonists e dhanë në Mynih.
Ndalimi i shfaqjeve u bë shkas për mosmarrëveshje mes pjesëtarëve të grupit. Tre "arianët" në grup kërkuan honorare më të larta pasi në fund të fundit tre të tjerët ishin fajtorët që nuk mund të dilnin më në skenat gjermane. Në fund ranë megjithatë dakord që secilit i takonte një e gjashta e fitimeve. Prej atij momenti grupi fitonte vetëm me shfaqje jashtë Gjermanisë. E megjithatë në fund u ndanë.
Biberti, Leschnikoff dhe Bootz mbetën në Gjermani, hebrejtë Collin, Cycowski dhe Frommermann shkuan jashtë vendit dhe kërkuan suksesin si "Comedy Harmonists" në Vjenë.
Të gjashtë këngëtarët i mbijetuan luftës, ndonëse as pas vitit 1945 grupi nuk u ribashkua. Por këngët e tyre mbeten të paharrueshme edhe sot.