Gjykata Kushtetuese: Masë e përkohshme ndaj deputetëve
25 Korrik 2025Gjykata Kushtetuese e Kosovës përmes një mase të përkohshme ua ndalon deputetëve të marrin çdo vendim apo veprim pas kalimit të afatit 30-ditor që do të duhej të konstituohej Parlamenti. Ky afat përfundon nesër më datë 26 korrik dhe masa e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese hyn në fuqi më datë 27.07 dhe vlen deri më 8 gusht, kohë kjo e përcaktuar nga Kushtetuesja deri në nxjerrjen e një vendimi përfundimtar. Njoftimi për masën e përkohshme të Gjykatës Kushtetuese për deputetët u bë mbrëmë nga vetë Gjykata pak para mesnatës, vetëm disa orë para se deputetët e Kuvendit të Kosovës të tentojnë për të 52-tën herë me radhë që ta konstituojnë Kuvendin.
Shqetësimi i Gjykatës Kushtetuese mbi situatën aktuale
Gjykata Kushtetuese konsideron në vendimin e saj që "nëse nuk vendoset masa e përkohshme ex officio ndaj vendimeve dhe veprimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës pas datës 27 korrik 2025, çdo vendim dhe veprim i ndërmarrë pas kësaj date deri në vendimmarrjen e Gjykatës lidhur me kërkesat mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin e institucioneve kyçe në Republikën e Kosovës”. "Prandaj, ndalimi i çdo vendimi dhe veprimi nga ana e deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës pas 26 korrikut 2025 është në interes publik, i domosdoshëm për ruajtjen e rendit kushtetues dhe interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, thuhet në vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese.
Ngërçi politik vazhdon
Edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tre ditë më parë iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për pasojat juridike që mund të lindin në rast se Kuvendi i ri nuk konstituohet brenda afatit të përcaktuar prej 30 ditësh. Madje Presidentja ka kërkuar edhe masë të përkohshme për pezullimin e rrjedhjes së afatit prej 30 ditësh. Kërkesën për këtë masë të përkohshme, presidentja Osmani e arsyeton si një "mundësi që të shmanget futja e institucioneve në bllokadë pa fund”.
Gjykata Kushtetuese pati dalë me aktgjykim për ngërçin politik më 26 qershor, duke obliguar deputetët që ta konstituonin Kuvendin brenda 30 ditëve, afat ky që skadon nesër. Megjithatë, deputetët edhe pse mbanin seanca çdo 48 orë, nuk kanë arritur deri më tani pajtim për zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri e as për mënyrën e votimit për të. Të premten më 25.07, bëhet përpjekja e fundit në këtë fazë e deputetëve që ta konstituojnë Kuvendin, ndonëse deri tash nuk ka marrëveshje politike që do ta mundësonte një gjë të tillë.