Gjermanishte më cilësore në Tiranë
10 Shtator 2008Nuk ka kaluar as një muaj, që kur gjimnazistja shqiptare Amanda Hanelli fitoi çmimin e parë në olimpiadën e gjuhës gjermane në Dresden. Lektori i Shërbimit Gjerman për këmbimin Akademik DAAD, në Tiranë Jyrgen Rëling (Jürgen Röhling), e priti këtë lajm me shumë gëzim edhe pse Hanelli nuk e kishte mësuar gjermanishten nga ofertat e DAAD-së: "Është diçka e mrekullueshme që ajo ka arritur dhe ndoshta do t'i nxisë të tjerët të marrin pjesë në këtë konkurs", thotë ai.
Një shpresë jo e pajustifikuar, pasi kushtet e mësimit të gjermanishtes në Tiranë këtë vit janë përmirësuar, vëren Rëling. "Tani kemi nisur një nismë nëpër shkolla, ku disa degë si kimia, gjeografia e lëndë të ngjashme do të ofrohen edhe në gjermanisht." Pikërisht gjimnazi "Sami Frashëri" prej nga vinte edhe Hanelli është shkolla e parë që do të shërbejë si model për këtë projekt. Kurset përkatëse të gjeramnishtes kanë filluar qysh në pushimet e verës, ku u regjistruan mbi 100 nxënës.
Por gjermanishtja është gjuhë e vështirë, kështu që edhe numri i ndërprerjeve të kurseve është i lartë. Për ta ulur kuotën e e largimeve, DAAD - ja po ofron kurse edhe për nxënës të shkollave fillore që janë përreth gjimnazit "Sami Frashëri". "Kur nxënësit fillojnë gjuhën që në shkollë fillore, ata e kanë më të lehtë ta vazhdojnë atë", argumenton Rëling.
Gjermanishtja në universitet sërish me provim pranues
Rëling shpreson se kjo ofertë do të përmbushë në planin afatgjatë kërkesën e lartë për mësimin e gjermanishtes dhe do ta rrisë nivelin e mësimdhënies që gjatë dy viteve të fundit nuk ka qenë në lartësinë e duhur, gjykon Rëling. "Kur erdha unë në fillim niveli ishte shumë i mirë, gjermanistët ishin shumë të mirë. Në të njëjtin vit filloi problemi. Na detyruam të regjistronim të gjithë studentët. Në vitin 2006 na u ndalua të bënim provim pranimi. U krijua një situatë shumë interesante që në degën e gjermanistikës, ku të gjitha lëndët zhvillohen në gjuhë të huaj, ashtu si në degët e tjera të filologjikut, të pranonim studentë, të cilët nuk dinin asnjë fjalë gjermanisht."
Që nga ky vit akademik e më tutje kjo gjendje do të ndryshojë, pasi ministria e lejoi sërish provimin pranues, thotë Rëling, i cili shpreson tani që numri i studentëve të gjermanistikës të ulet në një nivel të përballueshëm. "Vitin e kaluar patëm mbi 100 studentë dhe ky numër është shumë i lartë. Gati gjysma e tyre ishin të papërgatitur për të studiuar", tregon lektori i gjuhës gjermane. Sipas Rëlingut, dega e Gjermanistikës këtë vit mund të përballojë 50 deri 60 studentë. "Docentët do të jenë të ngarkuar edhe me implementimin e sistemit të niveleve "bachelor" dhe "master", sipas kërkesave të procesit të Bolonjës.
Një gjë është e qartë: intersimi për të mësuar gjermanishten është më i madh se oferta e DAAD-së. Më problematikë është gjetja e mësuesve gjermanë që janë të gatshëm të shkojnë në Shqipëri. "Ky është një problem, se Shqipëria është interesante vetëm kur e njeh paksa. Dhe ata njerëz që nuk e njohin Shqipërinë pyesin, përse duhet të shkoj unë aty?" thotë Rëling, megijthëse, sipas përvojës, mjaftojnë tri ditë qendrimi në Shqipëri për t'u dashuruar mbas këtij vendi.