Gjermania: Hanau përkujton viktimat e sulmit më 2020
19 Shkurt 2025Përpara pesë vjetësh një 34 vjeçar gjerman doli i armatosur në rrugët e Hanaut në jugperëndim të Gjermanisë. Ai qëlloi për vdekje nëntë persona – për motive raciste. Më pas ai vrau edhe nënën e tij dhe veten. Me një sërë ceremonishë qyteti i Hanaut në landin e Hesenit përkujton këtë të mërkurë (19.02.2025) viktimat e dhunës me motive ksenofobinë.
Krahas të afërmve të viktimave në ceremoninë komemorative në Congress Park Hanau e mori fjalën edhe presidneti Frank-Walter Steinmeier. Ai bëri thirrje kundër racizmit, ekstremizmit të djathtë, islamizmit dhe çdo forme tjetër të armiqësisë ndaj njeriut.."Është në dorën tonë, të kujdesemi çdo ditë dhe vazhdimisht për një bashkëjetes ëtë mirë në vendin tonë. Ky është mesazhi, që duhet të përçojmë sot këtu nga Hanau", tha Steinmeier.
Steinmeier: "Sulm ndaj shoqërisë dhe demokracisë"
Dorasi atëherë nuk ka pasur në shënjestër të gjithë qytetaret dhe qytetarët, por vepra e tij ka goditur të gjithë shoërinë, nënvizoi presidenti. Vrasjet me motiv ekstremizmin e djathtë dhe racizmin në Hanau "ishin një sulm ndaj shoqërisë sonë të hapur dhe demokracisë liberale – pikërisht ashtu si edhe sulmet me motive islamike të muajve të fundit", tha Steinmeier.
Të martën në mbrëmje (18.02.2025) kancelari Olaf Scholz në këtë pervjetor bëri thirrje për angazhim kundër urrejtjes, dhunës dhe racizmit: "Të mos lejojmë aspak hapësirë për urrejtjen ndaj njeriut", tha Scholz në Berlin: "Ne mund t'i kundërvohemi urrejtjes raciste, që ishte shkaku i vrasjeve në Hanau."Secili individ në jetën e përditshme mund të dëshmojë për më shumë humanizëm dhe më pak urrejtje. Mendoj, se kjo do t'i bënte mirë Gjermanisë."
Presidenti Steinmeier u bëri thirrje në Hanau politikës dhe autoriteteve, që të zbardhin sfondin e këtij akti, të nxjerrin në pah gabimet e tyre dhe të nxjerrin mësime. Ai tha, se ndjen thellësisht keqardhje, që disa nga të afërmit e viktimave pas atentatit kanë krijuar përshtypjen, se u është dashur atyre që ta venë shtetin në lëvizje për zbardhjen e rastit. Besimi tek shteti "ka humbur". Steinmeier vlerësoi, që parlamenti i landit të Hesenit falë edhe këmbënguljes së të afërmve të viktimave ka krijuar një komision hetimor parlamentar.
Paralajmërimi i së ngarkuarës kundër diskriminimit
E ngarkuara e federatës kundër diskriminimit, Ferda Ataman, nxorri në pah mungesën e përpjekjeve kundër racizmit në Gjermani. Shteti pas sulmit në Hanau nuk e bëri detyrën e tij, tha Ataman. "Numri i akteve penale të ekstremistëve të djathtë është më i lartë se kurrë, ndërsa mbrojtja nga diskriminimi nuk është përmirësuar aspak."
Në vend që të forcohet ndjenja e sigurisë së migrantëve dhe pasardhësve të tyre, ata po shpallen si problemi i sigurisë. Sipas Ataman vërehet, se diskriminimi është në rritje. Njerëzit thonë, se po hasin në mobbing në vendin e punës, mjeket dhe mjekët po i refuzojnë pacientët myslimanë si njerëz ë që "përdorin thikë" dhe mësuesit kur i thërrasin nxënësit në tabelë u thonë "terrorist i vogël". "Pesë vjet pas sulmit në Hanau, migrantët në Gjermani kanë më shumë frikë se asnjëherë më parë."
Qeveria e re duhet të japë një sinjal të qartë, që nuk e toleron racizmin, bëri thirrje Ataman. Është urgjentisht i nevojshëm një plan aksioni kundër diskriminimit.
Motoja e veprimtarive përkujtimore në Hanau është "Përkujtojmë bashkë – për solidaritetin dhe të ardhmen".
Në mbrëmje në të dyja vendgjarjet e sulmeve me viktima do të ketë ceremoni përkujtimore. Në sheshet Heumarkt dhe Kurt-Schumacher janë planifikuar roje nderi nga nisma "Initiative 19. Februar". Në emër të qytetit, të landit dhe të federatës në varrezat në Hanau, Offenbach, si dhe në Bullgari, Rumani dhe në Turqi (prej nga kishin prejardhjen disa nga viktimat) është organizuar vendosja e kurorave.
AR/se (epd, afp, dpa, kna)