Gjermania dhe Kina në dialog për të drejtat në internet
16 Korrik 2012Kina është ndërkohë vendi më i madh në Internet. Mbi 500 milionë njerëz përdorin Internetin dhe rreth 250 milionë përdorin shërbimet e mikroblog-eve analoge me Twitter-in. Twitter-i vetë, ofruesi më i madh në botë i mikroblog-eve është i bllokuar në Kinë; ashtu siç janë të bllokuara edhe platforma më e madhe në botë e videove Youtube si edhe rrjeti social më i madh në botë Facebook. Liria e madhe e Internetit përballet kështu shpejt me muret e "Great Firewall of China", një makineri gjigande censure dhe bllokimi. Edhe ofertat e Deutsche Welle-s janë të bllokuara në Kinë. Sipas të dhënave të "Reporterë pa Kufinj" 68 aktivistë të rrjetit janë të arrestuar ndërkohë në Kinë, sepse shkrimet e tyre i kanë zemëruar zyrtarët e vendit.
Megjithatë Gjermania dhe Kina kanë rënë dakord që, pavarësisht kufizimeve, temën "Të drejtat e njeriut dhe shteti i së drejtës në kohën digjitale" ta përfshijnë në agjendën e dialogut të 12-të gjermano-kinez të legjislacionit. Sidoqoftë interneti ka krijuar edhe në Kinë hapësira të reja për diskutime dhe shkëmbime.
"Duhet bërë durim"
Dialogu për shtetin e së drejtës zhvillohet në simpoziume me praninë e përfaqësuesve të nivelit të lartë nga fusha e politikës dhe e shkencës. Midis 100 përfaqësuesve nga të dyja palët janë të pranishëm edhe këtë herë ministrat e drejtësisë së të dy vendeve. Dialogu i parë është zhvilluar në vitin 2000 nën drejtimin e ministres së atëhershme të Drejtësisë Herta Däubler-Gmelin. Duke kujtuar këtë ngjarje ajo shkruan në një shkëmbimin me e-mail me Deutsche Welle-n se "Duhet bërë durim. Me ligjet është bërë shumë, por në praktikë shpeshherë gjërat kanë mbetur prapa." Gjithmonë ka kritikë dhe dyshim në efektin e dialogut. Aktivistët e të drejtave të njeriut flasin për një veprim burracak. Debati për të drejtat e njeriut; veçse zhvendoset nga opinioni publik në një forum të mbyllur të quajtur dialog për shtetin e së drejtës. Edhe në Kinë vetë shprehet kjo kritikë. Zhang Sizhi, njëri nga juristët më të njohur të pavarur në Kinë, tha për Deutsche Welle-n: "Dialogu po vazhdon prej një kohe të gjatë. A ka pasurndonjë efekt? Madje mes juristëve ky dialog nuk është i njohur, aq më pak tek njerëzit e thjeshtë!"
Përparime kryesisht në legjislacionin ekonomik
Katja Levy, studiuese për Kinën, ka hulumtuar në vitin 2010 studimin prej 400 faqesh për dialogun gjermano-kinez rreth shtetit të së drejtës. Ajo vëren sidoqoftë përparime
kryesisht në fushën e legjislacionit ekonomik, ndërsa sa u përket të drejtave të njeriut si dhe të drejtave themeltare, profesorja nga Bochum-i shikon mangësi të mëdha. Bazuar në kushtetutën e vendit Kina është "shtet socialist". Megjithatë teksti i kushtetutës dhe realiteti kushtetues janë shpeshherë larg njëri-tjetrit. Ky fakt tematizohet edhe në Kinë ashtu siç e vërteton një studim i fondacionit Heinrich-Böll i botuar në vigjilje të dialogit aktual për shtetin e së drejtës. Në një shkrim të Hu Yong, studiuesit të medieve nga Pekini thuhet se "Kushtetuta vlerësohet në Kinë më poshtë se e drejta nacionale, e drejta nacionale më poshtë se rregullat burokratike, rregullat e ministrive më poshtë se departamentet dhe në fund të fundit është gjithmonë funksionari i partisë ai që ka fjalën e fundit."
Dialogu gjermano-kinez për shtetin e së drejtës nuk e shqyrton për herë të parë temën e internetit. Qysh në vitin 2003 ka pasur një dialog për temën e internetit. Në faqen e saj të internetit Ministria federale gjermane e Drejtësisë shprehet e përmbajtur për "pika të përbashkëta por edhe për tensione produktive" midis dy vendeve për çështje të sistemit legjislativ.
"Tensione konstruktive"
Një "tension konstruktiv" mund të shkaktojë gjatë takimit të Minisitres së Drejtësisë gjermane Sabine Leutheusser-Schnarrenberger me kolegun e saj kinez Song Dahan, rasti i tregtarit 32-vjeçar të veprave të artit Nils Jennrich. Biznesmeni gjerman mbahet pa akuzë prej muajsh në një burg në Pekin. Nuk është e qartë se për çfarë akuzohet ai, madje edhe kundrejt një pagese ai nuk lejohet të lerë burgun. Pritet që Ministrja e Drejtësisë ta prekë këtë rast.