Galeria e Arteve transferohet në Berlin
24 Tetor 2008Kjo ka ndodhur një javë më parë, kur Kathärina Gänßler po përgatitej për hapjen e ekspozitës. Ekspozita tashmë është hapur në Galerinë 18m në Berlin.
Në verë Kathärina Gänßler ndodhej në Tiranë, në Galerinë e Arteve dhe atje: "Kam bërë 4 mijë fotografi, në një sallë në katin e dytë. 2700 nga fotografitë e bëra atje i kam ngjitur këtu në këtë hapësirë të Galerisë 18 m. Fotografitë janë të gjitha din A3, kopje me ngjyra dhe janë ngjitur në mur me ngjitës tapetesh."
Galeria e Arteve në Tiranë ndodhej në rikonstruksion kur Kathärina ka bërë atje fotografië. Në një nga sallat e katit të dytë, të lyer me ngjyrë të bardhë, më dysheme të shtruar me parket të ri, të ndriçuar me drita sihin vendosur piktura të viteve 60-70 të Shqipërisë komuniste. Mes tyre punime të Myrteza Fushekatit, Spiro Kirstos, Sali Shijakut. "Në Kombinatin e Autotraktorëve", quhet njëra prej pikturave të ndodhura në sallë që e fotografuar vjen në Berlin. Fytyra krenare punëtorësh që shohin drejt të ardhmes socialiste, gra me këmbë të ngulura fort në tokë që mbajnë pushkën në krahë, gati për të mbrojtur atdheun me çdo kusht, fytyra të shqetësuara intelektualësh marksistë leninistë të botës që hase me vështirësi në përhapjen e ideve komuniste. Pikturat janë nxjerrë nga magazinat dhe nuk kuptohet a do të përdoren për ndonjë ekspozitë apo janë vendosur aty sa për të parë gjendjen.
"Për mua është shumë mirë që pikturat ndodheshin në dysheme, sepse unë i fotografova ato ashtu siç ishin vendosur, të rradhitura sipas kësaj radhe që tregohet edhe këtu. Unë kam fotografuar nga e majta në të djathtë, nga lart poshtë me teleobjektiv shumë të madh, kam bërë fotografi me detaje, njëra pas tjetrës, duke krijuar një si lloj panorame mbidimensionale," thotë artistja.
Salla e madhe e Galerisë së Arteve me gjatësi 30-40 metra, rijepet në një nga dhomat e Galerisë 18 m në Berlin që ka madhësinë 5 me 5 metra. Në të dhomë shtrihet e gjithë salla e Galerisë së Arteve të Tiranës, për të bërë kështu transferimin e hapësirës në hapësirë, nga lindja në perëndim, nga e kaluara në të tashmen. Zvogëlimi i hapësirës shkakton efektin bllokues, mbyllës, klaustrofobik.
"Unë fotografoj nga pika të ndryshme të sallës. Vendosem në një pikë dhe fotografoj me kënd 110 gradë nga e majta në të djathtë dhe nga lart poshtë, pastaj shkoj në një pikë tjetër për shembull pas 6 metrash, dhe duke ruajtur largësinë nga muri bëj të njëjtën gjë."
Ekspozita do të qëndrojë deri në muajin në Galerinë 18 m, pastaj punimi do të prishet, sepse me heqjen e fotografive nga muret, shkatërrohet edhe instalimi "Punimet e mia janë të gjitha të koncepuara per hapësirën ku ndodhem. "