Fundi i krizës në Ukrainë? Jushenko dhe Janukoviçi në unanimitet
27 Maj 2007Deri në orën 4 të mëngjesit të së dielës kanë negociuar presidenti, kryeministri dhe zëdhënësi i parlamentit Moros, derisa Jushenko doli përpara shtypit dhe deklaroi: "Ne fillimisht kemi përcaktuar të gjitha vendimet formale, që janë të nevojshme, në mënyrë që të gjithë deputetët e parlamentit, qofshin të opozitës apo të mazhorancës të paraqiten për dy ditë në parlament dhe të sqarojnë çështjet, që janë të nevojshme për zgjedhjet e reja. Këto çështje kanë të bëjnë me ndryshimet në buxhetin e shtetit, me ndryshimin e ligjit mbi statusin e deputetit si me një sërë dokumentasha të tjera."
Parlamenti do të mblidhet të martën (29.05) dhe të mërkurën (30.05), ndonëse ai është shpërndarë prej presidentit Jushenko qysh prej disa kohësh. Pikërisht kjo masë provokoi krizën shtetërore, pasojat e së cilës ishin: trazirat në parlament, shkarkimi i prokurorit të përgjithshëm, kërcënimet e forcave të rendit dhe parrullat e hapura për puç e diktaturë.
Ndonëse forcat e rendit, që së fundi Jushenko i vuri nën komandën e vet, tashmë janë kthyer nëpër kazerma dhe ato nuk mbërritën deri në Kjev, vazhdon të mbetet një farë skepticizmi lidhur me qëndrueshmërinë e kompromisit të arritur.
Shpesh herë kryeministri, besnik ndaj Moskës, Janukoviç pat sinjalizuar lëkundje, por më pas ai mobilizoi partinë e vet dhe të tjerë partnerë të koalicionit qeverisës kundër zgjedhjeve të reja. Ndërsa tani ai prezantohet sërish si një burrë shteti: "Ky është parimi i realizimit të zgjedhjeve korrekte, transparente dhe demokratike. Ne kemi përgatitur një paketë ligjesh, që gjatë javës së ardhëshme duhet të aprovohen brenda dy ditësh."
Deri atëherë parlamenti duhet të jetë në funksion, nëse partitë e opozitës "Ukraina jonë" e presidentit dhe blloku i ish-kryeministres Julia Timoshenko nuk do të heqin dorë nga mandati. Vetëm nëse këta 170 deputetë japin dorëheqjen, Rada, siç quhet parlamenti ukrainas, mund të konsiderohet i shpërndarë, e kjo ndoshta do të përkojë me periudhën e pushimeve të verës së parlamentit. Mbetet të shihet, nëse deri atëherë do të qëndrojë paqja e arritur me mundim, sepse Ukraina shpesh herë ka përjetuar supriza politike.
Ndonëse në dukje, sot në motin e nxehtë të Kjevit u dëjguan fjalime të bukura, vendi ka ende probleme të mëdha të pazgjidhura: kush është prokuror i përgjithshëm, cilët janë gjyqtarët suprem, kush e ka fjalën në vend: presidenti apo kryeministri dhe ç´drejtim po merr Ukraina, drejt Evropës apo drejt Rusisë?