Frenimi i borxhit dhe një reformë e shtrenjtë
20 Nëntor 2012Kur është fjala për të kursyer para nga taksat, Angela Merkel jep shembullin pararojë: buxheti për vitin 2013 do të jetë afro 10 milionë më pak se sa ai i këtij viti.
"Shikoni kështu duhet bërë", lavdëron kancelarja dhe koalicioni i saj qeveritar, i përbërë nga CDU, CSU dhe FDP, "konsolidimin e buxhetit", me të cilin Gjermania që në vitin 2013 do të përmbushë kërkesat e Paktit Fiskal evropian. Borxhi i ri strukturor do të jetë vetëm 0,34 përqind - ekzaktësisht 0,01 përqind nën kufirin e përcaktuar. Gjithsej borxhi i ri i Gjermanisë do të binte për të pestin vit me radhë. Rreziqet koniunkturore dhe shpenzimet e jashtëzakonshme si pagimi i 8,7 miliardë eurove në fondin e ndihmës ESM nuk janë llogaritur, por këtë edhe nuk e kërkon i ashtuquajturi "frenim i borxhit" i paraparë me kushtetutë. Megjithatë një falje e pjesshme e borxhit për Greqinë, e refuzuar me forcë nga qeveria do t'u kushtonte deri në 20 miliardë euro të tjera taksapaguesve gjermanë.
"Perspektiva e një buxheti të balancuar"
Por në qoftë se gjithçka shkon mirë, deficiti buxhetor në vitin e ardhshëm do të arrijë në 17.1 miliardë euro, me shpenzime totale prej 302 miliardë euro. "Mund të thuash, se në horizont duket një buxhet i balancuar. për të cilin jemi duke punuar vazhdimisht", thotë me krenari politikani i CDU, Norbert Barthle.
Pak me xhelozi e sheh situatën opozita e përbërë nga socialdemokratët, të Majtët dhe të Gjelbrit, që konstatojnë: "Qeveria vepron në valën e koniunkturës". Kështu shprehet eksperti i PSD për buxhetin Carsten Schneider dhe akuzon qeverinë, se ajo merr nga fondet sociale për të rimëkëmbur buxhetin. Në fakt, buxheti i Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale mbetet përfiton pjesën më të madhe të shumës prej 302 miliardë eurosh të buxhetit të përgjithshëm, por bie me gati shtatë miliardë në 120 miliardë euro. Arsyeja: Qeveria shkurton për shkak të koniunkturës së mirë ekonomike përfitimet për të papunët, pensionet, dhe sigurimin shëndetësor. "Profilaksia është një fjalë e huaj për qeverinë", ankohet Partia e Majtë, sepse që tashmë është e qartë se me përkeqësimin e situatës ekonomike do të mungojnë para nga arkat e sigurimeve shoqërore.
Qeveria Merkel përfiton nga normat e ulëta të interesit, që duhet të paguajë Gjermania në tregjet ndërkombëtare financiare për kredi. Kështu pesha e përqindjeve në krahasim me këtë vit do të bjerë me më shumë se dy miliardë e gjysëm. Në vitin 2013 barra e përqindjeve bie për herë të parë prej shumë vjetësh në vendin e tretë në mesin e shpenzimeve.
Fondi i dytë i madh i buxhetit jepet për mbrojtjen me më shumë se 33 miliardë euro. Arsyeja është ristrukturimi i Bundesverit nga një ushtri mbrojtjesë në një ushtri ndërhyrjeje - më e vogël, me e lehtë dhe më e shtrenjtë. Një sistem i ri armatimi si Eurofighter kushton një miliardë. Fillimisht ishte menduar që reforma e Bundeswehrit të kursente para.
Me sy të mirë nga qeveria dhe opozita shihet rritja e buxhetit për arsimin dhe shkencën me një miliardë euro. Në një kohë, kur rriten çmimet për energjinë, hasin në kritikë subvencionet tatimore për konsumuesit e mëdhenj industrialë të energjisë, me të cilët qeveria do të ruajë kinse aftësinë e saj konkurruese ndërkombëtare.
Shkurtohet buxheti për zhvillimin
Ndër sektorët, të cilët në vitin 2013 do të punojnë me më pak para se një vit më parë, hyn për çudi Ministria e Zhvillimit. Në momentin e fundit komisioni i buxhetit mori lapsin e kuq dhe shkurtoi nga planifikimi i buxhetit 140 milionë euro, të cilat nuk ishin marrë në vitet e kaluara në Berlin nga Fondi evropian i Zhvillimit.
Në këtë mënyrë parlamenti largohet nga synimi për t'i shtuar mjetet financiare për bashkëpunimin zhvillimor në 0,7 përqind të prodhimit ekonomik, deklaroi dukshëm i zemëruar ministri liberal i Zhvillimit, Dirk Niebel.